Pyetja:

A lejohet të hahet mishi i therur nga personi i cili është pabesimtar, por që e pret me emrin e vetëm të Allahut ose duke thënë Bismil-lah. Dhe, a bën të hahet mishi kur nuk dihet apo nuk je e sigurt se a është përmendur emri i Allahut në therjen e tij? Nëse nuk lejohet, a arsyetohet ai person që e ha mishin vetëm sa për ta shuajtur urinë megjithë pikat që i ceka më lart?

***

Përgjigjja:

Siç dihet, sipas parimeve të Sheriatit, prerja e kafshës në emër të Allahut është kusht i lejimit të konsumimit të mishit të saj. Ky parim, në shikim të parë të bën të kuptosh se kasapi duhet të jetë musliman në mënyrë që mishi i kafshës së prerë të lejohet. Por, këtë dilemë na e ka larguar Allahu duke i lejuar ushqimet e pjesëtarëve të besimeve qiellore, që nënkupton hebrenjtë dhe të krishterët. Allahu thotë:

“Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta.” (Maide: 5)

Kushtëzimi i përmendjes së emrit të Allahut me rastin e prerjes së kafshës konsiston në faktin që ajo kafshë të mos therret në emër të ndonjë idhulli apo besimi tjetër dhe kjo është shumë me rëndësi në këtë tematikë. Pra, nëse muslimani pret kafshën për t’u ushqyer domethënë nuk synon që me të të afrohet te ndonjë idhull, varr, apo tyrbe dhe ka harruar të bëjë “Bismil-lah”, lejohet të hahet ai mish përderisa qëllimi ishte jo për adhurim të devijuar.

Nëse dihet se mishi i shërbyer është prerë nga ndonjë njeri që refuzon të përmendet emri i Allahut, duke qenë i vetëdijshëm, nuk lejohet të konsumohet ai mish, për shkak se është sjellë me mendjemadhësi dhe në këtë formë nuk mund ta konsiderojmë si një musliman që ka harruar ta përmend emrin e Allahut.

Nëse nuk dihet saktësisht se kush e ka prerë kafshën e lejuar, por vendi, familja, apo ajo shoqëri ku është prerë ajo kafshë konsiderohen të jenë muslimanë, të krishterë apo çifutë, mund ta hamë atë mish, madje nuk kemi obligim të pyesim për mënyrën e prerjes, përveç nëse sqarohet pa pyet dhe konstatohet se mënyra e prerjes është gabimisht. Përndryshe, përmendja e jonë e Allahut me rastin e fillimit të ushqimit, është e mjaftueshme.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku