Pyetja:
Cilat janë disa prej melaikeve dhe detyrat e tyre?
***
Përgjigjja:
Besojmë në melaiket e Allahut dhe ato janë ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:
“E ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka fëmijë!” Larg saj qoftë madhëria e Tij! Ja, ata janë robër të ndershëm, që nuk flasin para Tij. Ata veprojnë me urdhrin e Tij.” (Enbija: 26-27)
Allahu i Lartësuar i ka krijuar melaiket nga drita. Ato i bëjnë ibadet dhe janë të bindur ashtu siç thotë i Lartësuari:
“Ata nuk shprehin mendjemadhësi në adhurimin ndaj Tij e as nuk u bëhet (ibadeti) monoton. Ata lartësojnë (Allahun) natë e ditë dhe nuk mërziten.” (Enbija: 19-20)
Dhe besojmë se çdo melek punon në atë që është i urdhëruar.
Xhibrili është i ngarkuar ta transmetojë shpalljen nga Allahu tek ata të cilët Allahu dëshiron nga Pejgamberët.
Mikaili është i ngarkuar për shiun dhe për bimët.
Israfili është i ngarkuar që të fryjë (Surit sh.p.) në Ditën e Gjykimit dhe në kohën e ringjalljes.
Meleku i vdekjes është i ngarkuar për marrjen e shpirtrave në kohën e vdekjes.
Meleku i kodrave është i ngarkuar për kodrat.
Maliku ështe roja e Xhehenemit.
Ka prej melekëve që janë të ngarkuar për embrionin njerëzor në mitër. Disa të tjerë i ruajnë njerëzit. Disa i shkruajnë veprat e tyre. Çdo individ i ka dy melekë. Thotë Allahu i Lartësuar:
“Dhe kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Dhe ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf: 17-18)
Disa melekë janë të ngarkuar ta pyesin njeriun. Pasi të varroset, do t’i vinë dy melekë dhe do ta pyesin: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt? Për këtë Allahu i Lartësuar thotë:
“Allahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët Allahu i bën të humbur. Allahu punon çka të dojë.” (Ibrahim: 27)
Disa melekë janë të ngarkuar për banorët e Xhennetit. Thotë Allahu i Lartësuar:
“Do t’i vizitojnë engjëjt, duke hyrë në secilën derë. (U thonë) Selamun alejkum. Me durimin tuaj, gjetët shpëtimin. Sa përfundim i lavdishëm është ky vend.”
(Rad: 23-24)
Shejh Ibn Uthejmini, “Besimi i grupit të shpëtuar”