Pyetja:
Lexova në një libërth një hadith në të cilin thuhej: “Merr nga Kurani ç’të duash për çfarë të duash“. A është i saktë ky hadith? Na jepni përfitim në këtë çështje.
***
Përgjigjja:
Ky hadith: “Merr nga Kurani ç’të duash për çfarë të duash” është i përhapur nëpër gojët e disa njerëzve por, me keqardhjen e thellë, ky është nga hadithet (e shpikura) të cilat nuk kanë bazë aspak në Sunet, prandaj nuk lejohet transmetimi i tij dhe konsiderimi i tij si hadith nga Profeti ﷺ.
Plus kësaj, ky kuptim i gjerë dhe përfshirës i këtij hadithi: “Merr nga Kurani ç’të duash për çfarë të duash” nuk është i saktë dhe nuk ka bazë në sheriatin islam. Psh: nëse unë ulem dhe qëndroj në shtëpinë time dhe nuk dal për të punuar në atë zanat apo punë që di të bëj dhe kërkoj nga Zoti im që të më zbresë furnizim nga qielli sepse po marr nga Kurani diçka për këtë qëllim! Kush mund ta thojë diçka të tillë?!! Kjo është fjalë e kotë dhe ndoshta një nga shpikjet e sufive dembelë, të cilëve u është bërë natyrë qëndrimi dhe moslëvizja në ato çfarë ata i quajnë “fortifikata“, qëndrojnë aty duke pritur tu vijë furnizimi i Allahut nëpërmjet njerëzve të cilët i vizitojnë.
Duhet ditur se kjo nuk është në natyrën e muslimanit sepse Profeti ﷺ i edukoi muslimanët që të jenë me vullnet të fortë dhe krenari në vetvete, duke thënë ﷺ: “Dora e sipërme është më e mirë se dora e poshtme, dora e sipërme është ajo që jep kurse dora e poshtme ajo që lyp.“
Me këtë rast do ishte me vend të them një histori që e kam lexuar rreth disa sufive dhe “zahidave” -nuk do e zgjas shumë se historitë e tyre janë të shumta dhe të çuditshme-: Thuhet se njëri prej tyre u nis udhëtar pa marrë me vete furnizim për udhëtim, erdhi puna saqë desh vdiq nga uria. Pa nga larg një fshat, u afrua atje dhe qëlloi të ishte ditë e xhuma. Sipas pretendimit të tij ky kishte dalur duke iu mbështetur Allahut, ndaj për të mos prishur mbështetjen e tij (të rreme) u fsheh që të mos e shihnin ata që ishin në xhami, u fut poshtë minberit që të mos zbulohej nga askush por në të njëjtën kohë kishte dëshirë që dikush ta zbulonte. Mbaroi hatibi hutben dhe ky person nuk u fal me xhematin!!
Pasiqë e mbaroi imami hutben dhe namazin, filluan njerëzit të dalin nga dyert e xhamisë, saqë kur e ndjeu ky person se xhamia po boshatiset dhe atëherë do mbylleshin dyert dhe do mbeste i vetëm në xhami pa ushqim e pije, nuk kishte ç’të bënte tjetër veçse të kollitej që ta kuptonin të pranishmit se është dikush. Ca njerëz e kuptuan që është dikush dhe e gjetën personin i cili ishte shndërruar në një grumbull kockash nga uria dhe etja, e morën dhe e shpëtuan. Pastaj e pyetën: Kush je? Tha: Unë jam zahid që i jam mbështetur Allahut. Thanë: Si guxon të thuash që i je mbështetur Allahut në një kohë që për pak sa s’po vdisje nga uria?! Sikur të ishe vërtetë i mbështetur nuk do lypje dhe nuk do tërhiqje vëmendjen e njerëzve duke u kollitur, por do vdisje në gjynahun tënd.
Ky pra është një shembull që tregon se ku të çon ky lloj hadithi: “Merr nga Kur’ani ç’të duash për çfarë të duash“. Shkurtimisht: Ky hadith është i pabazë.
Shejh Muhamed Nasirudin Albani, Shkëputur nga libri: “Si duhet ta komentojmë Kuranin“
Përktheu Shuajb Rexha