Pyetja:

Disa njerëz vijnë në mesxhid (xhami), me fëmijët e tyre, të cilët nuk e kanë arritur moshën në të cilën do të mund të faleshin siç duhet. Këta fëmijë, futen në radhët e atyre që janë duke u falur, duke i trazuar dhe shqetësuar ata. Andaj, çfarë është vendimi mbi këtë çështje? Dhe cila është këshilla juaj drejtuar këtyre prindërve?

***

Përgjigjja:

Unë mendoj se marrja në xhami e fëmijëve, të cilët do t’i trazonin ata që janë duke u falur, nuk është e lejuar, sepse muslimanët janë duke e kryer një detyrë nga detyrat e Allahut. Profeti ﷺ dëgjoi disa nga shokët e tij teksa po luteshin dhe po përsëritnin me zë të lartë, andaj ai tha: “Mos e ngrini zërin mbi njëri-tjetrin gjatë recitimit.”

Në një hadith tjetër, Pejgamberi ﷺ tha: “Mos e lëndoni (apo shqetësoni) njëri-tjetrin.”
Pra, çdo gjë që përmban diçka që i shqetëson ata të cilët janë duke u falur, nuk i lejohet njeriut ta bëjë. Prandaj, këshilla ime, drejtuar prindërve të këtyre fëmijëve, është që të mos i marrin ata në mesxhid (xhami), dhe të kërkojnë udhëzim në atë që Profeti ﷺ urdhëroi, kur tha: “Urdhëroni fëmijët tuaj të falin namazin, kur të jenë shtatë vjeç; rrihni ata, nëse nuk falen, kur të jenë dhjetë vjeç.”

Gjithashtu, këshilloj njerëzit në mesxhid (xhami) që t’i hapin zemrat e tyre për fëmijët, ardhja e të cilëve është e lejuar me Sheri’at. Ata nuk duhet t’ia vështirësojnë atyre gjërat apo t’i largojnë prej rreshtit të faljes, nëse ata kanë ardhur të parët. Vërtet, cilido që vjen i pari në diçka, ai ka më së shumti të drejtë në të, qoftë ai fëmijë apo i rritur. Largimi i fëmijëve nga vendet e tyre në rresht përmban:
1) Mospërfillje të së drejtës së tyre, sepse kushdo që vjen i pari në diçka – të cilin askush prej muslimanëve nuk e ka kaluar – atëherë ai ka më së shumti të drejtë në të.
2) Kjo i bën ata të heqin dorë nga vizita e mesxhideve (xhamive).
3) Kjo përmban mundësinë që fëmija të ushqejë urrejtje ndaj personit i cili e largoi atë nga vendi, në të cilin erdhi i pari.
4) Kjo çon në grumbullimin e fëmijëve, në një rresht, dhe ata përfundojnë duke luajtur dhe duke shqetësuar njerëzit në mesxhid (xhami). Kjo nuk do të ndodhte, nëse fëmijët do të ishin në mesin e të rriturve.

Për sa i përket asaj çka disa dijetarë kanë argumentuar lidhur me largimin e fëmijës nga vendi i tij dhe të detyruarit atë të qëndrojë në rreshtin e fundit, në mesxhid (xhami), duke përdorur si dëshmi thënien e Profetit ﷺ: “Le të jenë më afër meje, në namaz, ata të cilët kuptojnë dhe janë të mençur”, ky mendim nuk është i saktë dhe është në kundërshtim me thënien e Profetit ﷺ: “Kushdo që vjen i pari në çka askush nuk ia ka kaluar, atëherë ai ka më së shumti të drejtë në të.” Gjithashtu, dëshmia e përdorur nga ata, thënia e Profetit ﷺ: “Le të jenë më afër meje, në namaz, ata që kuptojnë dhe ata të mençurit”, nuk mjafton në këtë rast, sepse qëllimi i këtij hadithi është nxitja e atyre që kuptojnë dhe që janë të mençur të vijnë përpara, që ata do të mund të jenë më afër Profetit ﷺ. Kjo, sepse ata janë më të aftë të kuptojnë sesa të rinjtë, dhe janë më të aftë të kuptojnë atë që panë tek Profeti ﷺ dhe çka dëgjuan prej tij. Profeti ﷺ nuk tha:“Askush, përveç atyre që kuptojnë dhe janë të mençur, nuk duhet të jenë afër meje, në namaz.” Nëse Profeti ﷺ të kishte thënë: “Askush, përveç atyre që kuptojnë dhe të mençurve, nuk duhet të jenë afër meje, në namaz,” atëherë mendimi i largimit të fëmijëve, nga vendet e tyre, përpara rreshtave, do të ishte i pranueshëm. Mirëpo, mënyra, në të cilën ky hadith është shprehur, është thjesht urdhri i tij për ata të cilët kuptojnë dhe janë të mençur të vijnë përpara, që ata të mund të jenë më afër të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Shejh Ibn Uthejmin, “Fetaua Islamije” vëll. 3