Pyetja:

Unë bashkë me gruan time këtë vit do ta bëjmë haxhin, por, këtu në perëndim nuk kemi kujt t’ia lëmë djalin tonë të vogël 4 vjeçar, ashtu që duhet ta marrim edhe atë me vete. Tash, nëse edhe ate e veshim me ihrame dhe e bën Haxhin, a është Haxhi i tij i vlefshëm dhe a ka sevap?

***

Përgjigjja:

Së pari, e lus Allahun që ta pranojë Haxhin prej jush dhe prej gjithë muslimanëve të cilët e kanë kryer dhe e kryejnë këtë vit. Ndërkaq, atyre të cilët ende nuk kanë shkuar në Haxh, e lus t’ua mundësojë ta kryejnë Haxhin.

Për sa i përket pyetjes suaj për fëmijun e vogël i cili ende nuk ka hyrë në bylyg, dijetarët kanë thënë se Haxhi i fëmijut të vogël është i vlefshëm, nëse plotësohen detyrat të cilat kërkohen prej haxhiut. Normalisht, në këtë rast, përgjegjës janë prindërit që t’i ndihmojnë fëmijut të tyre ta kryej Tavafin, Sa’jin, qëndrimin në Arafat dhe veprimet tjera të cilat lypen në Haxh. Nëse kryhen si duhet, haxhi i fëmijut është i vlefshëm dhe ai merr sevap, por, ky Haxh ngelet nafile-vullnetar për të, dhe nuk e zen vendin e Haxhit të obliguar-Farz, nëse fëmiju kur të rritet i plotëson kushtet e kryerjes së Haxhit. Kjo do të thotë se ai kur do hyjë në bylyg, duhet ta kryej Haxhin farz, nëse i plotëson kushtet që t’i obligohet Haxhi.

Haxhi i fëmijut që nuk është në bylyg mbetet nafile e jo kryerje e Haxhit të obligueshëm, ngase kusht për vlefshmërinë e një adhurimi të obliguar-Farz, është teklifi-ngarkesa me detyra fetare, ndërkaq fëmijut nuk është i ngarkuar, ngase nuk është në moshën madhore.

Vlefshmëria e Haxhit të fëmijut argumentohet me hadithin të cilin e ka transmetuar Ibn Abasi r.a., i cili ka përcjellur se i Dërguari i Allahut ﷺ ka takuar disa njerëz në vendin e quajtur Reuha dhe i ka pyetur: ”Kush jeni ju?” Ata i janë përgjigjur: ”Jemi muslimanë.” Pastaj ata e kanë pyetur: ”E ti kush je?” U është përgjigjur: ”I Dërguari i Allahut ﷺ”. Atëherë, një grua e ka ngritur një fëmijë në duar dhe e ka pyetur: ”A ka për këtë Haxh?” I Dërguari i Allahut ﷺ i është përgjigjur: ”Po ka, e edhe ti ke sevap”. [1]

Në fund, duhet theksuar se duhet të jeni të kujdesshëm ndaj fëmijut për shkak të numrit të madh të njerëzve në Haxh. Nuk duhet të futeni në vende që mund t’i shkaktojnë kokëçarrje apo ta rrezikojnë fëmijun tuaj. Kjo do të thotë që të zgjidhni vende më të lira, më të gjëra dhe më me pak kallaballëk gjatë kryerjes së veprimeve të Haxhit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

———————-

[1] Muslimi