Pyetja:

Jam një motër muslimane, 23 vjeçare dhe i kam përfunduar studimet. Gjithashtu, unë i fali edhe pesë kohët e namazit, mirëpo fatin e jetës nuk e kam gjetur ende dhe kjo gjë po më brengos kohëve të fundit. Çka mund të thoni ju për këtë?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, çdo musliman/e duhet të ketë bindje të fortë se Allahu s.v.t. nuk ka caktuar diçka vetëm se ajo është në dobi të robit të Tij edhe pse neve na duket në disa raste se ajo nuk është e mirë për ne. Allahu thotë: “Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. Allahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.” (Bekare: 216)
Dhe, Ebu’l Abbas Abdullah ibn Abbasi, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “Një ditë kam qenë pas të Dërguarit të Allahut, ﷺ, dhe më tha: ‘O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë: Kije ndërmend Allahun, Allahu do të ruajë ty. Kije ndërmend Allahun, Allahun do ta gjesh para teje. Kur të kërkosh, kërko prej Allahut. Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut. Dije se, sikur tërë populli të tubohej që të të ndihmojë në diç, nuk do të të ndihmonin, përveç atë çka të ka caktuar Allahu. E nëse do të tuboheshin të të bëjnë dëm në diç, nuk do të të dëmtonin, përveç në atë çka Allahu tashmë ta ka caktuar. Janë ngritur lart pendat dhe janë tharë faqet (d.m.th. çdo gjë është caktuar dhe ka mbaruar)’.” [1]
Motër, mbështetju Allahut se Ai të mjafton për çdo gjë dhe lute Atë që ta lehtësojë që të martoheni me ndonjë vëlla që ia ka frikën Allahun s.v.t., dhe dije se atë që është caktuar për ty nuk mund ta ndalojë askush (siç u cek në hadith) dhe keni mendim të mirë për Allahun ngase Ai i don robët e tij të ndershëm.

Bedri Robaj

————————–

[1] Tirmidhiu