Pyetja:

Nëse në trup ke tatuazh, a është kjo pengesë për faljen e namazit?

***

Përgjigja
:

Bërja e tatuazhit në trupin e njeriut konsiderohet prej veprimeve të ndaluara në Islam, haram, ngase nëpërmjet tatuazhit shejtani e nxit njeriun të bëjë ndryshimin e krijimtarisë së Allahut xh.sh.. Allahu i Lartësuar duke i përshkruar intrigat e shejtanit thotë:

Atë e mallkoi Allahu. Ai ka thënë: “Unë do të përfitoj një pjesë të caktuar të robërve të Tu.” Do t’i shmang (nga e vërteta), do t’i bëj të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhëroj dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhëroj dhe ata do të shëmtojnë (ndryshojnë) krijesat e Allahut.” E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” Nisa: 118-119

Komentatori i famshëm i Kur’anit, Kurtubiu, duke e komentuar fjalën e Allahut xh.sh.: “Do t’i urdhëroj dhe ata do të shëmtojnë (ndryshojnë) krijesat e Allahut”, thotë se disa prej komentatorëve të Kur’anit mendojnë se fjala është për tatuazhin dhe veprimet të ngjashme me të. Këtë mendim e kanë Ibën Mesudi dhe Haseni. [1]

Në lidhje me tatuazhin dhe veprimet e tjera të shëmtuara, i Dërguari i Allahut [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: ”Allahu i ka mallkuar ato që bëjnë tatuazh dhe ato që kërkojnë t’u bëhet tatuazh, ato të cilat i shkulin vetullat dhe ato të cilat lënë hapësirë mes dy dhëmbëve të parë për shkak të bukurisë, të cilat (me këtë) e ndryshojnë krijimin e Allahut.” [2]

Pasi tatuazhi është i ndaluar dhe konsiderohet prej mëkateve të mëdha, atëherë muslimanit nuk i takon të bëjë veprime që do ta kënaqin shejtanin e do ta hidhërojnë Krijuesin. Nëse njeriu tatuazhin e ka bërë në kohën kur ka qenë në injorancë duke mos pasur dije për ndalesën e tij, atëherë nëse ekziston mundësia që të largohet tatuazhi pa pasoja shëndetësore, duhet të largohet.

Mirëpo nëse për largimin e tatuazhit rrezikohet dëmtimi i shëndetit, atëherë nuk ka nevojë të largohet, por na mjafton vetëm pendimi i sinqertë nga ky mëkat i shëmtuar.

Pasi muslimani është penduar sinqerisht, ekzistimi i tatuazhit në trupin e tij nuk është pengesë për zbatimin e farzeve të Allahut, si fjala vjen falja e namazit, kryerja e haxhit etj..

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Tefsiri i Kurtubiut, 5/392.

[2] Buhariu, nr. 4886; Muslimi, nr. (2125) 120.