Pyetja:
Cila është dispozita e bërjes së tatuazhit?
***
Përgjigjja:
Tatuazhi është veprim i ndaluar për besimtarët muslimanë dhe konsiderohet si një nga mëkatet e mëdha, pavarësisht se a lejon kalimin e ujit apo jo. Kjo vërtetohet përmes hadithit të Pejgamberit ﷺ, të cilin e transmeton Ibni Omeri r.a., i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka mallkuar ata që bëjnë tatuazh dhe që kërkojnë t’u bëhet tatuazh.” [1]
Nga hadithi nënkuptohet se Pejgamberi ﷺ mallkoi, kurse mallkimi i Pejgamberit ﷺ nuk bëhet për mëkate të vogla.
Gjithashtu, t’ju përkujtojmë se tatuazhi është veprim i ndaluar te të gjitha fetë qiellore, sepse zanafilla e saj është në idhujtari, devijime dhe mitologji. Egjiptasit e vjetër tatuazhin e përdornin me bindjen se vizatimet e ndryshme dhe tatuazhet në trupin e njeriut shërojnë sëmundjet te njeriu dhe e mbrojnë atë nga syri i keq. Ky është edhe arsyetimi ku Pejgamberi ﷺ në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Syri është i vërtetë (marrja mësysh), dhe e ndaloi tatuazhin.” [2]
Allahu e di më së miri!
Jusuf Zimeri
—————————
[1] Nesaiu. Me të njëjtin kuptim gjejmë edhe hadithe të tjera me transmetues siç është Ebu Hurejra r.a. Aisheja r.a. e të tjerë, të përcjellë nga Buhariu, Muslimi, etj.
[2] Buhariu.