Trashëgimia dhe kujdesi ndaj prindërve

166. I nderuar hoxhë! Nëse babai nuk e ndan pasurinë në mënyrë të barabartë me vëllezërit e tjerë, a kam obligime pastaj ndaj babait dhe vëllezërve?

Përgjigjja: Fillimisht themi se prindërit obligohen të sillen me drejtësi ndaj fëmijëve të tyre duke mos bërë ndarje në mes tyre, ngase mostrajtimi i barabartë i fëmijëve ndikon në devijimin e sjelljeve të tyre si dhe nxit urrejtje e përçarje brenda pjesëtarëve të familjes.

Me privimin e njërit prej fëmijëve nga trashëgimia përveçse i bëhet padrejtësi fëmijës, bëhet edhe shkelje e urdhrit të Zotit xh.sh., i Cili në librin e Tij ka përcaktuar hise për çdo trashëgimtar. Allahu xh.sh. thotë:

“Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra.” (Nisa: 11)

Nga Nu’man bin Beshiri transmetohet të ketë thënë: “Babai im më dha diçka nga pasuria e tij, ndërsa nëna ime Amrah bint Ravaahah tha: “Unë nuk do të pajtohem me këtë, derisa ti të kërkosh nga i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] të dëshmojë për këtë”. Andaj babai im shkoi tek i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] për të kërkuar dëshmi prej tij, për dhuratën që më kishte dhënë. I Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] i tha atij: “A ke vepruar kështu me të gjithë fëmijët e tu?” Ai i tha: “Jo”. Ai [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] atëherë i tha: “Ki frikë Allahun dhe trajtoji të gjithë fëmijët e tu me drejtësi”. Andaj, babai im u kthye dhe e mori dhuratën e tij prapë.”[1]

Sipas një transmetimi tjetër: “Mos kërko nga unë që të dëshmoj për këtë, sepse unë nuk do të dëshmoj për padrejtësi.”[2]

Në anën tjetër, Islami pozitën e prindërve e ka ngritur aq lart saqë obligimin e respektit dhe mirësjelljes ndaj tyre e ka radhitur menjëherë pas adhurimit të Allahut të Lartësuar. I Lartësuari urdhëron dhe thotë:

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” (Isra: 23)

Mosbesimi i tyre apo të qenët e tyre qafirë ose idhujtarë dhe kërkesa e tyre për të të shtyrë në mosbesim nuk është shkak që do të justifikonte sjelljen e keqe ndaj tyre. Pra, nëse prindërit kërkojnë prej teje të bësh mëkate, mos i dëgjo, mirëpo prapëseprapë për çështjet e kësaj bote duhet pasur mirëkuptim ndaj tyre, ngase ata janë prindër. Allahu xh.sh. thotë:

“Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy vitesh ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar.” (Llukman: 14-15)

Islami pozitën e prindërve e ka ngritur aq lart saqë prindërit kanë të drejtë të marrin nga pasuria e fëmijës aq sa u nevojitet për t’i përmbushur nevojat elementare të jetës edhe pa leje të fëmijës. Transmetohet se një njeri është ankuar te Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ndaj babait të tij se po merr prej pasurisë së tij, duke i thënë: “O Dërguari i Allahut! Unë kam pasuri dhe fëmijë, po ashtu edhe babai im ka nevojë për pasurinë time!” Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]  ka thënë: “Ti dhe pasuria jote jeni të babait tënd. Fëmijët tuaj janë fitimi juaj më i mirë, andaj hani nga fitimi i fëmijëve tuaj.”[3]

 Mirësjellja ndaj prindërve nuk bazohet në sjellje reciproke, domethënë nëse ata janë kujdesur mirë ndaj teje, edhe ti duhet të kujdesesh për ata, e nëse ata janë sjellë keq me ty, edhe ti të sillesh keq me ata.

Kurrsesi kjo nuk qëndron.

Ne jemi të urdhëruar që të sillemi mirë ndaj prindërve në të gjitha rastet, pa marrë parasysh çfarë sjelljeje kanë pasur ndaj nesh, të mira apo të këqija, madje sado që të mundohet njeriu t’u bëjë mirë prindërve, nuk arrin dot t’u dalë hakut.

Në një rast tjetër Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ”Nuk ka mundësi biri t’ia kthejë hakun prindit të vet asnjëherë, përveç nëse e gjen të robëruar, e blen atë dhe e liron.”[4]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (1623) 13.

[2] Muslimi, nr. (1623) 14.

[3] Ebu Davudi, nr. 3530. Albani ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.

[4] Muslimi, nr. (1510) 25.