Pyetja:
Selam alejkum hoxhë, desha të bëj një pyetje që lidhet me pastrimin dhe kohën e namazit.
Nëse një grua ndodhet mysafire, ose tek halla e saj, dhe në kohën e namazit të akshamit i vjen pastrimi (dmth. sapo shkon atje i vjen), por aty nuk ka mundësi të bëjë gusël, si duhet të veprojë me namazin që hyn në ato momente?
Për shembull, në muajin e Ramazanit, kur je e ftuar në iftar dhe pastrimi nga hajzi vjen në atë moment si veprohet me namazin e akshamit?
Përgjigjja:
Alejkum selam ue rahmetullah!
Sa i përket pyetjes:
Motra muslimane duhet të ketë frikë Allahun lidhur me faljen e namazit dhe të marrë të gjitha masat për ta falur atë në kohë.
Zakonisht femrat e dinë me përafërsi se kur është koha e pastrimit, prandaj le t’i llogarisë daljet në varësi të gjendjes së saj.
Nëse ka turp t’u thotë të tjerëve se duhet të lahet për arsye fetare, atëherë është më mirë të mos i përgjigjet ftesës për iftar sidomos kur ajo nuk agjëron.
Nëse nuk është në shtëpinë e saj, ajo nuk mund të justifikohet për të lënë namazin e akshamit. Në këtë rast, nuk i lejohet as të marrë tejemum.
Turpi në Islam është i lavdëruar, por në këtë rast nuk sjell dobi, sepse bëhet shkak për mosfaljen e namazit, i cili është shtyllë e fesë.
Allahu e di më së miri!
/Hoxhë Kastriot Bardhi/



