Pyetja:

A duhet të bëjmë ndonjë lutje të posaçme pas 40 ditëve që vdes dikush i afërt apo është e ndaluar të veçohen ditët? Gjithashtu a mund të më këshilloni se cilat janë lutjet më të mira dhe kur është koha më e mirë që t’i themi ato lutje për personin e afërt, në këtë rast për burrin që ka vdekur?

***

Përgjigjja:

Jo, nuk bën të veçohen ditët dhe nuk ka kurrfarë ceremonie apo diç të ngjashme me rastin e katërdhjetditëve të vdekjes, andaj edhe është mëkat të veçohen pas vdekjes ditë të caktuara me rituale të pa mbështetura në Sheriat si të shtatat, të katërdhjetat, të pesëdhjetedytat etj.

Sa i përket lutjeve për të vdekurin, kjo është gjëja më e mirë dhe më e lehtë që mund t’ia bëjë i gjalli atij dhe ai përfiton. Nuk mund të themi se ka kohë të caktuar apo lutje të caktuara që duhet të bëhen. Lutje mund t’i drejtohen Allahut në çdo kohë dhe pa u kufizuar me abdes, por në përgjithësi duhet të shfrytëzohen kohët kur lutjet pranohen e nuk kthehen mbrapa, siç janë: pas çdo namazi, ditën e xhuma pas ikindisë (sipas mendimit më të saktë), kur je në sexhde, në pjesën e tretë të natës kur zgjohesh për namaz nafile, ndërmjet ezanit dhe ikametit të çdo namazi etj. Po ashtu mund ta lutësh Allahun me lutje të ndryshme që të burojnë nga zemra edhe në gjuhën shqipe. Andaj mundohu që të lutesh për ato gjëra që tanimë ka nevojë ish bashkëshorti i juaj, si: faljen e mëkateve, shpërblimin me xhenet, lehtësimin e sprovave të varrit etj.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku