Pyetja:

Si mund të bëhem njeriu prej gojës dhe dorës së të cilit njerëzit ndihen të sigurt?

***

Përgjigjja:

Siç përmendet në librat e hadithit, i Dërguari i Allahut ﷺ e përshkruan besimtarin mysliman me fjalët: “Myslimani i vërtetë është njeriu prej gjuhës dhe dorës së të cilit myslimanët janë të sigurt.”. Për t’u hapur disi më tej në përmbajtjen dhe formën që ju keni theksuar në pyetje, fillimisht dua të qëndroj për një çast sipër fjalës “el-muslim” në hadith.

Fjala “el-muslim”, e cila në hadith është shprehur me një trajtë të shquar, duket që kërkon të vërë në pah myslimanin ideal dhe të vërtetë. Domethënë, sipas rregullit “përmendja e plotë është ajo që i përgjigjet së përsosurës.”, myslimani i përmendur këtu nuk është njeriu që sillet kështu, apo që flet ashtu, por ai që e pranon dhe e ndjen plotësisht Atë, që i dorëzohet krejtësisht, duke i kryer të gjitha detyrimet e këtij besimi, derisa arrin që ta kthejë në jetë të jetës së tij. Nëse do të na duhej ta shtjellonim disi më tej, sipas kuptimit të tij në fjalor emri veprues “muslim” i buruar prej foljes “esleme”, e cila rrjedh prej rrënjëve “silm” dhe “selamet”, mund ta kuptojmë se përmbajtja semantike e kësaj fjale është “njeri, i cili ia ka dorëzuar vetveten Allahut”, “që të çon në paqe, të fal qetësi shpirtërore, apo që sendërton paqe dhe siguri të ndërsjellë me njerëzit e tjerë përreth”. Nga ky këndvështrim, sa herë që artikulohet fjala “mysliman”, ashtu siç përmbajtja e parë që duhet të vijë ndër mendje duhet të jetë: “Njeri, që i është dorëzuar krejtësisht Zotit, kësodore i kryen me përpikëri dhe delikatesë të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe që bën të mundur atmosferë paqësore dhe mbarëvajtjeje aty ku gjendet.”, kuptimi që duhet të vetëkuptohet natyrshëm është se “edhe të tjerët janë të sigurt prej veprimeve të tij, duke e parë atë si një përfaqësues të paqes dhe sigurisë, me pak fjalë njeri i besuar në besën e tij.”.

Myslimani dhe emrat e bekuar “es-Selam, el-Mu’min”

Të qenët e myslimanëve njerëz që flladisin puhiza sigurie në ambientin e tyre përreth është një pasqyrim i të qenit të pajisur me moralin e lartë hyjnor. Sepse emrat e bekuar “es-Selam” dhe “el-Mu’min” janë ndër emrat e Allahut të Madhërishëm. Siç e dini, në fund të sures Hashr thuhet: “Allahu është Zoti i Vërtetë! Nuk ka zot tjetër veç Tij! Ai është Sunduesi, i Shenjti, i Paqti, Garantuesi, Urdhëruesi, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori!”, vërehet se si këta emra janë përmendur njëri pas tjetrit. Emri Selam ka kuptimin e të qenit i pastër prej mangësive, e që u fal paqe dhe pastërti edhe të gjitha krijesave të veta. Ndërsa emri Mu’min mbart kuptimin e krijimit të besimit në zemrat e njerëzve, që fal siguri, e që e mban premtimin për çdo fjalë të dhënë. Prandaj, nëse Allahu u ka bërë një premtim njerëzve, realizimi i tij do besuar medoemos. Që në fakt, edhe ndjenja e shpresës tek njeriu pikërisht mbi këtë besim ngrihet. Kështu që, të gjithë ata që përpiqen për të fituar moral prej moralit të Allahut (xh.xh.), e cila me fjalë të tjera mund të shprehej si njeriu që i ka vendosur vetes si qëllim përfaqësimin, si me botën e jashtme, ashtu edhe me botën e tij të brendshme, të emrave dhe cilësive të Krijuesit. Ai duhet t’u premtojë siguri njerëzve përreth, në mënyrë që askush të mos shqetësohet se prej tij mund t’i vijë ndonjë dëm apo e keqe; duhet ta besojë Allahun me gjithë fuqinë e zemrës së Tij, dhe me çdo fjalë të lëshuar nga goja e vet duhet t’i qetësojë të gjitha zemrat e tjera që i ndodhen rrotull, dhe pa u kapluar prej kurrfarë shqetësimi duhet të dijë se si të largohet syresh.

Besnikëria dhe siguria, duke qenë se janë dy prej cilësive më kryesore që gjenden tek profetët, përbëjnë akoma më tepër rëndësi për kuptimin e kësaj çështjeje. Po, ashtu siç ishte drejtësia ajo që e nxori Profetin tonë të dashur ﷺ në majat e përsosmërisë, ishte gënjeshtra ajo që e hodhi poshtë e më poshtë Musejlemetu’l Kedhabin. Sepse mohimi është një gënjeshtër e madhe, e thënë përballë Allahut të Madhërishëm. Njëkohësisht, ajo është njësoj si të gënjesh të gjithë dëshmitarët e Tij në Univers, të mos e konceptosh dot rendin dhe ekuilibrat e përkryer të gjithësisë, ose të bësh sikur nuk e sheh; poashtu të përpiqesh ta mbulosh përputhshmërinë e madhe që ekziston mes Gjithësisë dhe Kuranit Famëlartë. Nga kjo anë, ky është një krim aq i pafalshëm, dënim për të cilin është përcaktuar vetë Xhehenemi. Në të kundërtën e gjithë kësaj, është Xheneti, i cili është krijuar enkas për njerëzit, të cilët lartësohen drejt tij nëpërmjet besimit. E ajo që i ka ngjitur drejt këtyre majave të gjithë sahabët, me në krye Ebu Bekrin e nderuar (r.a.) është pikërisht kjo drejtësi e buruar prej besimit.

Një tjetër cilësi e profetëve veç drejtësisë është edhe besnikëria dhe siguria. Gjatë gjithë jetës së tyre ata kanë frymuar veç siguri përreth tyre, duke bërë që zemrat e të gjithëve të ndiheshin përherë të sigurta. Më besniku dhe i sigurti ndër ta, i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ pati shpërndarë gjithkah një atmosferë të atillë sigurie, saqë të gjithë njerëzit, kur duhet të shkonin diku dhe donin dikë që t’u linin amanet gratë ose vajzat e tyre, i pari që u shkonte ndërmend ishte Ai. Sepse ata ishin të bindur se Ai ﷺ nuk do të ngrinte as kokën për t’i vështruar qoftë edhe njëherë të vetme ato. Në të njëjtën kohë, Ai ishte një përmendore e edukatës. Ballin e Tij ﷺ e patën mbuluar bulëzat e djersës së turpit kur Hatixhja e nderuar (r.a.) i pati propozuar për t’u martuar. Kaq thellë i kishte hyrë në shpirt kjo ndjenja e sigurisë dhe besnikërisë, të cilën Ai duhej medoemos t’ua frymonte të tjerëve përreth. E posaçërisht sepse ishte i mbushur plot prej një ndjenje të këtillë besnikërie, Ai ﷺ pati fituar besimin e të gjithëve.

Kredo sigurie

E njëjta gjendje duhet të jetë po kaq e kuptimtë edhe për ne sot, që pretendojmë të jemi prej umetit të Tij ﷺ. Sidomos heronjtë e horizonteve, të cilët ia kanë dedikuar jetën ndjelljes së dashurisë për Allahun (xh.xh.) dhe të Dërguarin e Tij ﷺ në zemrat e njerëzve, duhet të shpërhapin përherë fllade sigurie, duke formuar një ndjenjë besnikërie dhe sigurie në zemrat e të gjithëve. Asisoj që njerëzit do të mund ta kthejnë lehtësisht shpinën, pa pasur kurrfarë frike, thjesht duke thënë: “Nëse e thotë ai është e drejtë. Ia vlen të besohet çdo fjalë e tij.” Që në fakt, nëse sot ndodh që njerëzit të jenë të prirë ndaj jush, apo edhe të rendin pas jush, duke ju mbështetur, duhet ta dini se kjo buron pikërisht prej ndjenjës së besimit dhe sigurisë që ju keni ndjellë ndër ta.

Ndoshta njerëzit hulumtojnë aq shumë për ju, madje duke u përpjekur për të mos u vënë re, dhe ju vënë aq shumë në provë, derisa në fund thonë: “Ky njeri është i besueshëm.” Për shembull, një ta përmendur ju se diku, brenda ose jashtë shtetit do të theren kurbane, ai vjen me pesëdhjetë a njëqind të këtillë. Pikërisht, është shumë e rëndësishme që të fitosh besimin me një devotshmëri dhe drejtësi të kësisojshme, e mandej ta bësh edhe të vazhdueshme.

Nëse shpirtrat e sotme të dedikimit vazhdojnë ta bëjnë këtë atmosferë të përjetueshme, me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.sh.), edhe ata që do të takohen me ta në të ardhmen, e që u besojnë kanë për të parë se njerëzit që u kanë besuar nuk janë zhgënjyer asnjëherë, e si rrjedhojë nuk ka se si të ndodhë që të bëjnë qoftë edhe një hap të vetëm pas. Nga ky këndvështrim, të mërguarit në kërkim të horizonteve duhet ta kryejnë më së miri detyrën e tyre, qoftë edhe në kushtet më të vështira e të papërballueshme, duke jetuar përherë një jetë të lidhur fort pas disiplinave themelore. Sepse, nëse zgjedhin këtë botë në vend të saj, – Zoti na ruajttë! – duhet të kemi frikë nga përfundimi në ata persona, të cilëve u adresohen ajetet kuranore: “E vërteta është kështu: Ju jeni shumë të dhënë pas kësaj jete, duke e braktisur dhe iu larguar Ahiretit.” (Kijame: 2021)
Ata, edhe pse në dijeni, e këmbyen jetën e përtejme me jetën e kësibotshme.” (Nahl: 107). Ata duhet t’i japin vlerë kësaj bote pikërisht sa ç’vlen përkohshmëria e saj, dhe ahiretit për aq sa vlen përjetësia e saj. Sepse, kur i jepni ahiretit vlerën e tij të merituar, atëherë ia rrisni vetvetiu vlerën edhe jetës gjatë kësaj bote. Njerëzit që e jetojnë jetën e tyre pikërisht brenda një ekuilibri të këtillë, janë aq të sinqertë, dhe paraqesin një mirënjohje aq të veçantë, e veprojnë aq besnikërisht e duke falur siguri në çdo anë, sa që çdo gjë që kalon në dorën e tyre përdoret në mënyrën më efikase të mundshme. Nuk ka asgjë që të shkojë dëm. E kështu ndërtohet plotësisht edhe kjo botë. Jo, të mos keni as kurrfarë dyshimi, sepse njerëzit besnikë dhe të besueshëm, të cilët ia kanë falur veten e tyre ahiretit dhe arritjes së pëlqimit të Allahut, ashtu siç ndërtuan dikur Andaluzinë apo Portën e Lartë, e bashkë me to u dhanë formë dhe jetë edhe territoreve përreth, poashtu mund të ndërtojnë edhe botën e ditëve të nesërme.

Nga ky këndvështrim, nëse dikush ia ka dedikuar veten e vet shërbimit ndaj së vërtetës, duhet të qëndrojë përherë larg luksit, duke jetuar një jetë të përkorë e të thjeshtë; ashtu duhet të jetë shtëpia, madje asisoj, që kur të ndërrojë jetë, shokët dhe miqtë e tij të ngarendin majtas-djathtas për të gjetur para sa për t’i blerë qefin. Kurrsesi një njeri i dedikuar ndaj shërbimit nuk mund ta lërë veten e tij të hipotekuar tek pasuria, bota, posti, detyra apo rehatia. Ngase ai ia ka falur edhe zemrën këtij shërbimi, e ngase e ndjen veten rob veç të Allahut (xh.xh.), asgjë tjetër nuk gjasa që t’ia prangosë atij duart e këmbët, apo t’i vendosë kularin e robërisë në qafë. Patjetër që ka edhe njerëz që duan të shërbejnë duke bërë tregti e duke fituar sa më shumë me anë rrugësh të lejuara. Kjo është një çështje, dhe shfaqja e dëshirës së paepur për të shërbyer është një çështje tjetër.

Fuqia e përfaqësimit tek drejtuesit

Njerëzit që ia kanë dedikuar veten kësaj rruge duhet të jenë të atillë që të ndjellin përherë siguri tek të shokët e tyre të së njëjtës rrugë. Ata duhet të qëndrojnë larg prej çdo lloj veprimi që mund t’i shtyjë shokët dhe miqtë e tij të ndjejnë pasiguri prej tij, gjë e cila arrihet duke ruajtur përherë sjellje të tejdukshme. Duhet të tregohen aq shumë të kujdesshëm, që askush të mos mendojë se e kanë privuar prej diçkaje, apo të kaplohet prej mendimesh të tjera negative të llojit se i është ngushtuar hapësira e shërbimit e të tjera.

Posaçërisht, ne duhet të jemi përherë të hapur ndaj njerëzve me të cilët ecim në të njëjtën rrugë. Të këshillohemi, e t’i japim zgjidhje çdo çështjeje duke u këshilluar ndër vedi, pa rënë në veprime apo reagime të nxituara, sepse ndjenjat dhe mendimet e njerëzve përreth nesh duhen marrë medoemos në konsideratë. Po njësoj duhet të kujdesemi që detyrat që u ngarkojmë të jenë sipas aftësive dhe kapacitetit të tyre, duke e ndarë edhe kohën e shërbimit sipas po këtyre kritereve. Veç kësaj, ne duhet të ndjellim një ndjenjë të atillë sigurie tek njerëzit përreth, që kur dikush të ngarkohet me një detyrë në një vend të caktuar, njerëzit që janë mbi të, ngase kanë vepruar me një mirëpandehje, duhet të ndihen se kanë kryer pikërisht atë që duhet të kryenin. Përveç kësaj, që të ambientohen me punën që do të kryejnë, njerëzit duhet të kalojnë përmes një rehabilitimi serioz. Me pak fjalë, në ndarjen e punëve, kohës së tyre apo ngarkimit të detyrave ndaj njerëzve të ndryshëm, do vepruar me aq kujdes dhe tejdukshmëri, në mënyrë që askush të mos thotë: “Mua nuk më beson njeri; mua nuk më sheh njeri si të besueshëm.”, duke penguar kësodore përhapjen e një ndjesie mosbesimi.

Në kohën që Omeri i nderuar e largon Halid ibni Uelidin nga detyra, apo kur Othmani i nderuar e dërgon Ebu Dherrin në Rebeze, ata kryejnë bindjen e menjëhershme ndaj vendimit të marrë, e në themel të gjithë kësaj gatishmërie qëndron pikërisht kjo ndjenjë sigurie. Nëse ju keni arritur deri më sot të paraqitni një sjellje që ka ndjellë siguri tek njerëzit që gjenden nën përgjegjësinë tuaj, atëherë ju do të keni ruajtur nderin tuaj mendor, ndjenjësor dhe gjykues, gjë që do të bëjë që edhe vendimet që do të merrni në lidhje me ta, kanë për të qenë të mirëpritura. Njerëzit do të shkojnë sa hap e mbyll sytë, e pa ndjerë as lëkundjen më të vogël, në vendin ku do t’i ngarkojnë me ndonjë detyrë të re. Nëse ju u thoni: “Ti do të shkosh nga atje.”, atëherë ata do të mendojnë ndër vedi: “Njerëzit që më thonë mua të shkoj atje patjetër që e kanë gjykuar mirë.”, e vetëm në bazë këtij lloji mendimi, ata do të jenë të gatshëm të sakrifikojnë prej vetes në detyrën e tyre të re. Madje, ju edhe sikur t’i thoni “Përkohësisht, shko e rri në atë dhomëzën atje.”, ata kanë për të menduar se e gjithë kjo patjetër që është menduar, e duhet të ketë urtësinë e vet që po veprohet kësisoj, andaj edhe do të bëjnë atë që duhet bërë. Domethënë, sa më i drejtë dhe i sigurt të jeni ju si drejtues, atëherë edhe kërkesat apo sugjerimet tuaja poaq do të përvetësohen prej njerëzve që ju rrethojnë. Sepse rruga dhe mënyra më e rëndësishme për të hapur dyert e zemrave të njerëzve është të tregoni se jeni besnikë, gjë që atyre ka për t’u falur siguri. Përsa i përket kësaj çështjeje, njerëzit duhet t’ju besojnë aq shumë juve, e duhet të mbështeten të sigurt tek ju, nëpërmjet forcës së përfaqësimit që do të tregojnë njerëzit që gjenden në detyrën e drejtuesve me anë të sjelljeve të tyre më të kujdesshme.

Përkthim