Pyetja:
Si të mos humbas kohë në gjëra të padobishme?
***
Përgjigjja:
Këshilla ime është që fillimisht duhet të kuptosh se ti përbëhesh nga koha. Nëse vjen dikush dhe të thotë: ‘Më jep gishtin tënd ta blej me kaq para.’ A do të pranoje? Pra ti përbehesh nga koha, kur ikën një pjesë e saj, vdes një pjesë e jotja. Si kalendari prej të cilit çdo ditë heq një fletë, derisa vjen një kohë dhe mbarojnë fletët e tij. Ky është shembulli ynë me ditët tona, për këtë arsye Omer bin Abdul Aziz thoshte: “O biri i Ademit! Nata dhe dita punojnë me ty, prandaj edhe ti puno në to (natë e ditë).”
Ndërsa Hasan el Basri thoshte: “Kam hasur në disa njerëz që ishin më të kujdesshëm për kohën, se ju që tregoni kujdes ndaj dinarëve dhe dirhemëve.”
Betohem në Allahun! Koha është më e vlefshme se pasuria. Eshtë e ditur se nëse dikush e harxhon pasurinë pa nevojë, i bllokohet ajo (nga ana e shtetit islam) edhe pse pasuria nëse humbet përsëri mund të kthehet. Por koha nëse ikën kurrë nuk mund të kthehet dhe kjo konsiderohet marrëzi më e madhe se rasti kur humb pasurinë. Këshilla ime për ju është ti kushtoni rëndësi kohës tuaj qoftë edhe duke bërë vetëm dhikër (përmendje të Zotit) siç i ka thënë Profeti ﷺ Abdullah bin Jusrit: “Le të qëndrojë gjuha jote e lagur nga përmendja e Allahut.”
Prandaj vazhdimisht thuaj: Elhamdulilah, Subhanallah, sepse koha është më e rëndësishme se pasuria dhe fëmija. Koha është jeta, mjerë për atë që humbet jetën e tij.
Shejh Mesh’hur Hasen Al Selman
Përktheu: Fatjon Isufi