Pyetja:

Kam rënë në dashuri të thellë me një vajzë te re, edhe unë jam i ri. Nuk është puna që kam rënë në dashuri për herë të parë, por kam  pasur edhe me herët disa vajza. Nuk di si t’ia bëj me atë vajzë, nuk mundem ta lë dot.  Ndodh që kur nuk e shoh disa ditë të mos më shkojnë punët mirë me familje, pra problem i madh më është bërë. Për vajzën për të cilën e kam fjalën edhe ajo është në këtë pozitë dhe po mundohemi t`ju tregojmë secili familjes, por kemi frikë se mos po ndodh ndonjë problem më i madh. Kisha pritur prej jush një këshillë prej së cilës do të shpëtoja. Thjesht, të shpëtoj nga kjo gjë apo të vazhdojë?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Meqenëse për dashurinë dhe lidhjeve ndërmjet djemve dhe vajzave kemi folur shpesh, me këtë rast do t’i themi edhe disa gjëra që shpresojmë se do t`ua qartësoj vëllezërve dhe motrave se shërimi i të gjitha problemeve në jetë, e edhe për dashurinë, duhet të kërkohet te ligjet e Allahut të Lartësuar, pasi siç kemi theksuar, disa herë, ato janë për të mirën e njeriut. I vetmi shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër është t`i pasojmë ato.

Dashuria është një ndjenjë e lartë, një instinkt që Allahu e ka krijuar në natyrën e njeriut. Besimtari e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e do vëllanë e vet musliman, nëna e do fëmijën e saj edhe fëmija e do nënën e tij. Gjithashtu është e mundur që një djalë ta dashurojë një vajzë apo vajza ta dashurojë një mashkull, t`i pëlqej asaj dhe t`i anoj zemra nga ai, ashtu siç ndodhi me vajzën e të dërguarit Shuajb ndaj të dërguarit Musa.Allahu i Lartësuar thotë:

Njëra prej atyre dyjave (bijave) tha: ‘O babai im, punësoje atë (Musain)! Vërtet që (nga) njerëzit më të mirë për ty për t`i punësuar është i forti, i besueshmi!” (Kasas, 26)

Shuajbi e kupton propozimin e vajzës dhe i thotë Musait : “Ai (Shujabi) tha: ‘Unë dëshiroj të martojë ty me njërën prej këtyre dy vajzave të mia…’” (Kasas, 27)

Transmetohet nga Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se një njeri vjen te Pejgamberi ﷺ dhe i thotë: “O i dërguar i Allahut, unë e kam në përkujdesje një jetime (bonjake), të cilën e kërkon për grua një njeri që është i pasur dhe një tjetër që është i varfër. Ne kemi dëshirë ta martojmë me të pasurin, kurse ajo e do të varfrin. Pejgamberi ﷺ thotë: “Nuk ka zgjidhje më të mirë për dy të dashuruar se martesa.” [1]

Sido që të jetë, për të mos u zgjeruar shumë, themi se Islami nuk e ndalon dashurinë si ndjenjë, ashtu siç u përmendën shembujt lartë, si një femër ta dojë, pëlqejë një djalë, apo anasjelltas.

Atë që e ndalon Islami është që ato ndjenja të dashurisë të vihen në praktik, aplikim dhe sjellje te njeriu, pa ndonjë kriter të qartë se si do të përfundojë raporti i atyre dyve në të ardhmen.

Gjithashtu, Islami e ndalon edhe dashurinë si ndjenjë e shfryrjes seksuale, pasi kjo nuk është dashuri apo është epsh jetëshkurtër, e cila përfundon shumë shpejt, duke lënë pas vetes rezultate dhe fatkeqësi të shumta.

Duke i pasur parasysh këto gjëra, të këshillojmë ty, vëlla i dashur, që t’i menjëherë t’i ndërpresësh marrëdhëniet me atë vajzën, derisa ta qartësosh se si do të jetë ardhmëria e juaj e përbashkët, kështu që të vuani qoftë ju të dy apo njëri nga ju deri në fund të jetës.

Por, ajo që neve na mundon më shumë, në këtë rast, është çështja se kjo formë e marrëdhënieve tuaja me vajza të huaja nuk qenka e para, por tani keni ndjenja specifike të cilat nuk i kishit me të tjerat.

Nga letra e juaj nuk kuptuam moshën tuaj dhe të vajzës, por siç duket ju ende jeni të rinj dhe këto ndjenja janë shumë normale për një të ri që futet në kontakte të tilla me vajza, pasi që, siç duket, në rastin e fundit juve paskeni shkuar më larg se sa në rastet e mëhershme, prandaj edhe ky ndryshim i natyrës së ndjenjave është më i fortë.

Gjithashtu, është normale për një të ri, si ju, që për çdo mossukses, ngecje, problem por edhe dështim në jetë, të hulumtoni dhe ta gjeni fajtorin e mundshëm. E pasi ju mendoni shumë për këto ndjenja, është normale edhe të akuzohen si fajtor në mossuksesin tuaj.

Prandaj ju këshillojmë që sa më shpejt ta ndërprisni këtë kontakt dhe të filloni të punoni në format e njohura dhe të lejuara se si të bashkoheni me atë vajzë. Bisedoni me familjen dhe sqarohuni, gjithashtu edhe vajza le të bisedojë me të familjes. Në këtë nuk ka asnjë të keqe dhe është shumë normale, por e keqja është në vazhdimin në këtë formë të takimit tuaj me vajzën.

Në fund, lus Allahun e Lartësuar që t`ju mbrojë nga të këqijat e vetvetes tuaj dhe të shejtanit, t’ju udhëzojë në punë të mira në këtë botë dhe botën tjetër!

Alaudin Abazi

—————————-

[1] Ibën Maxhe, Hakimi, Bejhakiu, Taberaniu, Hakimi