Pyetja:
Si të veprojmë me ushqimin e mbetur?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.
Ne duhet të tregojmë kujdes ndaj ushqimit dhe mos ta hudhim atë. Gratë të cilat gatuajnë dhe e përgatitin ushqimin duhet të gatuajnë me sasi të caktuar. Pra, aq sa ju mjafton familjarëve dhe të mos bëhemi shpërdorues. Allahu i Madhëruar thotë: “hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”
(Araf: 31)
Për çdo mirësi e begati duhet qenë falënderues ndaj Allahut dhe pas imanit e shëndetit, edhe për rehatin e ushqimin e mjaftueshëm që e posedojmë.
Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë!” (Ibrahim: 7)
Mos të harrojmë se ka me miliona të varfër të cilët nuk e kanë as edhe një pjatë të mjaftueshme ushqim.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që posedon ushqim për dy persona, le ta marrë edhe të tretin. E, nëse posedon ushqim për katër, le ta marrë edhe të pestin ose të gjashtin.” [1]
Dr. Shefqet Krasniqi
——————————–
[1] Buhariu