Pyetja:

Ç’është namazi i istihares, si falet ky namaz, a ka dua te posaçme kur falet, dhe çfarë vlere ka ky namaz?

***

Përgjigjja:

Ç’është namazi i istihares dhe pse falet?
Namazi i istihares është një nga namazet vullnetare që është sunet të falet, kur muslimani është para ndonjë dileme dhe nuk di se cilën alternativë ta merr, nga dy e më tepër, për ta zgjidhë atë dilemë. Fjala “Istihare” d.m.th. të kërkuarit e opsionit të duhur. Kur para një çështjeje të caktuar, ekzistojnë opsione të ndryshme për ta vepruar atë çështje apo jo, apo mënyrën se si duhet vepruar, preferohet të falet ky namaz, që quhet namazi i istihares, si një lloj konsulte që robi musliman e kërkon prej Krijuesit të Tij, me qëllim që ta zgjedhë atë që është më mirë për te në fetarinë e tij, jetën e tij të dynjasë dhe ahiretin e tij.
Namazi istihare nuk falet për ta zgjidhur një problem kur alternativat janë të pabarabarta, por kur alternativat duken të barabarta dhe nuk mund ta dish se cila është më e mirë për ju. P.sh. a më mirë ta agjëroj Ramazanin apo mos ta agjëroj?! Në këtë rast nuk falet ky namaz duke pasur për qëllim ndonjërën zgjidhje, pasi që Allahu e ka treguar zgjidhjen e mirë duke na urdhëruar me agjërim dhe duke na ndaluar mosagjërimin  pa ndonjë arsye. Po ashtu nuk mund ta falësh këtë namaz për ta përfituar mendimin se bën apo jo të pi alkool. Në këtë rast Allahu ka treguar se e mira është moskonsumimi i alkoolit, kurse e gjithë e keqja është në konsumimin e tij, për këtë edhe e ka ndaluar. Namazi istihare falet p.sh. për ta fejuar këtë vajzë apo jo, apo anasjelltas. Në këtë rast e mira apo e keqja nuk janë të qarta për personin në martesën apo mosmartesën e tij me pikërisht atë vajzë, andaj fal namaz istihare, për ta gjetur ndonjërën alternativë, duke synuar të vërtetën.
Pra, namazi istihare nuk falet për gjërat që janë obligim për t’i vepruar apo janë të ndaluara. Por falet për gjërat e lejuara (mubah) apo ato të preferuara, por duke kërkuar mënyrën dhe kohën e duhur e jo vlerësimin e veprës, të cilën Sheriati e ka parapëlqyer.

Dispozita e këtij namazi dhe urtësia e tij
Namazi i istiharës është sunet. Të gjitha medhhebet e konsiderojnë të kësaj shkalle dispozitën e këtij namazi, kur muslimani ka ndonjë dilemë para vete. Ky namaz falet për t’iu dorëzuar plotësisht caktimit të Allahut. Njeriu kur ka ndonjë dilemë, çfarëdo qoftë ajo, ka nevojë për ta konsultuar ndonjë njeri të dijshëm e me përvojë. Sa e mirë do të ishte që robi t’ia trokasë derën Zotit të tij për t’ia kërkuar vendimin e mirë për të. Nuk ka mënyrë më të mirë, që robi ta parashtron kërkesën dhe përulësinë e tij para Allahut, se sa namazi. Ja këto janë dy rekate nafile që robi në mënyrë të posaçme i drejtohet Krijuesit të Gjithëdijshëm. Pastaj pas këtij namazi dhe pas kësaj lutjeje e vepron atë që e zemra i fle më shumë, pasi Allahu do ta bëjë të ndihet rehatshëm në ndonjërën alternativë.

Argumenti i këtij namazi
Shënon Buhariu nga Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: “Na e mësonte i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, istiharen në çdo gjë për çdo gjë ashtu siç na e mësonte ndonjë sure prej Kur’anit dhe thoshte: “Kur mendon dikush nga ju të bëj diç, le t’i falë dy rekate jo farz, dhe le të thotë: “O Zot, me diturinë  Tënde kërkoj të mirën! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm e unë jam i dobët, Ti di çdo gjë e unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (emërton këtu dëshirën, hallin, etj.) është mirësi për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëj të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko! E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hairin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të!””

Forma e namazit të istihares
Namazi i istihares nuk dallon për nga forma nga çdo namaz tjetër i rëndomtë, që përbëhet prej dy rekateve. Pra falet siç falet suneti i sabahut. Sipas shumë dijetarëve, preferohet të këndohet në rekatin e parë, pas fatihas, sureja “el-Kafirun”, kurse në rekatin e dytë sureja “el-Ihlasë (kulhuwell-llahu ehad).

Kur bëhet duaja?
Ka mendime të dijetarëve se duaja e istihares është më mirë të bëhet para se të jepet selam, që nënkupton gjatë qëndrimit ulur (teshehhud apo në ettehijjatë), pasi të këndohet “ettehijjatu”, pastaj salavatet, më pas bëhet duaja e istihares dhe kur përfundon jep selam.Por mendimi i shumicës së dijetarëve është se duaja bëhet fill pas selamit, dhe mendoj se ky mendim duhet të merret për bazë.

Konsultat pastaj namazi
Para se të falet namazi i istiharës, preferohen konsultime të nevojshme për atë problem me njerëz të dijshëm dhe të ndershëm, e më pas ta falë namazin e istihares. Pas kësaj, vendos për gjënë, të cilën i rehatohet zemra më shumë duke mos pasur anim paraprak për të.

A ka dua të posaçme ky namaz?
Po, ka dua të posaçme, e cila preferohet të bëhet në namazin e istiharës.

Atëherë, si është duaja e istiharës?
Duaja e istiharës është kështu:

اللَّهُمَّ إنِّي أَسْتَخِيرُكَ بِعِلْمِكَ , وَأَسْتَقْدِرُكَ بِقُدْرَتِكَ , وَأَسْأَلُكَ مِنْ فَضْلِكَ الْعَظِيمِ فَإِنَّكَ تَقْدِرُ وَلا أَقْدِرُ , وَتَعْلَمُ وَلا أَعْلَمُ , وَأَنْتَ عَلامُ الْغُيُوبِ , اللَّهُمَّ إنْ كُنْتَ تَعْلَمُ أَنَّ هَذَا الأَمْرَ خَيْرٌ لِي فِي دِينِي وَمَعَاشِي وَعَاقِبَةِ أَمْرِي أَوْ قَالَ : عَاجِلِ أَمْرِي وَآجِلِهِ , فَاقْدُرْهُ لِي وَيَسِّرْهُ لِي ثُمَّ بَارِكْ لِي فِيهِ , اللَّهُمَّ وَإِنْ كُنْتَ تَعْلَمُ أَنَّ هَذَا الأَمْرَ شَرٌّ لِي فِي دِينِي وَمَعَاشِي وَعَاقِبَةِ أَمْرِي أَوْ قَالَ : عَاجِلِ أَمْرِي وَآجِلِهِ , فَاصْرِفْهُ عَنِّي وَاصْرِفْنِي عَنْهُ وَاقْدُرْ لِي الْخَيْرَ حَيْثُ كَانَ ثُمَّ ارْضِنِي بِهِ

“All-llahume inní estehíruke bi ‘ilmike ve estakdiruke bi kudretike ve es`eluke min fadlikel ‘adhim, fe inneke takdiru ve la akdiru, ve ta’lemu ve la a’ëlemu ve ente al-lámul gujúb. All-llahume in kunte ta’ëlemu enne hadhel emre  (e emërton nevojën që ke)  hajrun lí fi diní ve me’áshí ve ‘ákibeti emrí ve ‘áxhilihi ve áxhilihi fakdirhu lí ve jessirhu lí thumme barik lí fihi. Ve in kunte ta’ëlemu enne hadhel emre (e emërton nevojën e tij) sherrun lí fi diní ve me’áshi ve ‘ákibeti emri ve ‘áxhilihi ve áxhilihi, fasrifhu anní vesrifní anhu vakdir lí el-hajre hajthu kane thumme erdiní bihi.”

Kuptimi i saj në gjuhën shqipe”
O Zot, me diturinë  Tënde kërkoj të mirën! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm e unë jam i dobët, Ti di çdo gjë e unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (emërton këtu dëshirën, hallin, etj.) është mirësi për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëj të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko!
E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hairin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të!”

Vërejtje:
Kjo dua është më së miri të bëhet në origjinal arabisht, por nuk prish punë edhe nëse bëhet shqip, kur dihet fakti se kjo po bëhet pasi të dilet nga namazi duke dhënë selam.

Kjo është sa i përket namazit të istiharës.Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku