Pyetja:
Kam probleme me namazin e sabahut. Më ndodh shpesh që në ëndërr shoh që e kam falur sabahun dhe pastaj kur është koha për t’u falur, kam ndjenjën që e kam mbaruar namazin dhe bie për të fjetur. Kur zgjohem nga gjumi, më kujtohet që nuk e kam falur, por ka qenë vetëm një ëndërr.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, sipas problemit që keni ngritur ju, shihet shumë qartë se ju keni gjumë të rëndë dhe si rezultat i saj ju mendoni se e keni falur namazin, edhe pse në realitet ju nuk jeni falur ose mund të jenë ëndrra nga shejtani i mallkuar, në mënyrë që të të pengojë nga falja e namazit të sabahut me kohë. Ajo që obligohesh ti është të porositësh dikë nga anëtarët e familjes apo shoqërisë që të kujdesen për ty, kurse për ato ditë që të kanë kaluar, e kompenson dhe s’ke ndonjë mëkat, inshaAllah.
Allahu e di më se miri.
Fatmir Raçi