Pyetja:

A e kanë obligim prindërit të mos bëjnë dallime ndërmjet fëmijëve të tyre?

***

Përgjigja:

Prindërit në raport me fëmijët e tyre duhet të sillen njëlloj dhe nuk bën që të bëjnë dallime në mes tyre në përkujdesje dhe në sjellje.

Barazia në raport me fëmijët mund të ndahet në tre raste:

1. Barazia në mirësjellje.

Është e natyrshme që fëmijët të kenë dallime në mes tyre në sjellje, zgjuarsi, aftësi, dëgjueshmëri, etj.. Po ashtu është e natyrshme që prindërit të kenë simpati dhe dashuri më të madhe ndaj fëmijëve që janë të zellshëm, të sjellshëm dhe të dëgjueshëm, mirëpo prindërit nuk duhet ta shprehin haptazi dhe qartazi dashurinë dhe interesimin ndaj një fëmije duke anashkaluar të tjerët, ngase kjo konsiderohet padrejtësi e qartë për të cilën Pejgamberi ﷺ na ka tërhequr vërejtjen duke thënë: “Kini frikë Allahun dhe trajtoni të gjithë fëmijët tuaj me drejtësi.” [1]

Dashuria dhe simpatia është pjesë e emocioneve që njeriu nuk mund t’i kontrollojë, mirëpo publikisht prindërit duhet të kenë sjellje korrekte ndaj fëmijëve dhe të sillen në formë të njëjtë e të barabartë duke mos shprehur dallime ndërmjet tyre. Selefët e parë aq shumë kanë qenë të drejtë me fëmijët e tyre saqë e kanë theksuar se prindërit obligohen që të jenë të drejtë edhe në puthjet dhe përqafimet që u japin fëmijëve.

Dhënia e përparësisë së një fëmije ndaj tjetrit mund të ketë pasoja negative në formimin e personalitetit te fëmijët, ngase kjo formë e sjelljes së prindërve shpeshherë është shkak që fëmija të cilit i është bërë padrejtësi të revanshohet dhe të bëhet keqbërës ndaj prindërve si dhe të krijojë urrejtje dhe zili ndërmjet vëllezërve.

2. Barazia në furnizim.

Prindërit duhet të jenë të drejtë me fëmijët e tyre në furnizim. Barazia në furnizim realizohet duke plotësuar kërkesat që kanë fëmijët gjatë rritjes së tyre, edukimit dhe arsimimit të tyre si dhe gjatë formimit të personalitetit të tyre. Është e natyrshme që nevojat dhe kërkesat e fëmijëve nuk janë të njëjta, prandaj edhe barazia në furnizim realizohet duke plotësuar nevojat e çdo fëmije veç e veç sipas nevojës që kanë ata në harxhime.

Nëse supozojmë se njëri prej fëmijëve është në moshën madhore dhe ka nevojë për t’u martuar, atëherë drejtësi është që prindi ta martojë atë.

Nëse p.sh., djali ka nevojë të regjistrohet në ndonjë fakultet që kushton 2000 euro viti, kurse vajza ka nevojë të regjistrohet në ndonjë fakultet që kushton 5000 euro viti, atëherë drejtësi është që prindi t’ua  plotësojë kërkesat djalit dhe vajzës sipas nevojës që kanë.

Pra, barazia në furnizim realizohet në bazë të nevojave dhe kërkesave që kanë fëmijët në jetën e tyre të përditshme.

3. Barazia në dhurata.

Prindërit duhet që edhe gjatë dhënies së dhuratave për fëmijët e tyre t’i trajtojnë njëlloj duke mos bërë dallime. Argument për këtë është hadithi që transmeton Nu’man bin Beshiri, i cili ka thënë: “Babai im më dha diçka nga pasuria e tij, ndërsa nëna ime Amrah bint Ravaaha tha: “Unë nuk do të pajtohem me këtë, derisa ti të kërkosh nga i Dërguari i Allahut të dëshmojë për këtë.” Andaj babai im shkoi tek i Dërguari i Allahut për të kërkuar dëshmi prej tij, për dhuratën që më kishte dhënë. I Dërguari i Allahut i tha atij: “A ke vepruar kështu me të gjithë fëmijët e tu?” Ai i tha: “Jo!” Ai i tha: “Kini frikë Allahun dhe trajtoni të gjithë fëmijët tuaj me drejtësi!” Babai im u kthye dhe e mori dhuratën e tij prapë.” [2]

 Sipas një transmetimi tjetër: “Mos kërko nga unë që të dëshmoj për këtë, sepse unë nuk do të dëshmoj për padrejtësi.” [3]

I Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] i tha një njeriu që kishte favorizuar njërin prej fëmijëve të vet ndaj fëmijëve të tjerë duke i dhënë atij dhurata: “A nuk dëshiron që ata të gjithë të të nderojnë njësoj?”

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————

[1] Muslimi, nr. (1623) 13.

[2] Muslimi, nr. (1623) 13.

[3] Muslimi, nr. (1623) 14.