Pyetja:
Rukja, a konsiderohet mohim i “tevek-kulit” (mbështetja në Allahun) ?
***
Përgjigjja:
Tevek-kuli është mbështetja e sinqertë në Allahun, për arritjen e të mirave dhe largimin e të këqijave, duke vepruar shkaqet, të cilat i ka urdhëruar Allahu. Nuk quhet tevek-kul të mbështetesh në Allahun e Madhëruar, duke mos i vepruar shkaqet. Mbështetja në Allahun, subhanehu ue teala, duke mos i vepruar shkaqet konsiderohet fyerje e Allahut dhe Urtësisë së Tij, qoftë i Lartësuar Ai nga këto.
Allahu i Lartësuar i ka lidhur rezultatet me shkaqe, të cilat duhet të veprohen. Kush prej njerëzve ka qenë me tevek-kul më të fortë? Ai është i dërguari i Allahut, Muhammedi, ﷺ, ai i vepronte shkaqet e mbrojtjes nga të këqijat. Po, ai kur u niste për në luftë vishte mburojën për t’u mbrojtur prej shigjetave, bile në luftën e Uhudit ka veshur dy mburoja dhe të gjitha këto i ka bërë si përgatitje për atë që mund t’i ndodhte.
Veprimi i shkaqeve nuk konsiderohet mohim i tevek-kulit me kusht që njeriu të besojë se ato janë thjesht vetëm shkaqe dhe nuk kanë ndikim përveç me lejen e Allahut.
Pra, rukja, leximi i njeriut për Veten apo vëllezërit e tij të sëmurë, nuk konsiderohet mohim i tevek-kulit. Sepse dihet mirëfilli se Pejgamberi ﷺ, i lexonte vetvetes dhe shokëve të tij kur sëmureshin. Allahu e di më së miri.
Shejh Ibn Uthejmin
Përktheu: Agim Bekiri