Pyetja:

A ka mundësi që një jomusliman të sheh një ëndërr që i del e vërtetë, ose që është e mirë, sepse unë këtu në Zvicër kam një kojshi i cili kishte parë një ëndërr për djalin e tij, dhe i doli e mirë, pasi djali mori një diplomë universiteti?

***

Përgjigjja:

Së pari, të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh fenë dhe besimin, janë të përbashkët në disa gjëra. Kështu, të gjithë njerëzit, qofshin muslimanë, krishterë, budistë apo pjesëtarë të ndonjë besimi tjetër, shohin ëndrra. Por, ëndrrat nuk janë të njëjta, gjegjësisht ka ëndrra që vijnë prej Allahut, ka ëndrra që vijnë prej djajve, por mund të jenë edhe rezultat i rrethanave të caktuara të personit, psh., nëse ka ngrënë diçka të njelmët, sheh ujë, ose nëse është i sëmurë, në pjesën më të madhe sheh ëndrra që janë pasojë e sëmundjes, etj.

Normalisht, këtu nuk flasim për ëndrrat e pejgamberëve të cilat janë të vërteta, por për ëndrrat e njerëzve të zakonshëm. Ëndrrat, mund të jenë të vërteta, po mund të jenë edhe mjet i djajve për ta frikësuar njeriun.

Ëndrrat e vërteta apo të mira, nuk janë monopol vetëm i njerëzve të mirë apo i muslimanëve, por ka mundësi që edhe jo muslimanët të shohin ëndrra të vërteta. Për këtë më së miri na flet Kurani. Në Kuran qëndron se mbreti në kohën e Jusufit a.s. kishte parë ëndërr dhe e kishte shqetësuar mjaft. Nuk ishte kënaqur me shpjegimin e fallxhorëve të vet, por, kur ia kishte shpjeguar Jusufi a.s., ai ishte pajtuar. Dhe vërtetë, ëndrra i kishte dalë e vërtetë, ashtu si ia kishte interpretuar Jusufi a.s. Poashtu, edhe dy personat të cilët ishin me Jusufin a.s. në burg, kishin parë ëndra të cilat u kishin dalë të vërteta, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jusufi a.s. Në Kuran qëndron: ’’Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: “Unë ëndërrova veten se po shtrydhi (rrush për) verë”. E tjetri tha: “Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët”. Na trego komentin e saj, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndërrave). (Jusuf: 36)

Në Kuran qëndron se Jusufi a.s., i kishte thirrur këta dy persona që mos adhurojnë tjetër kënd pos Allahut, gjë që tregon se ata nuk kanë qenë muslimanë, por kanë qenë politeistë. Në Kur’an qëndron: ’’O ju dy shokët e mijë të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm ose Allahu, i vetmi ngadhënjimtar?” Ata që adhuroni përveç Allahut, nuk janë tjetër vetëm se emra që pagëzuat ju dhe prindërit tuaj. Allahu nuk shpalli ndonjë fakt për ta, vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon kujt, pos Allahut, e Ai urdhëroi të mos adhuroni tjetër vetëm Atë. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. (Jusuf: 39-40)

Poashtu, edhe mbreti i Egjiptit kur e kishte parë ëndrrën, nuk kishte qenë musliman. Nga ana tjetër, edhe Buhariu në Sahihun e tij ka shënuar një kapitull për ëndrrat e mosbesimtarëve, njerëzve të devijuar dhe të burgosur. Më pas ka shënuar disa hadithe. Kjo tregon se edhe Buhariu ka mbajtur qëndrim se jomuslimani mund të sheh ëndërr të vërtetë, siç ishte rasti me mbretin në kohën e Jusufit a.s. dhe me dy shokët e tij. Poashtu, është transmetuar se edhe gruaja e të Dërguarit të Allahut ﷺ, Safija, e cila atëbotë ka qenë hebreje, ka parë një ëndër të mirë, gjegjësisht ka parë në ëndërr se një hënë ka rënë në dhomën e saj. Kur ia ka treguar burrit të saj, ai e ka shpjeguar se do të martohet me djalin e Abdulmutalibit, gjegjësisht me Muhamedin ﷺ. Kjo vërtetë edhe ndodhi.

Pas tre vjetësh, Safija u martua me Muhamedin ﷺ Safija kur e ka parë këtë ëndërr, nuk ka qenë muslimane, dhe shihet se ka qenë ëndërr e mirë. Dijetarët kanë përmendur se shumë nga shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ derisa kanë qenë në kohën e xhahilijetit-injorancës, kanë parë ëndrra të mira, dhe këto kanë qenë shkak për simpatinë e tyre ndaj Muhamedit ﷺ, dhe më pas edhe kalimin e tyre në Islam.

Së këtejmi, dijetarët theksojnë se edhe jomuslimani mund të shohë ëndërr të vërtetë apo të mirë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu