Përgjigja:

Sjellja ndaj bashkëshortes është një gjë e rëndësishme ngase ka të bëjë me jetësimin e moralit Islam, krijon lidhje të fortë ndërmjet të dy bashkëshortëve, i bën ata që të kenë jetë të lumtur, bën që ata të kenë fëmijë të shumtë, i bën ata që të duhen ndërmjet veti, e kur ata të duhen do të kenë më shumë marrëdhënie intime dhe kështu vije deri tek fëmijët e shumtë; prandaj edhe themi se mirësjellja ka rol shumë të madh në jetën bashkëshortore.

Ti duhet të sillesh me gruan duke e krahasuar vetën me një njeri i cili është martuar me vajzën tënde; si dëshiron që ai të sillej ai me vajzën tuaj? A dëshiron që burri i saj të jetë i ftohtë dhe i egër me të apo jo?

Përgjigja padyshim se do të ishte “jo”. Prandaj mos u sill me vajzën e dikujt ashtu siç nuk dëshiron të sillet dikush me vajzën tuaj. Ky është një rregull që duhet ta jetësoj çdo njeri i mençur.

Transmeton Imam Ahmedi -Allahu e mëshiroftë- në Musnedin e tij se një njeri erdhi tek profeti ﷺ dhe i kërkoi leje që të bëj zina.

Profeti ﷺ i tha:

“A pajtohesh që dikush të bëj zina me motrën apo nënën tënde?” Ai ﷺ gjithnjë i bënte pyetje të tilla, ndërsa ai gjithnjë përgjigjej me: jo. Atëherë Profeti ﷺ i tha: “Urreje atë që e ka urryer Allahu dhe duaje për vëllain tënd atë që e dëshiron për veten tënde.” (264).

Ashtu siç njeriu nuk pajtoht që vajza e tij të jetë e martuar me një burrë që nuk ia jep asaj hakun që meriton, e bën atë robëresh apo përdor forcë ndaj saj, po ashtu ai duhet të sillesh ndaj gruas së tij, jo me arrogancë dhe jo në kundërshtim me porositë Islame.

Edhe gruaja duhet të sillet me burrin e saj edhe më mirë sesa burri sillet me të, ngase Allahu ka thënë në librin e Tij:

“Ndonëse burrat kanë një gradë mbi to.” (El-Bekare, 2:228)

Gjithashtu, Allahu burrin e ka quajtur zotëri në suret Jusuf, ku thotë:

“Te dera, ata hasën zotërinë e saj.” (Jusuf, 12:25)

Gjithashtu profeti ﷺ e ka quajtur gruan peng (në dorën apo besën e mashkullit):

“Keni frikë Allahun në lidhje me gratë tuaja, ngase ato janë në duart tuaja.”

Si do që të jetë nëse burri dëshiron të jetoj jetë të lumtur, të qetë e të rehatshme atëherë le të sillet mirë ndaj gruas së tij. E njëjta gjë vlen edhe për gruan; përndryshe, gjërat dalin nga kontrolli, jeta bëhet e mjerueshme gjë e cila ndikon edhe tek fëmijët. Kur fëmijët shohin probleme ndërmjet babait dhe nënës së tyre, ata do të lëndohen e mërziten. E nëse shohin mirësjellje e dashuri ndërmjet prindërve, padyshim se kjo i bën ata të lumtur e të gëzuar. Prandaj, vëlla i dashur, ruaji sjelljet e mira me kujdes.

Ti nuk duhet të sillesh mirë me partnerin vetëm për arritjen e lumturisë së kësaj bote apo për shfryrje të epshit por këtë duhet ta bësh gjithnjë për t’u afruar tek Allahu,duke vepruar atë që Ai ka obliguar — gjë që shumë herë harrohet. Shumë njerëz në sjelljet e tyre me partnerin dëshirojnë të jenë sa më të mirë por harrojnë ta bëjnë këtë për hir të Allahut, dhe kjo është prej mashtrimeve të shejtanit. O musliman, mos harro se me këtë veprim po e zbaton një urdhër të Allahut:

“Çoni jetë të mirë me to!” (En-Nisa, 4:19)

Nëse ti e ke këtë nijet (për hir të Allahut), ti do të fitosh një gjë tjetër: vazhdueshmërinë në këtë vepër të mirë. Me gjëra të njëjta porositet edhe gruaja. E njëjta gjë vlen për të gjitha veprimet të cilat janë porosi e sheriatit Islam.

Është mirë që njeriu ta duroj gruan e tij edhe nëse tek ajo gjen diçka që ai e urren. Kjo duke u bazuar në fjalët e Allahut:

Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë atëherë duroni sepse është e mundur që të urreni diçka por që Allahu të sjellë nëpërmjet saj mirësi të shumta.” (En-Nisa, 4:19)

 

 

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Sherh el-Mumti ala zad el-Mustakni, Vëllimi: Kapitulli i martesës
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com