Pyetja:

Kur dëgjojmë mirësinë që ka lëmosha “sadakaja”, ndiejmë dhimbje, shpresojmë dhe themi me vete: “Unë s’kam të ardhura personale, si të jap sadaka?”

Mbi të gjitha këto, gratë janë urdhëruar të japim lëmoshë. Profeti ﷺ ka thënë: ”O ju gra, jepni lëmoshë, shpeshtoni “istigfarin” kërkimin e faljes, sepse në të vërtetë, unë pashë se shumica e juaj është prej banorëve të zjarrit.“

Kjo thënie të duket sikur të shton dëshpërimin dhe frikën në shpirtrat tanë! Cila është zgjidhja?

***

Përgjigjja:

Zgjidhja është e thjeshtë. Mirësia e Allahut është e gjerë; bujaria e Tij nuk ka fund…

Ai nuk e ka kufizuar lëmoshën (sadakanë) vetëm në para! Por, Ai i llogarit të gjitha dyert e mirësisë lëmoshë.

Në lidhje me këtë po të japim disa shembuj, të cilët tregojnë se lëmosha është e shumëllojshme:

Falënderimi, lartësimi dhe njësimi i Allahut janë të gjitha lëmoshë;
Të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja;
Të postosh fjalë të mira, nëpërmjet postës tënde elektronike, sepse fjala e mirë është sadaka;
T’i buzëqeshësh muslimanëve, burrit dhe fëmijëve të tu;
Dy rekate namaz paradite (namazi i duhasë) janë të barasvlefshme sikur të kesh dhënë 360 lëmosha;
Të parandalosh të keqen;
Të japësh lëmoshë me prestigjin tënd, prej atij që të ka sharë apo të ka përgojuar, Allahu ta pranon atë.
Të largosh nga rruga diçka që u bën dëm njerëzve;
T’i përshëndesësh të tjerat me selam;
T’i japësh ushqim asaj që të shërben në shtëpi;
T’i japësh ushqim zogjve, kafshëve dhe njerëzve;
Të nderosh mikun;
Të ofrosh ndihmën shpirtërore dhe materiale;
Të kërkosh diturinë, t’ua mësosh dhe përhapësh atë të tjerëve me çfarëdo lloj rruge (dëgjimi ose leximi ose shkrimi);
T’i japësh një të eturi një gotë ujë;
Një rregull i rëndësishëm: Sinqeriteti dhe llogaritja e shpërblimit.

Të afërmit janë të parët që e meritojnë mirësinë tënde (dy prindërit dhe të afërmit e tu), pastaj ata që janë më afër dhe kështu me radhë.

Gjithmonë sille ndërmend se lëmosha i shuan gabimet!

Imam dr. Ahmed Kalaja