Therja e kurbanit për të vdekurit

118. I nderuar hoxhë! A lejohet therja e kurbanit për të vdekurit?

Përgjigjja: Në parim therja e kurbanit është adhurim që bëhet për ata që janë të gjallë, ashtu siç ka vepruar Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] dhe shokët e tij, të cilët kanë therur kurban për vete dhe për anëtarët e familjes së tyre.

Bindja e disa njerëzve se kurbani është adhurim i dedikuar posaçërisht për të vdekurit është bindje që nuk ka kurrfarë baze dhe është në kundërshtim të plotë me mësimet islame.

Kurbani për të vdekurit mund të ndahet në tri kategori:

E para: Të theret kurban për të gjallët duke i bërë pjesëmarrës në shpërblim edhe të vdekurit. Për shembull, njeriu ther kurban dhe bën nijet që shpërblimin e kurbanit t’ia dedikojë vetes dhe anëtarëve të familjes duke përfshirë edhe të vdekurit. Kjo formë është e lejuar duke u bazuar në faktin se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka therur kurban për vete dhe për anëtarët e familjes së tij dhe ka pasur prej tyre që kanë vdekur më herët.

E dyta: Të theret kurban për të vdekurit në qoftë se ata kanë lënë porosi, testament. Në rastet kur njeriu derisa është gjallë ka lënë testament që pas vdekjes së tij të theret kurbani për të prej pasurisë së tij, atëherë zbatimi i kësaj porosie është vaxhib-i obliguar, nëse ka mundësi. Argument për këtë është fjala e Allahut xh.sh.:

“Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vetes, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejtë. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet të kryhet.” (Bekare: 180)

E treta: Të theret kurban i veçantë për të vdekurit, pa pjesëmarrjen e të gjallëve në shpërblim. Për këtë çështje dijetarët kanë qëndrime të ndryshme.

Tirmidhiu thotë: “Disa dijetarë e konsiderojnë të lejuar kurbanin për të vdekur, ndërsa disa të tjerë thonë se nuk ka kurban për të vdekurit.”

Abdullah bin Mubareku ka thënë: “Për mua është më e dashur të jepet lëmoshë për të vdekurin sesa të theret kurban për të, madje edhe nëse theret kurbani për të vdekurin, të mos hahet prej mishit të tij, por ta shpërndahet si lëmoshë tërësisht.”[1]

Ata që e lejojnë thonë se shpërblimi i arrin të vdekurit dhe ai përfiton, duke bërë krahasim me dhënien e lëmoshës për shpirtin e tij.

Vlen të theksohet se therja e kurbanit me qëllim të dhurimit të shpërblimit të vdekurit nuk është prej Sunetit të Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem], ngase është e ditur se Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] i kanë vdekur njerëzit më të dashur të tij, si xhaxhai i tij Hamza r.a., pastaj djemtë dhe vajzat e tij, gruaja e tij Hatixhja r.a., mirëpo për asnjërin prej tyre nuk është transmetuar se i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka therur kurban[2].

Po ashtu mendojmë se bindja e disa njerëzve se ka kurban që u dedikohet vetëm të vdekurve dhe se pas vdekjes së dikujt duhet patjetër të theret kurban për shpirtin e tij, është bindje e gabuar.

Ka raste kur njerëzit nuk therin kurban për vete e as për familjen e tyre, por therin kurban për të vdekurit. Kjo është e papranueshme dhe jashtë çdo logjike.

Veprim i qëlluar do të ishte që muslimani të therë kurban në ditët e Kurban Bajramit për vete dhe anëtarët e familjes së tij duke i përfshirë në shpërblim të gjallët dhe të vdekurit.

Në këtë formë kryen një obligim për vete dhe u bën dobi edhe të vdekurve të tij duke i bërë pjesëmarrës në shpërblim.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Tirmidhiu, nr. 1495.

[2] Shiko rreth kësaj meseleje më gjerësisht në: Mirkat el-Mefatih, 3/569, Tuhfetu el-Ahvedhij, 5/45-46, Avn el-Ma’bud, 7/383-384.