Pyetja:
Si qëndron puna e unazës tek meshkujt?
***
Përgjigjja:
Nga Ibni Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), përcillet se i Dërguari i Allahut ﷺ, pa në dorën e një burri një unazë floriri. Ia hoqi (nga gishti), ia hodhi pastaj tha: “Ndonjëri prej jush merr një prush (gacë) zjarri dhe e vendos atë në dorën e tij!?” [1]
Prandaj nuk i lejohet burrit që të mbajë unazë floriri, e as varëse (zinxhir) floriri, e as të veshë rroba që kanë kopsa (pulla) floriri, e asgjë që është prej floriri. Duhet t’i largohet krejtësisht floririt. Sepse floririn e mban ai që ka nevojë për tu zbukuruar si femra psh, e cila zbukurohet për burrin e saj në mënyrë që ta bëjë për vete.
Thotë Allahu i Lartësuar:
“A atë që rritet me stoli dhe që është e paqartë në diskutim?! (Të tillën ia atribuoni Zotit si fëmijë!?)” (Zukhruf: 18)
Dmth: gratë, ato rriten me stoli dhe edukohen që të zbukurohen (të mbahen të bukura)…
Ndërsa sa i takon argjendit ai s’ka problem. I lejohet burrit të mbajë unazë argjendi, por me kusht që të mos e shoqërojë këtë veprim ndonjë lloj besëtytnie, siç bëjnë disa prej njerëzve të cilët ndjekin zakonet e të krishterëve në çështjen e unazës që e vendosin kur martohen. Tek të krishterët kur burri dëshiron të martohet shkon tek prifti, ai e merr unazën dhe ia vendos me rradhë te gishtat e dorës njëri pas tjetrit, derisa të arrijë te gishti që dëshiron t’ia vendosë. Pastaj thotë: ‘Kjo (unazë) është lidhja mes teje dhe bashkëshortes tënde.’ Nëse burri e vendos unazën me këtë besëtytni, ai është përngjasuar me të krishterët dhe ka besuar një besëtytni të kotë, prandaj nuk i lejohet burrit ta vendosë unazën në këtë lloj forme. Ndërsa nëse vendos një unazë të zakonshme, pa ndonjë lloj besimi, kjo nuk ka problem.
Vendosja e unazës nuk është diçka e pëlqyer (mustehabb), por është nga gjërat që nëse janë të nevojshme bëhen e nëse nuk janë të nevojshme nuk bëhen. Argument për këtë është fakti se i Dërguari i Allahut ﷺ, nuk mbante unazë, por kur i thanë se mbretërit dhe udhëheqësit nuk i pranojnë letrat vetëm se të vulosura, ai vendosi një unazë ku ishte gdhendur: ‘Muhamedi i Dërguari i Allahut ﷺ dhe me të i vuloste letrat.”
Shejh Uthejmini, “Sherh Rijadus salihin”, 2/26”
Përktheu: Udha e Besimtarëve
————————-
[1] Muslimi