Pyetja:
Si kuptohet hyrja e kohës së namazit të akshamit dhe e çeljes së agjërimit?
***
Përgjigjja:
Koha e namazit të akshamit hynë kur perëndon dielli. Për këtë ka ixhma të dijetarëve, siç thotë Ibn Mundhir, Neveviu dhe Ibn Kudame.
Duhet të kemi parasyshë se perëndim quhet kur fshihet apo kur bie poshtë vijës së dukshme të horizontit krejt disku i diellit, dhe jo vetëm një pjesë e tij. Pas perëndimit të plotë të diellit nuk duhet të merren parasyshë rrezet e mbetura të tij, por hynë menjëherë koha e akashmit dhe çeljes së agjëruesit.
Abdullah Ibn Ebi Eufa thotë: “Ishim me Pejgamberin ﷺ në një udhëtim. Sapo perëndoi dielli, Pejgamberi ﷺ, i tha një burri: “Zbrit dhe më trazo çorbën me ujë!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të prisje derisa të bjerë plotësisht mbrëmja!” Pejgamberi ﷺ, sërish i tha: “Zbrit dhe trazo çorbën (për të çelur)”. Ai tha: “O i Dërguari i Allahut ﷺ! Sikur të prisje derisa të bjerë plotësisht mbrëmja! Ke akoma ditë!” – “Zbrit dhe trazo çorbën”, – i dha urdhër për herë të tretë Pejgamberi ﷺ. Kështu, ai zbriti pas herës së tretë dhe trazoi çorbën”. Pejgamberi ﷺ, pasi piu, bëri shenjë me dorë nga lindja, duke thënë: “Kur të shikoni natën duke ardhur që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas një varianti tjetër ai tha: “O i Dërguari i Allahu ﷺ, ja rrezet e diellit”. Pra, mendoi se ende nuk kishte hyrë koha e iftarit, pasi kishte mbetur shkëlqimi i rrezeve të diellit, edhe pse kishte perënduar disku i tij. Kjo kuptohet dhe nga transmetimet e tjera ku thotë: “Ke akoma ditë”, “sikur të prisje derisa të bjerë mbrëmja plotësisht’. Sipas një transmetimi Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të perëndojë dielli që këndej dhe të vijë nata që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit”. Pejgamberi ﷺ, bashkë me shokët e tij ishin në udhëtim dhe me ramazan. Kur perëndon dielli, Pejgamberi ﷺ, i jep urdhër njërit prej shokëve të tij, i cili siç mësohet nga një transmetim ishte Bilali, të trazonte çorbën për të çelur. Bashkëbiseduesi me Pejgamberin ﷺ, vuri re shkëlqimin dhe të kuqen që mbetet pas perëndimit të diellit, e kështu duke menduar se koha e çeljes vjen veçse pas perëndimit të këtyre rrezeve dhe se ndoshta Pejgamberi ﷺ, nuk i kishte para ato, deshi t’ia tregonte. Këtë e përforcon edhe transmetimi ku thuhet: “Ke ende ditë!”. Pra, ai mendonte se ky ndriçim ishte prej ditës dhe se duhet të vazhdonin agjërimin deri në zhdukjen e tij. Por Pejgamberi ﷺ, bëri të qartë se kur perëndon dielli, hyn koha e çeljes, edhe pse ende ka shkëlqim të rrezeve të diellit dhe ende nuk ka rënë errësira.
Umer Ibn Hatab thotë: Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kur vjen dita, ikën nata dhe fshihet (perëndon dielli), hynë koha e çeljes së agjëruesit”. Shënon Muslimi. Neveviu thotë: “Për thënien e Muhamedit ﷺ “Kur vjen nata, ikën dita dhe fshihet dielli”, dijetarët kanë shpjeguar se secila prej këtyre tri shenajve i përmban dy të tjerat dhe dhe ndodh njëherësh me to.
Arsyeja pse përmenden në hadithë të trija shenjat është se njeriu mund të ndodhet në një luginë apo diku tjetër, ku nuk e sheh perëndimin e diellit, e kështu merr për bazë shfaqjen e errësirës (nga lindja) dhe largimin e dritës”. Allahu e di më së miri [Sherhu Sahih Muslim].
Bedru Din el Ajni thotë: “Nëse shtron pyetjen se ku qëndron arsyeja e shenjave që përmend Pejgamberi ﷺ, : “Kur vjen nata që këndej’, sipas variantit të Muslimit: “Kur të shikoni që nata vjen që këndej”. Në hadithin që sjell Tirmidhiu nga Umer Ibn Hatab thotë: “Kur vjen nata, ikën dita dhe fshihet dielli, hynë koha e çeljes”. Dihet që ardhja e natës, largimi i ditës dhe perëndimi janë dukuri të bashkëlidhura, që ndodhin njëherësh, sepse nuk vjen nata (nga lindja) veçse kur largohet dita, dhe nuk ikën dita veçse kur perëndon dielli. Kadi Ijad përmend si arsye faktin se mbase njeriu nuk arrin të shikojë perëndimin e diellit, por arrin të shikojë shfaqjen e errësirës (nga lindja). Me këtë gjë ai sigurohet për perëndimin e diellit, e si rrjedhim edhe për hyrjen e kohës së çeljes. Shejhu ynë ka thënë: “Mund të dallohet mbarimi i ditës me njërën prej këtyre shenjave. Këtë e përforcon dhe fakti se në hadithin e Ibn Ebi Eufas përmendet si shenjë vetëm ‘ardhja e natës’. Mund të ketë qiell me re vetëm në lindje e jo në perëndim, ose mund të ndodhë e kundërta. Mund të shihet perëndimi i diellit, e në këtë rast nuk ka nevojë për shenjë tjetër [Umdetul Kari]. Ibn Haxher thotë: “Në këtë hadith ka përmendur tri shenja, pasi edhe pse ato, në origjinë, janë të bashkëlidhura dhe ndodhënin njëherazi, mund të ketë raste kur nuk ndodh kështu, si përshembull, kur mendohet se ka rënë errësira e natës në anën e lindjes, e në të vërtetë ajo nuk ka rënë, por ka diçka që mbulon rrezet e diellit. Po kështu mund të ndodhë dhe me shenjën e largimit të ditës (nga ana e perëndimit), e prandaj hadithi e kushtëzon me thënien “dhe perëndon dielli”, për të lënë të kuptohet se është kusht të vërtetohet ardhja e natës dhe largimi i ditës nëpërmjet perëndimit të diellit e jo nëpërmjet ndonjë shkaku tjetër” [Fet’hul Bari].
Atëherë, nga këto hadithe dalin përfundimet e mëposhtme:
Së pari, koha e akshamit hynë me të perënduar dielli, pra me t’u fshehur disku i diellit, dhe nuk merren parasyshë rrezet e shkëlqimi që mbeten pas perëndimit të tij.
Së dyti, shenja me të cilën mësohet hyrja e kohës së akshamit është perëndimi i diellit. Ardhja e errësirës dhe largimi i ditës vlejnë si shenja vetëm kur shkaktohen nga perëndimi i diellit dhe jo ndonjë shkak tjetër.
Së treti, nëse njeriu ndodhet në një vend ku shikohet perëndimi i diellit, si në shkretëtirë, fushë, rrafshnaltë, lartësi malore, kodrinore, detë, bregdet, ku nuk e pengon nga shikimi i perëndimit ndonjë mal apo kodër, koha e akshamit dhe e çeljes për të hynë me tu fshehur diksu i diellit, edhe pse mbeten akoma rrezet dhe shkëlqimi i tij në horizont, tek retë apo tek majat e ndërtesave të larta. Në këtë rast nuk është e nevojshme të shihen shenjat e tjera, si ardhja e errësirës nga lindja, edhe pse perëndimi i diellit në fakt shoqërohet me humbjen e rrezeve të tij dhe shfaqjen e errësirës në lindje. Sipas versionit të Abdurrezakut, Abdullah Ibn Ebi Eufa thotë: “Ishim me Pejgamberin ﷺ, në një udhëtim. Pejgamberi ﷺ, ngaqë ishte agjërues, i tha një burri: “Zbrit dhe më trazo një pije!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Ja, rrezet e diellit!” Pejgamberi ﷺ, sërish i tha: “Zbrit dhe trazo pijen (për të çelur)”. Kështu, ai zbriti, trazoi pijen dhe Pejgamberi ﷺ, piu”. Sikur në këtë moment të përpiqej ndonjëri që ishte hipur në deve për të shikuar diellin, kishte për ta parë! Mbasi piu, Pejgamberi ﷺ, bëri shenjë me dorë nga lindja, duke thënë: “Kur të shikoni natën duke ardhur që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit”.
Së katërti, kur njeriu ndodhet në një luginë, pas një kodre apo pas një mali, ku nuk shihet perëndimi i diellit, duhet të presë derisa të mos duken më rrezet e diellit në majat e kodrave e të maleve apo të fillojë errësira në anën e lindjes [1], sikurse kanë përmendur dijetarët në shpjegimin e haditheve të mësipërme të Ibn Ebi Eufas dhe të Umer Ibn Hatabit. Neveviu thotë: “Dijetarët kanë thënë se Pejgamberi ﷺ, e ka përmendur perëndimin e diellit, ardhjen e errësirës (në anën e lindjes) dhe largimin e ditës (në anën e perëndimit), për të qartësuar se perëndimi i dielllit nga sytë (jo gjithmonë) [2] është i mjaftueshëm, pasi ka mundësi që në disa vende dielli të zhduket nga sy, edhe pse nuk ka perënduar realisht, kështu që (në vende të tilla) pajtetër duhet të merret parasyshë ardhja e natës dhe largimi i ditës” [El Mexhmu. Ky sqarim përmendet dhe në librat: Sherh Sahih Muslim, Mevahibul Xhelil, Hashijetul reudil murbi etj.]
Rasti kur disku i diellit fshihet pas kodrës, pas malit apo pas një ndërtese të madhe, por nga ana tjetër duken rrezet e tij në anën nga lind dielli dhe në majat e maleve e të kodrave, ky rast pra nuk quhet perëndim dielli as fetarisht, as logjikisht dhe as konkretisht. Këtë gjë e ka përmendur edhe shejh Albani në një prej kasetave të serisë “el Huda ven Nur”.
Po si është koha e akshamit në krahasim me atë që shënohet në kalendarë?
Kalendari e shënon kohën e akshamit disa minuta më vonë, por minutat e vonesës ndryshojnë nga një vend në tjetrin, pasi dihet se perëndimi i diellit nuk është për të gjitha vendet njësoj; përshembull, për atë që e shikon perëndimin e diellit nga mali i Dajtit, ose nga Kërraba, perëndimi mund të shkojë deri në 2-4 minuta përpara asaj që shënohet në kalendarë ose njëherësh me të, madje në ndonjë vend dielli mund të perëndojë pas asaj që shënohet në kalendarë; për atë që e shikon në fshatrat më poshtë lartësisë së maleve perëndimi i diellit është përafërsisht katër deri në tetë minuta para kalendarit; për ata që ndodhen në bregdet është përafërsisht 5 minuta para kalendarit. Këto unë i kam konstatuar vetë nga vrojtimi i perëndimit të diellit në pika dhe vende të ndryshme të vendit. Prandaj, nuk lejohet të merret për bazë kalendari, sepse vonohet koha e namazit të akshamit dhe koha e çeljes disa minuta, e kjo është në kundërshtim me sunetin. Nëse njeriu e respekton kalendarin deri në atë masë sa që, edhe pse shikon perëndimin e diellit apo e merr vesh sigurtë atë, e vonon ezanin e akshamit ose çeljen e agjërimit derisa të hyjë koha sipas kalendarit, kjo është bidatë në fe, siç do të sqaroj dhe më pas. E nëse kalendari përdoret thjeshtë për lehtësim, sikurse ora e dorës, duke e korigjuar rregullisht në bazë të perëndimit të diellit dhe shenjave të tjera për kohët e namazeve të tjera, kjo s’ka gjë.
Këtu mund të shtrohet një pyetje: Nëse do të merret parasyshë ky ndryshim, atëherë i bie që të kemi ndryshim në hyrjen e kohës së namazit edhe për zonat që janë afër njëra-tjetrës?
Ndryshimi i hyrjes së kohës së namazit nga një vend në tjetrin dhe nga një zonë në tjetrën në varësi të perëndimit të diellit në secilin vend a zonë është krejt i natyrshëm dhe në përputhje me sunetin e Pejgamberit ﷺ, kurse njësimi i kohës për këto vende a zona të ndryshme është në kundërshtim me sunetin, është bidatë. Prandaj, themi se në çdo vend e në çdo zonë duhet të thirret ezani dhe të çilet agjërimi atëherë kur perëndon dielli atje, pa marrë parasyshë vendet dhe zonat e tjera. Kështu, ata që janë në bregdet do të çelin atëherë kur shohin perëndimin e diellit, përafërisht pesë minuta para kalendarit; ata që ndodhen në fshatrat apo kodrat me një lartësi mesatare nga niveli i bregdetit, përsëri do të çelin kur shohin perëndimin e diellit, që sipas vrojtimit tim në vende të tilla dielli perëndon para kalendarit nga katër deri në tetë minuta në varësi të stinëve; ata që ndodhen në malin e dajtit apo në kërrabë do të çelin kur të shohin perëndimin prej atje, që i bie përafërisht dy minuta para kalendarit, ose diçka më shumë se kaq, ose njëherësh me të; ata që ndodhen pas një kodre, pas një mali, apo në një luginë ku nuk e shohin dot perëndimin e diellit do të çelin kur të mos shohin më aspak rreze dielli në majat e kodrave dhe të maleve apo në anën e lindjes, qoftë dhe nëse kjo shkon vetëm dy minuta para kalendarit apo njëherësh me kalendarin, sepse kjo është hyrja e kohës për ta.
Është sunet falja e akshamit në fillimin e kohës pa vonesë. Seleme Ibn Ekva tregon se Pejgamberi ﷺ, e falte namazin e akshamit kur perëndonte dielli. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas variantit të Ebu Daudit, Seleme Ibn Ekva tregon: “Pejgamberi ﷺ, e falte namazin ekshamit kur perëndonte dielli; kur fshihej plotësisht edhe pjesa e sipërme e diskut të dilleit”. Rafi’ Ibn Hadixh tregon: “Aq herët e falnim namazin me Pejgamberin ﷺ, sa ndonjëri prej nesh mbasi largohej nga xhamia, arrinte të shikonte vendin ku binin shigjetat”. Domethënë se Pejgamberi ﷺ, e falte herët namazin e akshamit, me të perënduar dielli, aq sa mbasi largoheshim që andej, ndonjëri hidhte me hark shigjetën dhe arrinte të shikonte vendin ku ajo binte për shkak se kishte ende dritë. Neveviu thotë: “Këto dy hadithe tregojnë se akshami falet pa vonesë pas përëndimit të diellit. Për këtë fakt ka ixhma të dijetarëve.”
Ukbeh Ibn Amir tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Umeti im do të vazhdojë të jetë në fitra (rrugën e sunetit), ose do të vazhdojë të jetë mirë, për sa kohë që nuk e vonojnë akshamin derisa të përzihen yjet (nga shfaqja e shumtë e tyre në qiell)”. Domethënë: përderisa nuk e vonojnë akshamin derisa të bjerë errësira. Edhe ky hadith dëshmon për pëlqyeshmërinë e shpejtimit për faljen e namazit të akshamit dhe papëlqyeshmërinë e vonimit të tij derisa të bjerë errësira, kohë kjo kur yjet shafqen aq shumë sa duken si të përzier me njëri-tjetrin. Ebu Mahdhure tregon: “Pejgamberi ﷺ, më tha: “Kur të thërrasësh ezanin për namazin e akshamit , thirre shpejt me të perënduar dielli”. Shënon Taberani. Albani ka bërë të qartë se hadithi kondsiderohet i pranueshëm duke marrë parasyshë faktin se përforcohet nga hadithi i Seleme Ibn Ekva.
Mirëpo shpejtimi për faljen e namazit të akshamit nuk do të thotë që menjëherë pas thirrjes së ezanit të thirret ikameti pa lënë kohë për faljen e dy suneteve ndërmjet ezanit dhe ikametit sikurse bëhet në disa xhami. Dihet që ka dy sunete para akshamit, por jo të forta. Abdullah Ibn Mugafel thotë: Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Faluni para akshamit, faluni para akshamit, faluni para akshamit” Por në herën e tretë tha: “Urdhëri është për atë që ka dëshirë”, nga frika se mos njerëzit e merrnin si punë që nuk lihet. Shënon Buhariu. Enesi tregon: Pasi thërriste muezini ezanin, disa shokë të Pejgamberit ﷺ nxitonin të zinin shtyllat e xhamisë (për faljen e suneteve) derisa dilte Pejgamberi ﷺ, Ata vazhdonin kështu duke falur dy rekatet para akshamit. Ndërmjet ezanit dhe ikamet nuk kishte veçse pakëz kohë”. Sipas një varianti tjetër: Dikush tha: “Ai falte Pejgamberi këto dy rekate?” Enesi tha: “Ai na shikonte duke i falur dhe as nuk na urdhëronte e as nuk na ndalonte”. Shënon Muslimi. Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Lër njëfarë kohe ndërmjet ezanit dhe ikametit; aq sa të kryej nevojën me qetësi e pa u ngutur ai që ka shtrëngim për të dalë jashtë dhe aq sa të përfundojë ushqimin pa u ngutur ai që është duke ngrënë”. Shënon Tirmidhiu. Albani thotë se hadithi është i mirë [Silsiletu sahiha]. Atëherë, nga këto hadithe mësohet se duhet të lihet ndërmjet ezanit të akshamit dhe ikametit aq kohë sa mund të falen dy rekate.
Është sunet shpejtimi për çeljen e agjërimit me të perënduar dielli. Sehl Ibn Sadi tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë për sa kohë që shpejtojnë iftarin”. Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Sipas variantit që sjellin Ibn Huzejme dhe Ibn Hibani, Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Umeti im do të vazhdojë të jetë në rrugën time për sa kohë që nuk do të presin për të çelur shfaqjen e yjeve”. Senedi i këtij varianti është i saktë. Në variantin e Ibn Huzejmes ka edhe shtojcë të ndërfutur në të cilën thuhet: “Kur ishte agjërues, Pejgamberi ﷺ, urdhëronte një burrë që të ngjitej mbi diçka. Kur ky burrë thoshte: perëndoi dielli, Pejgamberi ﷺ, çilte”. Sipas versionit të Hakimit vetë Sehli tregon se kur Pejgamberi ishte agjërues, urdhëronte një burrë të ngjitej në një vend të lartë, dhe kështu, kur thoshte ky burrë se ka perënduar dielli, Pejgamberi ﷺ, çilte.
Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kjo fe do të vazhdojë të ngadhënjejë, të jetë e lartë dhe të jetë e dukshme për sa kohë që njerëzit do të shpejtojnë iftarin, ndryshe nga judejtë dhe të krishterët, të cilët e vonojnë iftarin”. Shënojnë Ebu Daudi, Ahmedi, Ibn Maxhe, Ibn Huzejme dhe Ibni Hibani. Sipas Albanit isnadi i hadithit është i mirë.
Ibn Abasi thotë: Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Ne pejgamberët jemi urdhëruar të shpejtojmë çeljen, të vonojmë syfyrin dhe të vendosim dorën e djathtë mbi dorën e majtë në namaz”. Shënon Ibn Hibani. Hadithi është i saktë.
Ummu Hakim tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Shpejtojeni iftarin dhe vonojeni syfyrin”. Albani thotë se hadithi është i saktë.
Për shpejtimin në çeljen e agjërimit dëshmojnë dhe dy hadithet e mësipërme të Ibn Ebi Eufas dhe Umer Ibn Hatabit.
Enese Ibn Malik thotë: “Pejgamberi ﷺ, çilte me disa hurma arabie të buta, para se të falte namazin. Nëse nuk kishte hurma të buta, çilte me ca hurma të thata. Nëse nuk kishte hurma të thata, pinte disa herë ujë”. Shënojnë Ahmedi dhe Ebu Daudi.
Enesi gjithashtu tregon: “Kur ishte agjërues Pejgamberi ﷺ, nuk e falte namazin pa çelur qoftë dhe duke pirë një herë ujë”. Sipas variantit të Ebu Ja’lasë, Ibn Huzejmes dhe Ibn Hibanit, Enese thotë: “Nuk e kam parë kurrë Pejgamberin ﷺ, të falte akshamin pa çelur, qoftë dhe duke pirë një herë ujë”. Albani thotë se hadithi është i saktë.
Ebu Atije tregon: “Hyra bashkë me Mesrukun në shtëpinë e Aishes, radijallahu anha, dhe i thamë: “O Nëna e besimtarëve! Dy burra prej shokëve të Muhamedit ﷺ: njëri prej tyre e shpejton iftarin dhe namazin, kurse tjetri e vonon iftarin dhe namazin. Ajo pyeti: “Cili prej tyre e shpejton iftarin dhe namazin?” I thamë: “Abdullah ibn Mesud”. Ajo tha: “Kështu bënte dhe i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ,”. Kurrejbi ka shtuar se sahabiu tjetër ishte Ebu Musa. Shënon Muslimi.
Abdurrezaku sjell me isnad të saktë se Amër Ibn Mejmun el Eudi ka thënë: “Shokët e Muhamedit ﷺ, kanë qenë njerëzit më të shpejtë në çeljen e agjërimit dhe më të ngadaltë në syfyrë.” Për më shkoqur, çelja para namazit të akashamit është transmetuar nga Ibn Abasi, Enesi, Ebu Berrze Eslemiu, Ibn Umeri dhe Ebu Saidi. Dëshmitë e tyre i shënon Farjabiu.
Atëherë, nga hadithet mësohet se suneti është që çelja të bëhet para namazit të akshamit. Nëse muezini e vonon ezanin, agjëruesi nuk ka pse të presë, por sipas sunetit çel me të perënduar dielli. Madje edhe nëse muezini e thërret ezanin me të perënduar dielli, agjuruesi çel që në fillimin e ezanit pa pritur përfundimin e tij.
Agjëruesi çel kur bindet për perëndimin e diellit. Por lejohet të çelë edhe kur mendon se mundësia më e madhë është që të ketë perënduar dielli. Si argument për rastin e fundit kemi hadithin e Esmasë e cila tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, në një ditë me re ne çelëm dhe pastaj u hapën retë dhe u shfaq dielli. Dikush pyeti Hishamin (një transmetues të hadithit që është dhe nipi i Esmasë): A u urdhëruan njerëzit për zëvendësimin e asaj dite? Hishami tha: “Patjetër duhet të zëvendësohet”. Muameri ka thënë: “Kam dëgjuar Hishamin të thotë se nuk e di nëse e zëvendësuan atë ditë apo jo”. Ibn Tejmije thotë: “Ky hadith tregon për dy gjëra, njëra prej të cilave se nuk është e pëlqyeshme në kohë me re që të vonohet çelja e agjërimit derisa të krijohet bindje e plotë për perëndimin e diellit, pasi sahabët nuk e bënë diçka të tillë dhe as Pejgamberi ﷺ, nuk i urdhëroi për të. Sahabët që shoqëruan Pejgamberin ﷺ ka qenë më të ditur dhe më të dëgjueshëm ndaj Allahut dhe Pejgamberit të tij ﷺ, sesa ata që erdhën më pas. E dyta, se nuk është detyrë zëvendësimi i ditës së agjërimit në një rast të tillë, sepse nëse Pejgamberi ﷺ, do t’i kishte urdhëruar për zëvendësimin e kësaj dite, ky lajm do të ishte përhapur ashtu sikurse u transmetua lajmi se i çeljes së tyre. Përderisa nuk është transmetuar diçka e tillë, kjo tregon se Pejgamberi ﷺ, nuk i ka urdhëruar për të. Për faktin se, kur dikush pyeti Hishamin nëse sahabët ishin urdhëruar për zëvendësimin e asaj dite apo jo, ai tha: “Patjetër duhet të zëvendësohet”, themi se Hishami shprehu mendimin e vet; ai nuk e ka transmetuar këtë gjë në hadithë. Për faktin se ai nuk ka pas dijeni për këtë gjë tregon dhe dëshmia që sjell Muameri i cili thotë: “Kam dëgjuar Hishamin duke thënë: “Nuk e di nëse e zëvendësuan atë ditë apo? Të dyja këto transmetime i sjell prej tij Buhariu. Këtë hadith Hishami e transmeton nga e ëma, Fatime Binti Mundhir, e kjo nga Esmaja. Hishami vetë ka transmetuar se babai i tij, Urve, ka thënë që ata nuk u urdhëruan për ta bërë kaza atë ditë. Urve është më i ditur sesa i i biri.” [Mexhmuul fetava v.25]. Kështu, nëse agjërues çel duke menduar se mundësia më e madhe është që të ketë perënduar dielli, e pastaj bëhet e qartë se nuk ka pas perënduar, ai nuk e zëvendëson këtë ditë.
Ndërsa nëse njeriu dyshon në perëndimin e diellit, atij nuk i lejohet të çelë derisa të bindet për perëndimin e tij ose të krijojë mendimin se mundësia më madhe është që dielli ka perënduar. Nëse çel me dyshim në perëndimin e diellit, quhet gjynahqarë. Kjo ditë agjërimi nuk i quhet përveç nëse bëhet e qartë se çelja është bërë pas perëndimit të diellit. [el Muhala dhe el Mugni].
Çelja para hyrjes së kohës është një prej gjynaheve të mëdha. Ebu Umame thotë: “Kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ, duke thënë: “Ndërsa isha në gjumë shikova në ëndër se më erdhën dy burra, më morën për krahësh dhe më çuan tek një mal i thyer e më thanë: “Ngjitu!” Thashë: “Nuk mundem”. Më thanë: Ne do ta bëjmë të lehtë”. Kështu, u ngjita dhe kur arriti në majën e malit, dëgjova britma të forta. Thashë: “Ç’janë këto britma?” Më thanë: “|Janë ulërimat e banorëve të zjarrit”. Pastaj, duke vazhduar rrugën me ta, pashë disa njerëz të varur për dellet e thembrave, të cilëve u ishin shqyer qoshet e gojës dhe u rridhnin gjak?” Thashë: “Kush janë këta?” Thanë: “Janë ata që çelin para kohës së iftarit”. Shënojnë Nesaiu në sunenul kubra, Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe Hakimi. Albani thotë se është i saktë.
Nëse muezini apo agjëruesi sigurohet për perëndimin e diellit, qoftë me vrojtimin e vet apo me informim të sigurtë, e megjithëkëtë e vonon thirrjen e ezanit ose çeljen me mendimin ose bindjen se duhet të pritet diçka pas perëndimit të diellit apo derisa të hyjë koha sipas kalendarit, ky është bidatë në fe. Ibn Haxheri thotë: “Nga bidatet e dënueshme është dhe shpikja që kanë bërë në këtë kohë, kur e thërrasin ezanin e dytë në ramazan rreth një të tretën e orës para agimit dhe fikin edhe dritat të cilat janë bërë shenjë për ndalimin e ushqimit dhe pijes për ata që kanë ndërmend të agjërojnë. Ai që e ka shpikur këtë gjë pretendon se kjo bëhet për të treguar më shumë siguri për ibadetin, por këtë gjë e dinë veç disa idividë. Kjo shpikje i ka shtyrë që edhe ezanin e akshamit ta thërrasin veçse pasi kalon një gradë këndore pas perëndimit të diellit, me pretendimin se duhet të kalojë njëfarë kohë pas perëndimit të diellit. Kështu, ata e vonojnë çeljen, hanë syfyrë herët dhe kundërshtojnë sunetin. Prandaj, mirësia tek ata gjendet me pakicë, ndërsa e keqja gjendet me shumicë. Allahut i kërkojmë ndihmë” [Fet’hul Bari].
Problemin që përmend Ibn Haxheri ne e hasim në kalendarin e KMSH-së si për kohën e imsakut edhe për kohën e akshamit. Është mirësi nga Allahu që interesimi i rinisë që pason sunetin për vonimin e syfyrit dhe për shpejtimin e çeljes, me vetëdijen se kalendari i ka shënuar gabim, ka ekzistuar që me fillimet e thirrjes në sunet rreth njëzet vite më përpara. Por nëse vazhdon interesimi i pasuesve të sunetit që prej asaj kohe për vonimin e syfyrit dhe faljen e sabahut në kohën e vet, për shpejtimin e iftarit ka njëfarë zbehje të interesimit në shumë xhami, e kjo nuk është shenjë e mirë.
Koha e namazit të akshamit mbaron kur perëndon e kuqja në horizontin ku perëndon dielli, siç tregon hadithi i mësipërm i Abdullah Ibn Amrit. Në vijën horizontale perëndimore pas perëndimit të diellit mbetet një e kuqe për njëfarë kohe dhe pastaj zhduket. Kur zhduket kjo e kuqe, mbaron koha e akshamit dhe hynë koha e jacisë. Atëherë për të mësuar mbarimin e kohës së akshamit dhe hyrjen e kohës së jacisë duhet të vrojtosh të kuqen që mbetet në horizontin ku perëndon dielli, në momentin kur zhduket kjo e kuqe mbaron koha e akshamit. Pas zhdukjes së të kuqes mbetet në horizontin kur perëndon dielli një dritë e bardhë, por dispozita e mbarimit të kohës së akshamit dhe hyrjes së kohës së jacisë ka të bëjnë me perëndimin e të kuqes dhe jo të bardhës. Nga vrojtimi që bëra para disa ditësh kjo e bardhë u zhduk përafërsisht njëzet minuta pas të kuqes. Koha kur zhduket e kuqja pas perëndimit të diellit ndryshon në varësi të stinëve, prandaj nuk mund të bëjmë një përcaktim të prerë se kur zhduket për çdo muaj apo stinë. Sikurse për kohët e tjera të namazit edhe për mbarimin e kohës së akshamit dhe hyrjen e kohës së jacisë duhet të vëzhgohet humbja e të kuqes; në momentin kur ajo humb, hynë koha e jacisë.
Gabimi i kalendarit për kohën e jacisë në periudhën e verës është me një diferencë mjaft të madhe, pasi hyrja e kohës së jacisë, sipas kalendarit, shkon deri në rreth dy orë pas akshamit, ndërkohë që nga vrojtimi që i bëra kohës së jacisë më 19 qershorë nga një kodër në mamurras, afër bregdetit, vërejta se e kuqja u zhduk përafërsisht 45 minuta para kohës që shënohet në kalendarë. Më 28 qershor e shikova kohën e jacisë nga një kodër në rrethinat e Tiranës dhe vura re se e kuqja humbte përafërsisht 50 minuta para kohës që shënohet në kalendarë.
Ibn Tejmije thotë: “Koha e jacisë hynë kur zhduket e kuqja në horizont. Por aty ku ka ndërtesa vonohet për siguri derisa të perëndojë e bardha, pasi ka mundësi që e kuqja të mos të duket nëse vrojtohet nga një vend me ndërtesa, e kështu kur perëndon e bardha vërtetohet me siguri edhe perëndimi i të kuqes [Mexhmuul fetava v. 22].
Velhamdulilah vesalatu veselamu ala resulilah.
Shkruar nga Ismail bardhoshi
Ismail Bardhoshi
————————————-
[1] Ashtu sikurse shfaqet agimi për hyrjen e kohës së sabahut në anën e lindjes, ndërkohë që gjithandej ka errësirë, po ashtu shfaqet errësira në anën e lindjes kur hynë koha e akshamit, kur perëndon dielli, ndërkohë që gjithandej ka ditë.
[2] Është shtojcë që kuptohet nga konteskti dhe sqarimet e Neveviut në vende të tjera.