Pyetja:
Si llogaritet sasia minimale e pasurisë në para për të cilën obligohet dhënia e zekatit? A llogaritet sipas nisabit në ar ose argjend?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Monedhat që janë përdorur në kohën e Muhamedit ﷺ, kanë qenë ose nga ari ose nga argjendi, ndërsa përdorimi i metaleve të tjera dhe i letrës si njësi monetare ka ndodhur më vonë. Prandaj në hadithet e Muhamedit ﷺ, nuk përmenden këto lloj monedhash, me fjalë të tjera përcaktimi i nisabit-kuotës (shuma e caktuar e cila, nëse posedohet, e bën të detyrueshëm zekatin) së zekatit në pasuri në citatet sheriatike bëhet me ar dhe argjend.
Por duhet të kemi parasysh se në kohën bashkëkohore, edhe pse monedhat të cilat përdoren janë nga metalet e tjera dhe letra, shuma e këtyre monedhave nuk qëndron në vlerën reale që bartin, por janë të ndërlidhura me arin dhe argjendin, i cili gjendet i depozituar në bankat shtetërore (popullore).
Prandaj të gjithë dijetarët, posaçërisht ata bashkëkohorë, të cilët janë thelluar në shtjellimin e kësaj problematike, theksojnë se dispozitat që kanë të bëjnë me arin dhe argjendin u përgjigjen edhe këtyre monedhave të lindura më vonë. Kështu që përcaktimi i nisabit të një monedhe të caktuar bëhet duke u bazuar te nisabi i arit dhe i argjendit.
Nisabi i arit është njëzet mithkalë. Nëse matet kjo peshë, arrin 85 gramë, por duhet të kemi parasysh se ari i cili është esencë në këtë llogaritje është ari origjinal (që arrin vlerën e njëzet e katër karatëve). Përcaktimi i nisabit në para (monedhë) bëhet duke shikuar çmimin e arit origjinal dhe shikohet se sa para vlejnë 85 gramë ar. Kjo shumë konsiderohet kuota për të cilën është i detyrueshëm zekati. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi