Pyetje: Thirrja në fenë e Allahut a është obligim për secilin musliman dhe muslimane, apo thirrja kufizohet vetëm për të diturit dhe për ata që janë në kërkim të diturisë? A i lejohet njeriut të rëndomtë që të thërrasë për tek Allahu?

Përgjigjja: Nëse njeriu ka dituri adekuate për atë në të cilën thërret, atëherë nuk ka dallim a është ai dijetar i madh të cilin e tregojnë me gisht, apo është kërkues i diturisë i cili përpiqet që ta arrijë atë si duhet, apo madje një njeri i rëndomtë i cili e di çështjen në fjalë me dituri dhe bindje të plotë. Pejgamberi sal- allahu alejhi ue selem ka thënë: “Transmetoni prej meje, qoftë edhe një ajet.”  (Transmetojnë Buhariu)

Pra, nuk është kusht që thirrësi në fenë e Allahut të arrijë dituri të madhe, por kusht është që më së paku ta dijë mirë atë në të cilën ai thërret. Nuk lejohet thirrja pa dituri apo që thirrja të bazohet kryesisht në ndjenja.

Shpesh takojmë vëllezër që thërrasin në fenë e Allahut, ndërsa nuk kanë dituri të mjaftueshme dhe për shkak të emo cioneve të fuqishme që sundojnë tek ta, ata e ndalojnë atë që Allahu nuk e ka ndaluar dhe i obligojnë robërit e Allahut me ate që Ai nuk i ka obliguar. Kjo është shumë e rrezikshme, për shkak se ndalimi i asaj të cilën Allahu e ka lejuar është njëlloj sikurse lejimi i asaj të cilën Allahu e ka ndaluar. Allahu xh.sh. thotë: “Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret një dënim i dhembshëm (në jetën tjetër).” (En-Nahl, 116-117)

Njeriu i rëndomtë nuk duhet të thërrasë pa dituri, por, së pari, ai duhet patjetër që të mësojë diçka, sepse Allahu i Lartë- suar thotë: “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë” (Jusuf, 108) që do të thotë se që të thërrasë për tek Allahu me argumente të qarta, ai duhet ta ketë shumë të qartë gjënë në të cilën thërret, pra ai duhet ta dijë se a konsiderohet diçka si vepër e keqe me qëllim që të largojë prej saj, apo a konsiderohet diçka si vepër e mirë me qëllim që të thërrasë për tek ajo.

Pra, është e domosdoshme që thirrjes islame t’i paraprijë dituria, sepse ai që thërret pa dituri do të shkaktojë dëm e jo dobi dhe kjo është krejtësisht e qartë për të gjithë. Njeriu e ka për obligim që, së pari, të arrijë dituri e më pas t’i thërrasë të tjerët.

/Shejh Uthejmini/