Pyetja:

A lejohet festimi i ditëlindjes dhe a ka efekte negative mbi identitetin tonë si muslimanë?

***

Përgjigjja:

Nuk ka ndonjë argument të drejtpërdrejtë që nxit për festime të tilla, por nga ana tjetër nuk ka as argument të posaçëm që e ndalon atë. Kështu që çështja i referohet tradites dhe riteve zakonore. A është festimi i ditëlindjes një traditë zakonore që nuk bie ndesh me Sheriatin Islam? Apo është një traditë e huaj që lidhet me një identitet të huaj? Çështja kthehet te vetë struktura e ditëlindjes dhe mënyrës apo formës së urimit ose festimit. Çfarë kuptojnë njerëzit me festim të ditëlindjes? A bëhet fjalë për një urim të thjeshtë? A bëhet fjalë për një reflektim për të falënderuar Allahun për mirësitë e shumta që ju ka dhënë apo për ndonjë festim me formë dhe trajtë të veçantë?

Profeti ﷺ ka thënë: “Kush i përngjason një populli ai është prej tyre.” [1]

Nëse në ditën e lindjes praktikohen veprime që ju përkasin kulturave dhe identiteteve të ndryshme jo-islame, atëherë muslimani është përfshirë me dashje ose padashje, me qëllim ose pa qëllim, në përngjasime të qortuara fetarisht. Ndoshta njeriu nuk i kushton rëndësi shumë veprimeve duke menduar se ato janë të thjeshta, se të tilla veprime apo rite i praktikojnë shumica e njerëzve, etj, mirëpo janë të pakët ata njerëz të cilët janë përherë vigjilentë për të ruajtur të pacënuar dhe të papërzier identitetin e tyre islam. Sot vërejmë shumë muslimanë të cilët e kanë humbur identitetin e tyre në aparancë, në jetesë, në praktika dhe në rite të ndryshme, pikërisht sepse janë treguar tolerant te çështja e përngjasimit dhe ruajtjes së identitetit. Nga ana tjetër të njëjtët persona mburren se janë muslimanë, pra pretendojnë Islamin, ndërkohë që në praktikë njëkohësisht kanë humbur identitetin islam. Vërejmë gjithashtu se shumë muslimanë e kryejnë praktikimin e fesë brenda mureve të xhamisë, ndërkohë që jashtë xhamisë nuk mund t’i dallosh nga të tjerët nëse janë besimtarë apo jobesimtarë, nëse janë praktikantë apo jo-praktikantë, nëse janë njerëz që dëshirojnë të jetojnë si muslimanë apo nuk duan. Thënë ndryshe, shumë prej tyre e pretendojnë dashurinë për Islamin duke jetuar një jetë të vërtetë laike në jetën e përditshme . Teknikisht shkaku kryesor për këtë është edhe imponimi i përzierjes së identiteteve në jetën e përditshme, por fetarisht shkaku më kryesor është mospasja parasysh e hadithit profetik, ku Profeti ﷺ ka thënë:

“Do të ndiqni rrugën  e atyre që ishin para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe, krah pas krahu dhe sikur ata të futeshin në strofullën e hardhucës do t’i ndiqnit nga pas.” [2]

Ndërkohë Profeti ﷺ ishte vigjilent dhe tepër i kujdesshëm, që të mos i përngjante popujve të tjerë, por të ruante indentitetin islam me sa të mundej deri në gjërat më të thjeshta, si për shembull rastin, ku ai thotë:

“Vërtet çifutët dhe të krishterët nuk i lyejnë flokët dhe mjekrat  e tyre, prandaj kundërshtojini ata.” [3]

Pikërisht këtë gjë e vunë re edhe hebrenjtë, që jetonin në Medine dhe thanë: “Çfarë kërkon ky njeri, që për çdo gjë tonën do të bëjë të kundërtën.” [4]

Kështu që në rastin e ditëlindjes, nëse veprohen praktika ose festime individuale ose kolektive, me forma ose trajta që iu përkasin traditave dhe zakoneve të jomuslimanëve, atëherë është rënë në përngjasim, pa marrë parasysh është bërë me dashje ose pa dashje, me qëllim ose pa qëllim. Ndërkohë përngjasimi është një vepër e qortuar në Fenë Islame, ku në varësi të qëllimit ose llojit disa dijetarë e shikojnë si vepër të papëlqyer (mekruh), ose si vepër të ndaluar (haram).  Sido që të jetë, duhet të kuptojmë thelbin  e çështjes, se nëse këto praktika bëhen të shfaqura dhe përhapen në formë të madhe, aq sa në aparencë muslimanët po ndryshojnë dukshëm dhe nuk po ruhet më identiteti i tyre, atëherë gjykimi i Sheriatit ndryshon nga mekruh në haram, ose nga haram në kufër (mosbesim), sipas llojit të përngjasimin ose qëllimit.

Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Allahu e di më së miri.

———————————–

[1] Ebu Davudi

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Buhariu dhe Muslimi

[4] Muslimi