Shejh AbduRrahman es-Si’dij thotë: “Këta burra, edhepse bëjnë tregti, blejnë dhe shesin, kjo gjë nuk ka diç të ndaluar, mirëpo kjo nuk i bën ata që tu japin këtyre gjërave përparësi ndaj përmendjes së Allahut, namazit dhe dhënies së zekatit, bile e kanë bërë bindjen dhe adhurimin ndaj Allahut qëllim final dhe qëllim më të madh të tyre, andaj çdo gjë e cila bëhet pengesë mes tyre dhe qëllimit të tyre e refuzojnë.
Për shkak faktit se lënia e dynjasë është e rëndë për shumicën e njerëzve dhe përfitimet nga tregtitë e ndryshme janë të dashura për ata dhe u vjen rëndë t’i lënë të njëjtat në përgjithësi, duke i dhënë përparësi obligimit të Allahut ndaj këtyre gjërave, Allahu ka përmendur diçka e cila i nxit njerëzit ta bëjnë këtë, duke thënë: “…dhe të cilët druajnë nga Dita, në të cilën zemrat dhe shikimet janë të shqetësuara”, kanë frikë nga kjo ditë për shkak të vështirësive në të, kanë frikë ngase zemrat dhe trupat shqetësohen në këtë ditë, andaj kjo ua lehtëson punën (dhënien përparësi obligimeve ndaj Allahut) dhe lënien e asaj e cila të largon nga Ai.” [2]
Obligueshmëria e namazit në kohën e vet
Sa i përket obligueshmërisë së namazit në kohën e vetë, thotë Allahu: “Me të vërtetë namazi, është detyrë e obligueshme për besimtarët në kohë të caktuar.” (Nisa: 103)
Shejh AbduRrahman es-Si’dij thotë: “D.m.th. është detyrë në kohën e vetë të caktuar dhe se ky adhurim ka kohë të kufizuar dhe në qoftë se e bën jashta kësaj kohe adhurimi nuk është valid. Kjo kohë (e namazit), janë kohërat të cilat i njeh çdo musliman, i vogli dhe i madhi, i dituri dhe injoranti dhe këtë e kanë marrur nga i Dërguari i Allahut ﷺ kur ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur”, ndërsa fjala e Allahut: “…për besimtarët…”, tregon se namazi është kriter për imanin, sipas Imanit të njeriut është dhe namazi i tij, sipas imanit plotësohet dhe përkryhet.” [3]
Allahu, duke ju kërcënuar atyre që e vonojnë namazin derisa t’ju kalojë koha, pa arsye të pranueshme fetarisht thotë: “Por, pas atyre mbetën pasardhës, të cilët e humbën namazin dhe u dhanë pas epsheve, e më vonë do të hidhen në Gajja. Përveç atyre që janë penduar dhe kanë besuar edhe kanë bërë vepra të mira. Atyre nuk do t’u bëhet kurrfarë e padrejtë dhe ata do të hyjnë në xhennet.” (Merjem: 59, 60)
El-Gajj (Gajja): është humbje ose rafshinë në Xhehenem.
Allahu i Madhëruar thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre.” (Mau’un: 4, 5)
Ibn Kethiri thotë për komentimin e këtij ajeti: Transmetohet nga ibn Mesu’di se i kishte thënë dikush se Allahu e ka shpeshtuar përmendjen e namazit në Kuran: “…të cilët kur falen janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre”, “…të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre”, “…dhe të cilët ndaj namazit të tyre janë të kujdesshëm”, atëherë tha Ibn Mesu’di: Në kohën e saj [4]. I thanë: Ne kemi menduar se është fjala për lënien e namazit. Ai tha: Ajo është kufër (dalje nga feja)…
Transmeton el-Euzai nga Ibrahim ibn Jezid se Umer ibn AbdulAziz e lexoi ajetin: “Por, pas atyre mbetën pasardhës, të cilët e humbën namazin dhe u dhanë pas epsheve, e më vonë do të hidhen në Gajja”, pastaj tha: “Humbja e tyre e namazit nuk ishte lënia e namazit, mirëpo e kanë humbur (vonuar) kohën.” [4]
Andaj nuk lejohet vonimi i namazit derisa t’i del koha për shkak të punës dhe në qoftëse nuk ke mundësi ta falësh namazin në kohën e vete për shkak të punës, atëherë të obligohet lënia e punës dhe të kërkosh punë tjetër, e cila nuk do të jetë shkak që ta humbësh namazin. Nuk i takon një muslimani të mençur ta rrezikoj veten e tij përpara kërcnimeve të Zotit të tij, e as që ta shet fenë e tij për gjëra të kalueshme të kësaj dynjaje.
Allahu e di më së miri.
Përktheu: Ali Ashani
—————————
[1] Tefsir es-Si’dij
[2] Tefsir es-Si’dij
[3] D.m.th. e falin namazin në kohën e saj të përcaktuar nga Allahu, ndërsa të pakujdeshmit janë ata të cilët e lënë derisa t’i del koha. Sh.p.
[4] Tefsir el-Kur’an el-A’dhim (3/128,129)