Pyetja:
Unë jam një nënë me tre fëmijë. Vajza ime e madhe, katër vjeçe nuk vuan nga asnjë problem, është shumë e inteligjente, me rezultate të mira, shkon shumë mirë me vëllezërit e saj, veçse është shumë inatçore dhe kokëfortë. Nëse kërkon diçka, nuk bën asnjë lëshim derisa ta marrë. Nëse e qorton dhe ndëshkon, ta kthen me fjalë të pahijshme dhe banale. Pas pak, ajo vjen më puth dhe kërkon falje.
***
Përgjigjja:
Disa ekspertë të psikologjisë së zhvillimit, sa herë që nënat u ankohen për kokëfortësinë dhe inatin e fëmijëve, ua kthejnë: ”Urime, Zoti ju paska falur një fëmijë inteligjent.”
Inati dhe kokëfortësia është taksa e inteligjencës dhe zgjuarsisë. Kjo, pasi fëmija inteligjent, është fëmijë i pavarur në vetvete, ka mendimet e tij, të cilat i mbron me bindje dhe besim. Në shumicën e rasteve, besimi i fëmijëve të tillë në vete, është shumë i lartë. Por si fëmijë që është, i mungojnë teknikat e bindjes. Kësaj i shtohet pushteti i të rriturve, pushtet që nuk ia mundësojnë fëmijës lirinë e shprehjes, me pretekstin e respektit të mëdhenjve. Kjo, edhe pse respekti i më të mëdhenjve nuk bëhet duke shtypur të vegjlit.
Inati është një ndjenjë e cila shfaqet dhe fshihet sërish në etapa të ndryshme të jetës. Ai mund të ashpërsohet ndonjëherë dhe të zbutet herë të tjera, sipas grupmoshës dhe karakteristikave nga njëra anë, dhe sipas personalitetit të fëmijës dhe ambientit familjar nga ana tjetër.
Nëse flasim për grupmoshën e vajzës tënde, katër vjeçe, ajo është në një moshë e cila njihet si periudhë çrregullimi, pas një periudhe ekuilibri në moshën tre vjeçare. Në këtë moshë, fëmija mund të shndërrohet shumë kollaj në një person që kërkon gjithçka të jetë nën hyqmin e tij. Ashtu siç bëhet llafazan i madh, për shkak se fiton aftësi shprehëse të cilat ia mundësojnë lojërat me fjalë, edhe pse ndonjëherë të pakuptimta. Në këtë moshë, vihet re që fëmija jepet edhe pas fjalëve banale si dhe ekzagjerimeve gjuhësore, të cilat shkaktojnë pakënaqësi tek familjarët. Fakti që fëmija flet fjalë banale, nuk do të thotë se ai është i paedukatë dhe i pacipë. Në këtë rast, vlen shumë zbulimi i burimit të këtyre fjalëve. Aq më tepër, që fëmija juaj nuk i përdor ato gjatë lojës, por kur zihet me fëmijë më të mëdhenj dhe gjatë grindjes me ta.
Kjo sjellje hyn tek agresioni gjuhësor dhe fakti që më së shumti të drejtohet ty me këto fjalë, do të thotë se ai imiton dikë tjetër më të madh. Imazhi i nënës tek fëmijët, formohet nga disa faktorë, ku ndër më të rëndësishmit është trajtimi i babait të tij për nënën. Nëse fëmijët janë mësuar duke e parë nënën të ofendohet, të shahet dhe ti bërtitet, edhe ai do të ndjekë të njëjtën formë komunikimi me nënën e tij, pasi ashtu e kupton. Prandaj, shumë nëna shprehin habi nga fëmijët e tyre të cilët u drejtohen me të njëjtat fjalë poshtëruese me të cilat u drejtohen bashkëshortët e tyre, apo një më i madh tjetër, gjyshja për shembull.
Megjithatë, fëmijët mund ti mësojnë fjalët e pista dhe banale edhe nga burime të tjera, si fëmijët e tjerë, kopsht, shkollë, rrugë etj…
Për ta trajtuar këtë problem tek fëmijët, fillimisht duhet zbuluar burimi i këtyre fjalëve. Fëmija duhet mbajtur sa më larg nga personat banalë, nëse nuk janë njëri nga dy prindërit. Nëse burimi është tek prindërit, atëherë këta të fundit duhet të trajtojnë veten fillimisht para se të fillojnë me problemin e fëmijëve.
Përpiqu të bisedosh me vajzën tënde, duke i thënë se prej gjuhës së një myslimani nuk bën të dalin veçse fjalë të mira dhe këtë përçoja me anë të ndonjë përralle. Kjo, pasi në këtë moshë, fëmijët janë shumë të dhënë pas përrallave dhe historive.
Shfrytëzoji aftësitë e saj për tu shprehur dhe për të bërë lojëra fjalësh, duke ia plotësuar këtë nevojë me shprehje të reja dhe të dobishme, në vend që ta plotësojë me ato negative.
Kur të sillet agresivisht me fjalë, injoroje dhe largohu nga ai vend, sikur të mos fliste me ty. Ky reagim është një mesazh i fuqishëm, se agresiviteti i saj ishte i padobishëm. Mos prano të grindesh me të, duke i kthyer përgjigje, apo duke ia kthyer me të njëjtën monedhë.
Kur të vijë të kërkojë falje, shfrytëzoje këtë shans dhe i thuaj se sjellja e saj është e pahijshme, se nuk i shkon për shtat një fëmije të bukur dhe inteligjente si ajo.
Nëse detyrohesh ta ndëshkosh, mos e shoqëro këtë me poshtërim dhe nënçmim të personalitetit të saj. Ndëshkimi mund të bëhet duke e privuar nga diçka që i pëlqen, ose duke e mbyllur për një kohë relativisht të shkurtër në një dhomë. Pasi ta nxjerrësh, foli për shkakun e ndëshkimit.
Sa herë që vëren se ajo nuk i përdori fjalët banale, lëvdoje dhe shpërbleje.
Për të shmangur inatin dhe nervozizmin, përpiqu të mënjanosh urdhrat dhe komandat e drejtpërdrejta dhe kurrë mos i harro fjalët e tilla si “të lutem, a është e mundur…”
Kur ti kërkosh diçka vajzës tënde, përpiqu ta vendosësh mes dy alternativave, si p.sh “ose mblidh lodrat, ose rregullo krevatin”. Nga ky lloj komunikimi, fëmija ndihet i respektuar, pasi i jepet mundësia për të zgjedhur, gjë që e bën më të butë dhe të bindur.
Alaudin Abazi