Pyetja:

A është obligim mbajtja e mbulesës në shtëpi në prani të kunatit?

***

Përgjigjja:

Po, mbulesën duhet mbajtur edhe në prani të kunatit, pasi ai nuk bën pjesë në meshkujt, që konsiderohen të afërm. Mbulesa bahet për qëllim të mbulimit të bukurive trupore të femrës para meshkujve që i ka të lejuar për martesë. Nuk ka dyshim se vëllai i burrit është njëri nga të mundshmit për martesë, pasi që vëllai i tij (bashkëshorti) ishte i lejuar më herët. Ky është rregulli që i specifikon njerëzit me të cilët lejohet apo ndalohet të vetmohet femra muslimane, të bisedojë me ta në vetmi apo të qëndrojë pa shami në praninë e tyre. Pra gjithë ata që i ka të lejuar për martesë, nuk bën të qëndrojë zbuluar para tyre. Kurse gjithë ata që janë të ndaluar në mënyrë të përhershme për martesë, lejohet që femra të rrijë e zbuluar para tyre si, babai, vëllai, axha, daja, vjehrri etj.Bile ndonjëherë ndodh që prej kunatit dhe anëtarëve të tjerë të familjes së gjerë të burrit, duhet të ruhemi edhe më shumë, sepse rrethanat e krijojnë një klimë të tillë që nderi i femrës të rrezikohet nga ata që mund të takohet më shpesh. Në një rast i dërguari i Allahut, ﷺ, kishte thënë:
– Keni kujdes të hyni të vetmuar tek gratë e huaja!
– Një njeri nga ensarët (vendasit e Medinës) pyeti: O i dërguar i Allahut, ﷺ, e nëse ai është kunati (apo ndonjë i afërm i burrit)?
– “Kunati është vdekja.” – është përgjigjur i Dërguari ﷺ.

Dijetarët kanë komentuar fjalën “vdekje” në mënyra të ndryshme. Disa kanë thënë se vetmia e kunatës me kunatin mund të çojë deri te vdekja për shkak të prishjes së moralit e si pasojë do të ishte dënimi me gurëzim deri në vdekje, dënim ky që e pret të martuarin e pamoralshëm qoftë mashkull apo femër. Ose mund të përfundoj me ndarjen në mes të bashkëshortëve për shkak të imoralitetit apo dyshimeve lidhur me të, dhe kjo në një mënyrë është vdekje sa i përket jetës bashkëshortore. Disa të tjerë mendojnë se vetëm vdekja mund t’i afrohet femrës së huaj në mënyrë figurative. Andaj duke qenë se afrimi i të afërmve të burrit tek bashkëshortja e tij është vepër e papranueshme, le ta merr i tilli epitetin e vdekjes, që e shuan jetën e saj dhe mirëqenien e jetës bashkëshortore. Dikush tjetër prej dijetarëve ka thënë le të pranoj të vdes më para, se sa të vetmohet me gruan e vëllait nga frika e imoralitetit.
Sido që të jetë, ky hadith demaskon rrezikun e të vetmuarit të gruas me të afërmit e burrit të saj (meshkuj). Në të njëjtën kohë tregon se ata konsiderohen të huaj për atë grua. Andaj rregulli është se femra duhet të qëndrojë me kokë të mbuluar para të gjithë atyre që nuk lejohet të vetmohet me ta, sepse martesa me ta është e mundur dhe nuk ka pengesa të përhershme si afërsia nga gjaku, gjiri dhe miqësia.Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku