Pyetja:
A është mëkat që t’ia shprehësh dashurinë një djali që e do? Unë s’po mundem pa ia shprehur dashurinë, jam munduar ta harroj po nuk kam mundur.
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Motër e nderuar, ju duhet të jeni më e vetëdijshme dhe të mos emocionoheni tej mase, pasi këto përjetime dhe shqetësime me të cilat e mundoni veten nuk sjellin asnjë dobi për askënd, aq më pak për ju. Kur ju jepeni pas dashurisë së imagjinuar dhe e kultivoni atë duke e ushqyer me mendime, planifikime, nuk gaboj të them edhe me ëndrra, atëherë, padyshim, ju do ta përjetoni atë thellë në shpirt dhe ajo do t’ju preokupoj vazhdimisht dhe do t’ju marrë një pjesë të madhe të kohës.
Prandaj ju këshilloj t`i ndërprisni ato dhe të jeni më pozitivë në të shikuarit e gjërave realisht duke i pasur parasysh rrethanat, atëherë do të mund të jeni më të suksesshëm në jetë dhe do të jeni më produktivë.
Pas kësaj vërejtje të domosdoshme themi se lejohet femra t`i propozojë martesë mashkullit edhe pse më e njohur dhe, mund të themi se esencë, është e kundërta. Por nëse ndodh kjo nuk ka asnjë pengese dhe mëkat.
Me këtë që thamë nuk nënkupton që vajza tani të mundohet të filloj kontaktin direkt me djalin, por ju mundeni nëpërmjet ndonjë ndërmjetësuesi tuaj, qoftë i afërt apo dikush tjetër, t`ia përcillni atij personi se tregoni interesim ndaj tij. Dhe nëse ai gjithashtu tregon interesim mund të vazhdoni procedurat e njohur. Nëse ndodh e kundërta që ai mos të jetë i interesuar, atëherë juve nuk u është e lejuar, por edhe nuk ju bënë dobi që të vazhdoni të mendoni për atë person i cili nuk është i interesuar të bashkohet me ju.
Së fundi, lus Allahun e Lartësuar të ju jap sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!
Alaudin Abazi