Pyetja:

Jam e martuar qe 8 vite, unë jam e fesë islame por burrin e kam të fesë katolike. Kur jam njoftuar në fillim s’e kam ditur që është katolik. E di se e kam bërë një gabim të madh por për t’u kthyer normal ishte vonë. Tash çka të them, fëmijë nuk kam, s’po e di as unë se bash ku qëndron problemi tek unë apo tek burri, jam kontrolluar vazhdimisht qe sa vite, tash i kam lënë kontrollat dhe jam mbështetur vetëm te i madhi Zot, askund tjetër. Kam pas dëshirë të shkoj diku të shkruaj por nuk po mundem askund të shkoj, ashtu me mend kam shkuar me mijëra herë, por nuk është i vetmi ky problem. Po të isha mirë me burrin, ta kisha jetën martesore ashtu si duhet, nuk isha mërzitur edhe aq shumë për fëmijë se Zoti kur do të më gëzoj e kisha pritur. Burri im ka shumë probleme, bën probleme me shokë, deri tash ka dalë vazhdimisht tërë natën e ditën, e pi alkoolin, ishte në burg disa herë, ka 7 muaj që është në borxh të madh me para, tash s’di se qysh ka me ua kthyer borxhin shokëve të vet. Unë po frikohem shumë se po mbes pa të… Para dy muajve ju kam ndalur, isha te nëna ime 1 muaj e gjysmë, vendosa ta frikësoj pak. Ai vazhdimisht ishte në gjendje të humbjes dhe vendosa të kthehem prapë, kuptohet me lejen e vëllezërve e të nënës sime u pata ndalë edhe u ktheva… Tash duket pak më ndryshe se është përmirësuar pak, vetëm se aq shumë isha lodhur nga problemet e tij sa që vendosa të ndahem nga ai, por në njërën anë më dhimbsej shumë se me të vërtet e dua aq shumë sa që isha në gjendje të vdes e pa të mos të jetoj. Më dhimbset se është një shpirt i huaj që veten e len keq e dikujt mundohet t’i bëjë mirë. Ta them të drejtën mua personalisht s’më ka lënë asnjëherë të heq keq për asgjë, të gjitha m’i ka plotësuar, gjithë çka i duhet një gruaje, por unë frikësohesha se u lidh shumë me një shoqëri të keqe, frikësohesha se tash fillon të merr edhe drogë… Tash s’po di se çka të bëj. Njëherë është duke ardhur në shtëpi herët dhe del e punon, e ka blerë një shitore të veten por prapëseprapë me atë shoqëri që bënte probleme flet në telefon dhe kam frikë se prapë mos po vazhdon. Unë sa herë i kam fol, sa herë i kam treguar që gabim e ka, por deri sa të flas me të më shikon në sy dhe më mbushet mendja se ky nesër është tjetër njeri, por prapëseprapë njësoj vazhdon… Isha e lodhur me shpirt me të se çka të bëj, si ta ndali…

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, jeta e juaj martesore qenka e mbushur me peripeci dhe sprova të natyrave të ndryshme si; mos-lindja deri më tani pas tetë vjet martese, mospërputhja fetare me bashkëshortin, probleme sociale të burrit, mungesa e tij nga ju për shkak të burgut, paqëndrueshmëria e tij në jetën bashkëshortore, involvimi i tij në veprime të dyshimta, shoqërimi i tij me njerëz të dyshimtë, pirja e alkoolit dhe dyshimet për përdorimin e tij të drogës etj., gjëra këto të cilat e bëjnë jetën martesore të paqëndrueshme dhe zakonisht bashkëshortja në raste të tilla kërkon zgjidhje dhe dalje nga këto situata.

Motër e nderuar, në mesin e këtyre problemeve që i ke përmendur ekziston një problem, i cili nuk lejon që të zhvillohet biseda dhe ankesa për të vazhduar apo jo jetën bashkëshortore me atë burrë. Është fjala për përkatësinë fetare të bashkëshortit tuaj, e cila edhe pse nuk ka qenë e njohur për në fillim, ajo e asgjëson martesën kurdo që të dihet. Madje sikur burri të kishte qenë musliman, por në ndërkohë e ka ndërruar fenë dhe ka dalë prej Islamit, obligohet që martesa e muslimanes me të të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdohet asnjë ditë më tepër. Se muslimanes nuk i lejohet të martohet me njeri që i përket ndonjë besimi tjetër pos Islamit, është vendim i Allahut dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë që të veprohet ndryshe. Allahu ka thënë: “Mos i martoni muslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve). Ai ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të mendojnë ata. (Bekare: 221)

Ju fillimisht duhet të kërkoni prej burrit tuaj që ta pranojë Islamin. Nëse përgjigjet pozitivisht, atëherë mund të diskutohen problemet e tjera, që e rrezikojnë jetën martesore dhe të shikohet se a do të heq dorë nga dukuritë dhe veprimet negative apo jo. Nëse ai nuk i përgjigjet thirrjes për ta pranuar Islamin, atëherë për ju është e ndaluar të qëndroni në bashkëshortësi me të qoftë edhe një çast. Rrethanë më e lehtë për ju është edhe fakti se nuk keni fëmijë dhe thjesht ju mbetet vetëm ta orientoni dashurinë tuaj. Përndryshe problemet që ju i keni cekur, do të ishte vështirë t’i thuhej një femre që ta vazhdonte jetën martesore me një burrë që përdor alkoolin, drogën, shoqërohet me njerëz të dyshimtë, mashtron njerëz duke ju marrë hua mjete dhe nuk ju kthen atyre etj., edhe po të ishte musliman me besim.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku