Pyetja:
Ngritja e gishtit në tehijat a duhet të mbahet ngritur tërë kohën sa rrimë në tehijat apo vetëm kur shqiptohet njësimi për Allahun xh.sh. dhe se a ka hadithe të cilat tregojnë për këtë çështje?
***
Përgjigjja:
Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket mbajtjes dhe lëvizjes së gishtit në teshehud, dijetarët janë ndarë në disa mendime. Sipas medhhebit:
– Hanefij: Gishti ngritet kur thuhet: “La ilahe”, dhe ulet kur thuhet: “Il-lAll-llah”.
– Shafi’ij: Gishti ngritet kur thuhet: “Il-lAll-llah”, dhe ulet menjëherë.
– Malikij: Gishti lëvizet në të djathtë dhe të majtë deri në fund të teshehudit. -Hanbelij: Gishti ngritet çdo herë kur përmendet emri i Allahut.
Thotë Shejh Albani: “Këto përcaktime dhe mënyra nuk kanë bazë në Sunet dhe më afër të vërtetës është medhhebi Hanbelij, sikur mos ta kishte ndërlidhur lëvizjen e gishtit me përmendjen e Allahut.” [1]
Kështuqë Shejh Albani e mbron mendimin se gishti duhet të ngritet dhe lëvizet prej fillimit deri në fund të teshehudit. Duke u bazuar në hadithin në të cilin thuhet se: “Pejgamberi ﷺ … e ngriti gishtin dhe e lëvizte atë duke u lutur me të”. [2]
Ndërsa Shejh Ibn Uthejmini duke u bazuar në të njëjtin hadith, mbron mendimin se gishti ngritet dhe lëvizet vetëm në rastet që përmendet ndonjë lutje, e jo në mënyrë të vazhdueshme. Ngase në hadith thuhet: “e lëvizte atë duke u lutur me të”. [3]
Edhe pse këtë hadith, në të cilin përmendet lëvizja e gishtit, dijetarët si Shejh Mukbil El-Vadi’ij, Shuajb Arnauti dhe të tjerë, e kanë konsideruar hadith të dobët dhe nuk e kanë pranuar për argument.
Kështuqë mendimi në të cilin anojmë dhe mendojmë se është më i saktë, është: Ngritja e gishtit prej fillimit deri në fund të teshehudit dhe mbajtja e tij në atë mënyrë pa e lëvizur fare atë.
Duke u bazuar në hadithin të cilin e transmeton Abdullah ibn Zubejri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: “Pejgamberi ﷺ … e vëndonte dorën e majtë mbi këmbën e majtë (në teshehud) dhe dorën e djathtë mbi këmbën e djathtë, dhe bënte me shenjë me gishtin e tij”. [4]
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami
—————————————————–
[1] Temamul Minneh/223.
[2] Transmeton Nesaiu, dhe Shejh Albani thotë se hadithi është i vërtetë.
[3] Sherhul Mumti’ 1/594.
[4] Transmeton Muslimi
Comments are closed.