Pyetja:

A lejohet të bashkëjetoj me vajzën që kam bërë kurorë me të, por nuk e kam marr në shtëpi?

***

Përgjigjja:

Atëherë jeto në shtëpinë e saj. Ose merreni një shtëpi me qira. Ose duro, ose agjëro! Nuk ka bashkëjetesë mes çiftit ne Islam! Por ka martese dhe lidhje te mirëfilltë martesore. Marrëveshje të qartë dhe të menduar mirë.

Dhe martesa që të jetë e plotë, e sigurt dhe premtuese, ajo duhet të bëhet publike, të shpallet. Nuk mjafton vetëm marrëveshja mes dy palëve, familjeve. Duhet të jetojnë përfundimisht bashkë, qoftë në shtëpinë e njërës apo tjetrës palë. Kudo qofshin dhe në çfarë do gjendjeje qofshin, çifti duhet të jetojnë pra bashkë.

Ky term – bashkëjetesë – nuk njihet si shprehje ne literaturën islame, dhe nëse përdoret si term legjitim, është i rrezikshëm. Termi që njihet ne literaturën islame është – Akdu en-Nikah -, qe nënkupton marrëveshje e lidhjes martesore.

Ne momentin kur shpallet pra ky nikah, janë të martuar dhe kanë të drejta dhe detyrime ndaj njëri-tjetrit dhe plus kësaj, duhet të regjistrohen në vendin ku ndodhen si burrë dhe grua, që të veprojë një autoritet qeveritar mbi ta. Sepse nëse mjaftohen vetëm me autoritetin e hoxhës apo te Xhamisë, nuk e ka fuqinë ligjore të veprojë, të drejtojë; vetëm në rast se ka lidhje me autoritetet qeveritare. Përndryshe mund të ketë vetëm autoritetin moral.

E autoriteti moral nuk e ka fuqinë e veprimit, nëse njëra a tjetra palë janë në kundërshtim me parimet morale. Mbi këta vepron forca e ligjit!

Si pasojë e mendimit se lidhja është legjitime, duke u mbështetur vetëm në autoritetin moral, vetëm me akdu en-Nikah, pa u regjistruar në organet shtetërore, dhe në rast se hoxha apo Xhamia ballafaqohet me mosmarrëveshjet midis çiftit apo palëve, nuk e ka fuqinë ligjore t’i zgjidhë problemet e çiftit që bashkëjeton, edhe nëse ua kumton të drejtat dhe detyrimet;e si pasojë, shkarkohen nga të drejtat e detyrimet, dhe ne këtë rast me se tepërmi që pëson, është gruaja!

Lidhja martesore në Islam është shumë serioze. Nuk mjafton thjesht marrëveshja midis çiftit, palëve. Kjo lidhje duhet të jetë nën mbikëqyrjen e organeve që kanë fuqinë dhe autoritetin e veprimit. Dhe përderisa nuk janë të regjistruar në autoritetet qeveritare, nuk kanë kurrfarë detyrime prej organeve qeveritare.

Prandaj në kulturën perëndimore është modë e tyrja që të rinjtë të mos lidhin kurorë zyrtare, por marrëveshje mes çifteve. Sepse bëjnë ç’të duan, e ndahen kur te duan, e nuk marrin mbi vete kurrfarë obligimesh ligjore. Dhe s’ka sesi shteti të ndërhyjë ne bashkëjetesën e tyre. Nuk ka bazë ligjore. Edhe ne Islam, duhet te ketë një autoritet qe ka fuqi veprimi.

Avni Tafili