Pyetja:

Si rregullohet raporti pas hidhërimit me dikë edhe pse sipas meje ai është shkaktari i prishjes?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.

Mënyra më e mirë është që t’i japësh i pari selam. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet për dy muslimanë ta bojkotojnë njëri-tjetrin për më shumë se tri ditë. E më i miri është ai i cili fillon i pari me selam.” Pra, i pari i cili bën përpjekjet e para për përmirësimin e raportit mes tyre. Ky është më i miri tek Allahu. Edhe pse ti thua se ai tjetri është shkaktari, ndoshta në mendjen e tij ti je shkaktari i prishjes së raporteve. Nëse i afrohesh dhe i kërkon pajtim duke vazhduar siç ka qenë raporti më parë, atëherë ti ke shpërblim më të madh tek Allahu. Kjo është mënyra më e mirë, d.m.th. të jesh i pari që hedh hapin dhe e përulë veten në njëfarë mënyre, për shkak të vëllazërisë, që të pajtoheni mes vete. Gjithashtu, ta lusësh Allahun. Lutja duhet të jetë e para gjë e cila na shkon ndërmend për çdo gjë që duam ta përmirësojmë apo veprojmë. Edhe në këtë rast ta lusësh Allahun që ta përmirësojë raportin mes teje e tij, t’ia zbusë zemrën atij e ty.

Po ashtu, mënyrë tjetër e mirë është dhënia e dhuratave. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shkëmbeni dhurata, do të shtohet dashuria mes jush!” Kështu zemra do t’i zbutet e do t’i shtohet dashuria ndaj teje. Nëse pas gjitha këtyre nuk pranon atëherë nuk ka të keqe t’ia dërgosh dikë i cili ka pozitë tek ai, që ta këshillojë e t’i thotë se ti do që të pajtohesh me të.
Hoxhë Lulzim Perçuku