Pyetja:

Jam një motër muslimane 22 vjeçare dhe jam në përfundim të studimeve. I fali pesë kohët e namazit dhe mundohem sa më shumë të respektoj rregullat e fesë mirëpo më brengos fakti që ende nuk kam gjetur fatin e jetës edhe pse ka kohë të gjatë që bëj dua që Allahu të më bashkojë me një djalë të devotshëm mysliman, mirëpo nuk ka asnjë shenjë.

***

Përgjigjja:

Motër muslimane nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Dikur tek ne njerëzit martoheshin herët pastaj erdhi regjimi komunist dhe kjo traditë filloi të ndryshonte për vetë kushtet e vështira që u krijuan dhe njerëzit martoheshin më të medhënj, sot në një pjesë të madhe të njerëzve ka një rikthim të asaj tradite të hershme të martesës në moshë të vogël dhe kjo për kohën që jetojmë ka efekte pozitive, por ndonjëherë ndodh edhe e kundërta, pasi sot te rinjtë për arsye të shumta janë shumë më pak të pjekur për martesë sesa prindërit dhe gjyshërit e tyre dikur.

Kështu, nuk ke pse shqetësohesh për martesën, ajo do të vijë kur të jetë bërë caktimi i Zotit, aq më tepër pa mendo që ka mjaft vajza shqiptare muslimane që i kanë kaluar të tridhjetat dhe akoma nuk janë martuar, kështu që nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Ka mundësi që shoqet ose njerëz të cilët i ke pranë të jenë fejuar dhe martuar dhe ky është nje element i fuqishëm që ndjell tek njerëzit e tjerë që nuk janë të martuar ndjenjën e padurimit, sidomos tek femrat që janë shumë më emocionale se meshkujt dhe që preken shpejt nga ndjenja e frikës se po nuk u martuan herët do të ngelen pa martuar! Largoji këto vesevese nga vetja, se vetëm shqetësim dhe stres sjellin, Zoti do t’i përgjigjet duasë në atë kohë që Ai e di se është më e mira dhe jo gjithmonë kur njeriu do një gjë të caktuar në një kohë të caktuar, kjo është më e mira për të, Allahu e di më të mirën e njeriut dhe vete njeriu nuk e di se ku është më e mira e tij. Pastaj duhet të dish se Profeti ﷺ në një hadith të tij thotë: “Duasë së ndonjërit prej jush i vjen përgjigja përderisa ai nuk nxitohet.” Thotë: “U luta dhe nuk më erdhi përgjigja.”

Kështu që asnjëherë nuk duhen humbur shpresat nga Allahu, mërzitja dhe humbja e shpresës vjen nga shejtani ndaj nuk ke pse të mbetesh e zhgënjyer, virtyti më i veçantë që e karakterizon besimtarin është pikërisht durimi. Durimtarët e marrin shpërblimin pa masë.

Hoxhë Justinian Topulli