Pyetja:

A duhet ta bëjmë nijetin e namazit se kam dëgjuar disa që thonë se s’ka nevojë të bëhet nijet për namaz se para se të fillojë namazin njeriu me zemër
e bën këtë. Disa thonë se duhet të bëhet nijeti, por pa zë. Ju lutem si ka vepruar Muhamedi ﷺ? Pak më gjerësisht mundësisht.

***

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Nijeti në namaz është një nga kushtet themelore për tu pranuar namazi dhe domosdoshmëria e nijetit është sikur domosdoshmëria e abdesit, pastërtia e rrobave, kthimi kah kibla dhe kushtet tjera para lidhjes në namaz. Me një fjalë bërja e nijetit, jo vetëm gjatë faljes së namazit, por në çdo adhurim të cilin e kryen myslimani ndaj Allahut, është e patjetërsueshme pasi që me këtë ai shfaqë sinqeritetin e pastër, se këto ibadete kryhen vetëm për Zotin.

Mirëpo, këtu duhet ta kemi parasysh se qëllimi me nijet është vendosmëria e besimtarit me zemër, për ta kryer faljen e namazit dhe të gjithë dijetarët islam kur flasin rreth nijetit në namaz, e kanë për synim këtë kontekst të nijetit, pra vendimi i cili mbretëron në zemër.

Shqiptimi i nijetit me gojë

Pasi sqaruam se esenca e nijetit në namaz është vendosmëria e zemrës, themi se nga i Dërguari i Allahut ﷺ nuk transmetohet se ai e ka shqiptuar këtë vendosmëri me gojë. Për këtë veprim nuk kemi asnjë hadith që përcillet, madje edhe të dobët dhe jo vetëm rreth shqiptimit të nijetit gjatë namazit, por nuk përcillet nga ai ta ketë bërë nijetin me gojë në ndonjë adhurim tjetër. Ndërsa, ajo çfarë përcillet se gjatë bërjes së haxhit, kur i Dërguari ﷺ e fillonte haxhin thoshte: “Lebejkellahume Haxhen”- “O Zoti im po të përgjigjem ty për thirrjen në haxhit”. Kjo shprehje nuk është shqiptim i nijetit, ashtu si mund të mendoj dikush, por lutje me anë të së cilës haxhiu e fillon ibadetin e Haxhit, sikurse që me tekbirin fillestar: ”Allahu e Ekber”- “Allahu është më i madhi”, e fillon namazin. Për këtë sahabiu, Abdullah Ibën Omeri, kur e dëgjoi një njeri i cili gjatë fillimit të haxhit, duke hyrë në ihram, tha: “Allahume Ini Uridul Haxhe”-“O Zoti im, dua ta bëj haxhin”, ai i tha: “Me këtë a po u tregon njerëzve (çfarë do të bësh), pasi ti e di se Allahu është i dijshëm çfarë ke ti në zemrën tënde?” [1]

Gjithashtu edhe gjatë therjes së kurbanit shënohet se i Dërguari ﷺ thoshte: ”O Allahu im, ky kurban është prej meje dhe familjes time” [2], mirëpo edhe në këtë rast, kjo shprehje nuk nënkupton shqiptim të nijetit, por lutje me të cilën i drejtohemi Allahut gjatë therjes së Kurbanit.

Ibën Kajimi kur flet rreth çështjes së shqiptimit të nijetit të namazit thotë:

“Kur i Dërguari i Allahut ﷺ ngrihej për ta falur namazin thoshte: “Allahu Ekber”-“Allahu është më i madhi” dhe ai nuk thoshte me gjuhë asnjë fjalë tjetër. Ai, absolutisht, nuk e shprehte nijetin, nuk thoshte se dëshiroj të fali për Zotin, katër rekate, drejtohem kah kibla, si imam apo pasues (i imamit). E as nuk thoshte se po e fali namazin në kohë të tij ose kaza, e as se po e fali farzin. Këto gjëra të gjitha janë risi (bidat), që nuk i ka transmetuar askush, prej të Dërguarit ﷺ asnjëherë, as me transmetim autentik (sahih), as me transmetim të dobët (daif), e as mursel (transmetim të shkëputur), qoftë edhe një fjalë të vetme. Bile kjo nuk përcillet as nga shokët (sahabët) e tij dhe atë nuk e pëlqeu askush nga tabinët dhe katër Imamët e njohur (të medhhebeve). Mirëpo, disa të mëvonshëm gabuan se kjo (shqiptimi i nijetit me gjuhë) është mendim i Imam Shafiut, pasi që ai me një rast kishte thënë se namazi dallon nga agjërimi dhe në të (në namaz) nuk hyhet vetëm se duke thënë dhikër (lutje). Ata menduan se shqiptimi i dhikrit, i përmendur nga Imam Shafiu, është për qëllim, shqiptimi i nijetit me gojë, porse ai kishte për qëllim shqiptimi i tekbirit fillestarë, e jo diç tjetër. Si është e mundur që Imam Shafiu të pëlqej diçka që nuk e ka praktikuar i Dërguari ﷺ qoftë edhe në një namaz dhe si është e mundur që ai të pëlqej diçka që nuk e kanë praktikuar halifët dhe sahabët e tij. Pra, ky është udhëzimi dhe praktika e tyre, nëse nga ata do të gjenim, qoftë edhe vetëm një fjalë për këtë veprim, atëherë ne do ta pranonim me përkushtim, pasi që nuk ka udhëzim më të përsosur se udhëzimi i tyre dhe nuk ekziston sunet, vetëm se atë që ata e morën nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të” [3]

Mendimet e dijetarëve të medhhebit në Lidhje me shqiptimit e nijetit me gojë

Është shumë e saktë se shqiptimi i nijetit, jo vetëm që nuk ishte praktikë e Muhamedit. lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, por atë nuk e kanë thënë as imamët e mëdhenj të katër medhhebeve. Mirëpo, më vonë si mendim atë e kanë thënë disa dijetarë të mëvonshëm të medhhebeve dhe qëllimi i tyre në këtë ishte që njeriu gjatë faljes të jetë më si sigurt se cilin namaz është duke e falur. Me një fjalë ata kanë thënë se me shqiptimin e nijetit me gojë falësi e konfirmon nijetin e zemrës.

Nuk do të zgjerohemi në përcjelljen e thënieve të tyre në lidhje me këtë çështje por dëshirojmë ta cekim se edhe ata që thonë për shqiptimin e nijetit me gojë, kur flasin për këtë pikë, nuk thonë se kjo gjë (shqiptimi i nijetit) është synet, por ata thonë se kjo është e mirë (preferuar), nëse njeriu ballafaqohet me dyshime gjatë lidhjes në namaz, për ta vërtetuar nijetin e zemrës. Edhe në medhhebin Hanefi qëndron ky mendim dhe kështu kanë thënë disa dijetarë Hanefi, megjithëse disa të tjerë e mohojnë këtë praktikë, madje edhe disa e quajnë risi (bidat), pasi që i Dërguari ﷺ nuk e kishte praktikuar. [4]

Sidoqoftë në përfundim themi se shqiptimi i nijetit nuk është diçka e kërkuar nga myslimani në fillim të namazit dhe më mirë është për të, që të kufizohet me nijetin e zemrës, pasi që me këtë ai vepron në përputhje me praktikën e Profetit ﷺ dhe në përputhje me gjeneratat e para të myslimanëve. Ndërsa, ata dijetarë të mëvonshëm të cilët kanë thënë se kjo preferohet, megjithëse qëllimi i tyre ishte që falësi të jetë më si sigurt me nijetin gjatë faljes, është e qartë se nuk kanë ndonjë mbështetje të qëndrueshme.

Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

———————–

[1] Transmetimi është i saktë, “Xhamiul Ulumi Vel Hikem”, Ibën Rexheb, f. 92.

[2] Shënon Ahmedi dhe hadithi është i saktë, “Irvaul Galil”, Albani, vëll.IV, f. 360.

[3] “Zadul Mead” Vëll. I, f. 194.

[4] Shih: “Sherh Fet`hil Kadir”, Ibën Humam El Hanefi, vëll. I, f. 272-273.