Pyetja:
A lejohet të ngritemi në këmbë për ndonjë person, nëse është prej njerëzve me respekt?
***
Pjesa dërmuese e juristëve islamë janë të mendimit se lejohet të ngritemi në këmbë në shenjë respekti për personin që vjen nëse është prej njerëzve me virtyte. Kjo, ngase respektimi i muslimanit është obligim, e poashtu Islami thirr që të respektohen njerëzit për shkak devotshmërisë dhe vetëdijes së lartë fetare, ngase në këtë mënyrë shtohet dashuria dhe afrësia mes muslimanëve. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Mos e nënçmoni asnji punë të mirë, bile edhe nëse është fjala t’i flaish vëllaut tënd me buzëqeshje.”
Pra, lejohet të ngritemi në shenjë respekti për një person që vjen nëse nuk është mëkatar, nëse ky veprim nuk është shkak për mendjemadhësi dhe mburrje si dhe nuk bëhet zakon që sa herë të del e të hyjë dikush të ngritemi. Nëse veprohet kështu, atëherë ky veprim është i urrejtur.
Ibn Kethiri ka thënë: ”Juristët islamë kanë dhënë disa mendime për atë se a lejohet ngritja në këmbë për dikë që vjen. Kështu, disa e kanë lejuar këtë duke u thirrur në hadithin: ”Ngrihuni për zotëriun tuaj”, e disa tjerë e kanë ndaluar këtë veprim duke u thirrur në hadithin: ”Kush dëshiron që njerëzit t’i ngrihen në këmbë, le të përgatit ulësen e tij prej zjarri.” Disa tjerë kanë dhënë një prëgjigje më të detajuar dhe kanë thënë: Lejohet të ngritemi në këmbë për dikë që vjen prej ndonjë udhëtimi dhe për sunduesin në vendin ku qeveris. Në këtë drejtim flet rrëfimi i Sa’d ibn Muadhit, të cilin kur e thirri i Dërguari i Allahut ﷺ që të gjykojë për fisin Beni Kurejdha, dhe e pa se vjen, u tha muslimanëve: ”Ngrihuni për zotëriun tuaj”. Këtë nuk e bëri për tjetër pos që gjykimi i tij të jetë më me ndikim. Allahu e di më së miri”.
Pjesa dërmuese e dijtarëve janë të mendimit se lejohet të ngritja në këmbë për personin që vjen, me përjashtim nëse njihet se është i degjeneruar, kundërshtues i urdhërave të Allahut, bën mëkate të mëdha dhe i njohur për mendjemadhësi dhe dëshirë për t’u treguar. Ndërkaq, hadithi i përmendur më parë ku ndalohej që njeriu të don që tjerët të ngriten në këmbë për të, e që disa e kanë mbështetur si argument, nuk është argument për ta, ngase ndalesa nuk është e përgjithshme, por i Dërguari i Allahut ﷺ e ka specifikuar me veprime të cilat flasin për mendjemadhësi dhe dëshirën për t’u treguar: ”Kush dëshiron që njerëzit t’i ngriten në këmbë”, e nuk ka thënë: ”Kujt i ngriten njerëzit në këmbë”. Për atë, është e qartë se kjo është tipar i mendjemadhit kryeneç. Dallimi ndërmjet dy shprehjeve është preciz, për atë edhe nuk duhet neglizhuar.
Ndërkaq, pretendimi i disave se qëndrimi në këmbë është prej konditave të namazit, për atë edhe ndalohet ngritja në këmbë për njerëzit ngase i përgjason adhurimit, është pretendim i pabazë dhe flet për një mosnjohje të llojit të vet që nuk mund të thuhet nga një jurist i cili përpiqet në xnjerrjen e dispozitave nga tekstet juridike.
Vërtet, kjo është fjalë e pa vend, ngase namazi përmban shumë kondita, fjala vjen si:ulja, leximi i Kur’anit, ulja në fund, etj. Po a thua dikush thotë se ulja para dijetarit është e ndaluar, ngase ulja është prej konditave të namazit? Apo se leximi i Kuranit para dikuj nuk është i lejuar, ngase është prej konditave të namazit?!
Poashtu, analogjia e ngritjes për dikë me rukunë dhe sexhden për ta pohuar ndalimin e ngritjes, është analogji e pavend dhe joadekuate, ngase rukuja dhe sexhdeja nuk lejohet për krijesat, por bëhen vetëm për Allahun e Madhërishëm. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Sikur ta kisha urdhëruar dikë të bën sexhde për dikë nga krijesat, do ta urdhëroja gruan të bën sexhde për bashkëshortin e saj”. Ndalimi i bërjes sexhde për krijesat është vërtetuar me tekst të prerë juridik, ndërkaq, ngritja në këmbë, ulja, shtrirja, etj., nuk janë të kësaj natyre. Allahu na ruajt nga injoranca dhe pseudodijetarët.
Muhamed Ali Sabuni
Përktheu: Bashkim Aliu