Pyetja:
Cila është edukata e agjërimit?
***
Përgjigjja:
Njëra nga edukatat kryesore të agjërimit është devotshmëria ndaj Allahut të Madhëruar pra, duke kryer urdhërat e Tij, si dhe duke u larguar nga haramet (ndalesat).
Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që qenë para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm”. (Bekare: 183)
Njashtu, prej edukatës se agjërimit është edhe shtimi i sadakasë, mirësisë dhe bamirësive të ndryshme, sidomos në muajin e bekuar të Ramazanit. Pejgamberi ﷺ ishte njeriu më bujar, e bujarinë e shtonte më shumë në muajin e bekuar të Ramazanit. Gjithashtu, prej edukatës së agjërimit është që muslimani duhet të largohet nga haramet e ndryshme, si gënjeshtra, sharja, ofendimi, mashtrimi, shikimi në haram si dhe gjërat e tjera të ndaluara.
Poashtu është e pëlqyeshme ngrënia e syfyrit, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë:
Transmetohet nga Enes Ibën Malik ka thënë: se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Hani syfyr, sepse me të vërtetë në të (syfyr) ka bereqet”. [1]
Gjithashtu, prej edukatës së agjërimit është edhe të çelurit (bërja) e iftarit me hurma; e, nëse nuk ke hurma, atëherë me ujë.
Dhe në fund: Muslimani duhet të shpejtojë iftarin, sidomos kur të sigurohet se dielli ka përenduar, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të jenë njerëzit në mirësi derisa të shpejtojnë ngrënjen e iftarit.” [2]
Shejh Ibn Uthejmin
Përktheu: Suad Shabani
——————————–
[1] Buhariu dhe Muslimi (Mutefekun alejhi)
[2] Buhariu dhe Muslimi (Mutefekun alejhi)