Pyetja:
Një ditë kam bërë be në Zotin së bashku me gruan e vëllait të burrit që s’do ta pimë më duhanin. Tash prapë kam nisur ta pi. Çka duhet të bëj pasi po e ndiej veten shumë fajtore që nuk po mundem ta lë. Në anën tjetër, kam bërë be dhe kam frikë se do të më dënojë Zoti që jam betuar dhe e kam thyer betimin.
***
Përgjigjja:
Duhanin mundeni ta leni nëse një gjë të tillë e vendosni për hir të Allahut, i Cili ju shpërblen për heqjen dorë nga ky mëkat i shëmtuar. Nëse duhani lihet për hatër të njerëzve është më vështirë t’i përmbaheni vendimit tuaj si dhe njeriu nuk mund t’ju shpërblejë. Vet betimi juaj se nuk do ta pini më duhanin, tregon se e keni bërë për Allahun, por rezultati nuk flet ashtu. Ju ose keni tradhtuar Allahun me atë premtim për vendosmërinë tuaj, ose betimi juaj ka qenë në afekt dhe joserioz. Thyerja e betimit duhet të shlyhet ashtu si ka urdhëruar Allahu i Madhëruar:
“Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i theni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës.” (El Maideh: 89)
Përveç se keni bërë mëkat me kthimin tuaj në diç të ndaluar, ju obligoheni me një nga mënyrat e mëposhtme:
1) Ushqimi i dhjetë të varfërve;
2) Veshja e dhjetë të varfërve;
3) Lirimi i një robi.
Betuesi është i lirë të zgjedhë njërën nga këto tre mënyra. Nëse nuk ka mundësi të bëjë asnjërën prej tyre, atëherë ai është i obliguar të agjërojë tri ditë.
Muhamed Dërmaku