Pyetja:
A ka mundësi që, kur të marr abdes, t’i japë mes’h një pjese të vogël të kokës mbrapa kokës e jo dhe përpara?
***
Përgjigjja:
Malikitë dhe Hanbelitë konsiderojnë se është obligim t’i jepet mes’h krejt kokës, dhe ata citojnë disa gjëra si dëshmi për këtë: “Allahu thotë: “Fshini (duke kaluar duart e lagura në) kokat tuaja’, gjë që përshin krejt kokën. Ky ajet i referohet krejt kokës dhe është sikurse fraza ku Allahu thotë lidhur me tejemumin: “Pastaj merrni tejemum me dhê të pastër dhe fshini me të fytyrat dhe duart tuaja.” (Ma’ide, 6)
Krejt fytyra duhet të fshihet në tejemum dhe e njëjta gjë vlen për kokën në këtë rast”.
(Mexhmu el-Fetaua 21/125)
Ibn AbdulBerri ka thënë: “Fukahatë kanë dalluar lidhur me atë që i jep mes’h vetëm
një pjesë të kokës. Maliku ka thënë: ‘Ajo çfarë duhet bërë është që t’i jepet mes’h krejt kokës dhe, nëse lihet një pjesë, kjo është sikur të mos lahet një pjesë e fytyrës’.
Ky është mendimi i mirënjohur në medhhebin e Malikut. Ky, po ashtu, është mendimi i Ibn Ulijjes. Ibn Ulijje tha: ‘Allahu urdhëroi për t’i dhënë mes’h kokës në abdes ashtu siç na urdhëroi të fshijmë fytyrën në tejemum dhe ta lajmë atë në abdes’. Ata (Malikitë) janë të një mendjeje se s’është e lejueshme të lahet vetëm një pjesë e fytyrës në abdes apo të fshihet vetëm një pjesë të saj në tejemum”. (Temhid, 20/114)
Hanefitë dhe Shafitë konsiderojnë se mjafton t’i jepet mes’h vetëm një pjese të kokës, dhe cituan si dëshmi këtë në vijim: “Allahu thotë: ’Fshini (duke kaluar duart e lagura në) kokat
tuaja (ue’msehu bi ru’usikum)’. Shkronja ba (para fjalës ru’usikum/kokat tuaja) tregon diçka të pjesshme, sikur të thuhej: Lani një pjesë të kokave. Përgjigja ime ndaj kësaj është të përmendi se ba nuk tregon për diçka të pjesshme, por i referohet ngjitjes ndaj një gjëje,
dmth se është e obligueshme që një pjesë e ujit me të cilin i jepet mes’h kokës të mbetet/ngjitet në kokë”. (Mexhmu el-Fetaua 21/123)
Ibn el-Kajjim në Zaad el-Me’ad (1/193) shkruan: “S’ka transmetim që Pejgamberi ﷺ t’i ketë dhënë mes’h vetëm një pjese të kokës. Por, nëse ai i jepte mes’h ballukeve, ai e përfundonte mes’hin duke fshirë mbi turbanin e tij”.
Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: “Mes’hi mbi balluket mjaftonte këtu, sepse ai, gjithashtu, i jepte mes’h turbanit njëkohësisht. Kështu, kjo nuk tregon se është e lejueshme t’i jepet mes’h vetëm ballukeve”. (Sherh el- Mumti’ 1/178)
Në fetvanë e Komisonit të Përhershëm (5/227) thuhet: “Është e obligueshme t’i jepet mes’h krejt kokës, kur të merret abdesi, sepse Allahu thotë: ’Fshini (duke kaluar duart e lagura në) kokat tuaja’, dhe për shkak të transmetimit në Buhari dhe në Muslim nga Abdullah ibn Zejd ibn Asim, ku përshkruhet abdesi: ‘I Dërguari i Allahut ﷺ i dha mes’h kokës duke i lëvizur duart përpara dhe së prapthi’ – sipas një versioni tjetër: ‘Ai fillonte në pjesën e përparme të kokës, derisa i çonte (duart) në pjesën e prapme e pastaj i kthente në vendin ku ia niste’”.
Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: “Nëse i jepet mes’h vetëm ballukeve e jo pjesës tjetër të kokës, kjo nuk mjafton, sepse Allahu thotë: ’Fshini (duke kaluar duart e lagura në) kokat tuaja’ e nuk tha: ‘… një pjesë të kokës”.
Shejh Ibn Uthejmin, “Sherh el-Mumti” (1/187)