Pyetja:
A ka argumente për legjitimimin e duasë menjëherë pas namazit farz?
***
Përgjigjja:
Falenderimet i takojnë Allahut!
Nuk është transmetuar nga Profeti ﷺ, e as nga shokët e tij, ndonjë argument që tregon se ata i ngrinin duart duke bërë dua pas namazit farz. Nga kjo kuptojmë se një veprim i tillë konsiderohet risi. E themi bazuar në fjalën e Profetit ﷺ që thotë: “Kush punon një punë që nuk përputhet me fenë tonë, ajo do t’i refuzohet.” [1]
Gjithashtu fjala e Profetit ﷺ që thotë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk i përket asaj, atëherë ajo punë nuk pranohet (nga Allahu).” [2]
Ndërsa lutja që bëhet pa i ngritur duart dhe jo në xhemat, nuk ka ndonjë problem, sepse është saktësuar nga Profeti ﷺ çfarë pohon se ai lutej para selamit dhe pas tij. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për lutjen që praktikohet pas faljes së nafileve (namazeve vullnetare) sepse ska ndonjë argument që e ndalon, edhe nëse shoqërohet me ngritje të duarve, sepse ngritja e duarve konsiderohet prej shkaqeve që e bëjnë duanë (lutjen) më të pranueshme. Kjo nuk duhet të praktikohet vazhdimisht por nganjëherë sepse nuk përcilet nga Profeti ﷺ se lutej me duar të ngritura pas faljes së nafileve. E gjithë mirësia ndodhet në ndjekjen e Profetit ﷺ dhe të ecësh në rrugën e tij, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Tek i dërguari i Allahut keni shembullin më të mirë”.
Shejh Ibn Baz, “Mexhmu el Fetaua uel Mekalat” 11/168
Përktheu: Fatjon Isufi
——————————
[1] Muslimi 3243
[2] Muttefekun alejhi