Pyetja:
Nëse vajza e arrin kohën e martesës, a i lejohet kujdestarit të saj që ta martojë atë pa dëshirën e saj?
***
Përgjigjja:
Nuk i lejohet kujdestarit të vajzës që ta martojë atë pa dëshirën e saj. Kështu që nëse ajo është e papjekur dhe është detyruar që të martohet, atëherë ajo ka të drejtë që të kërkojë prishjen e aktit pasi që të jetë pjekur fizikisht dhe mendërisht. Ngase në kohën e Pejgamberit ﷺ, një vajzë qe martuar kundër dëshirës së saj dhe pas martesës, ajo ka shkuar te Pejgamberi ﷺ, dhe i ka thënë: “O i dërguar i Allahut! Babai im, për ta ngritur famën e vet, më ka martuar me një njeri që unë e urrej”. Pejgamberi ﷺ, ia prishi asaj martesën.
Për këtë shkak nuk i lejohet kujdestarit të vajzës që ta detyrojë atë në martesë, pa marrë parasysh se a e ka arritur kohën e pjekurisë, apo është e lëshuar (nga burri i mëhershëm), apo është martuar e pastaj ka mbetur vejushë. Por, ai e ka për obligim që ta orientojë atë në atë që është më hajr për fenë dhe ahiretin e saj?
Pejgamberi ﷺ, thotë: “Nuk ka martesë (legjitime) vetëm se me kujdestar dhe dy dëshmitar”, dhe ka thënë: “Mos i detyroni gratë e juaja, por kërkoni leje prej tyre”, si dhe ka thënë: “Heshtja e saj është lejim”.
Kështu që këto janë rregulla dhe kushte që duhet çuar në vend. Ndonjëherë ndodhin disa kundërvajtje në sheriat, si kur babai i vajzës e dëmton atë duke ia vonuar martesën për leverdi materiale, apo për shkak se kërkuesi i dorës së saj është njeri i varfër që nuk ia rritë famën atij (kujdestarit), kështu që dëmtohet vajza. Në këso raste, ligji ia lejon asaj që ajo vetë të martohet, ngase Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Çdo grua e cila e marton vetveten e saj pa leje të kujdestarit, martesa e saj është e kotë, martesa e saj është e kotë, martesa e saj është e kotë! E nëse kundërshtohen, atëherë imami (udhëheqësi fetar) është kujdestar i atij që nuk ka kujdestar”.
E kjo vajzë, të cilën e ka ndaluar babai i saj nga martesa për ndonjë shkak material të qartë, çështja e saj ngrihet tek gjykatësi ligjor. Ai e dërgon dikë tek prindi i saj për të hulumtuar shkakun përse ai e ka penguar martesën e saj. Nëse ai (gjykatësi) dëgjon prej tij (kujdestarit) ndonjë shkak të arsyeshëm, sikur (ta ketë ndaluar) për shkak se kërkuesi i dorës ka qenë bidatçi, apo lënës i namazit, apo konsumues i alkoolit, atëherë gjykatësi nuk i kundërvihet atij. Por, nëse dëgjon prej tij shkaqe të paligjshme, në këtë rast gjykatësi e merr përsipër martesën e saj.
Shejh Albani, Revista “el-Esaleh” 6/69, 15 Sefer, 1414h.
Përktheu: Zejd Haziri