Pyetja:
Në Kuran në suren Muminun Allahu thotë: “Thuaj! Kush është Zoti i qiejve dhe i Arshit madhështor?, ndërsa përgjigja vjen duke thënë: “Thuaj! Ato janë të Allahut.” Pyetja ime qëndron këtu: pyetja në Kuran bëhet “Kush është?”, ndërsa përgjigja vjen “të Allahut.”
Po ta shikojmë nga prizmi i gjuhës arabe, pyetja do të ishte kështu: “kul men rrabu…?” ndërsa përgjigja vjen: “kul lilah…” Çfarë sqarimi mund të na jepni?
***
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar thotë:
Rasti i parë:
“Thuaj! “Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të madh?” Ata do të thonë: ‘Ato janë të Allahut!’ Thuaju! ‘E pse nuk e keni dro pra Atë?’” (Muminun, 86–87)
Rasti i dytë:
“Thuaj! ‘Në dorën e kujt është pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (kë të dojë), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?’ Ata do të thonë: ‘Ato janë të Allahut!’ Thuaj! ‘E si mashtroheni pra?’” (Muminun, 88–89)
Pyetja të cilën e parashtroni ju është arsyeja se përse në fillim të ajetit kur ka ardhur në formë pyetëse me përemrin “kush?”, nuk është bërë përgjigja me formën adekuate gjuhësore se “Allahu është Zoti i tyre”, por ka ardhur përgjigja me formën: “Ato janë të Allahut”, gjithashtu e njejta formë është përdorur edhe në ajetin tjetër në vazhdim.
Pothuajse të gjithë komentatorët e Kuranit që i qasen sqarimit të arsyes së përdorimit të kësaj forme në këto dy raste, por edhe në raste tjera, thonë se përgjigja që është dhënë në këtë formë, është përgjigje që i është dhënë kontkestit të pyetjes, për shkak se nga pyetja “Kush është Zoti i shtatë qiejve…”, në gjuhen arabe nënkuptohet edhe se kush është poseduesi (pronari) i tyre, prandaj ka ardhur edhe përgjigja, “Ato janë të Allahut”, në këtë formë.
Kjo formë e përgjigjes, nëse bëhet pyetja me përemrin pyetës: “kush?”në gjuhën arabe është e njohur dhe përdoret shpesh, prandaj shejh Muhamed Emin Shenkiti në tefsirin e tij dhe mufesirinët e tjerë, e para këtyre të gjithëve imam Taberiu në tefsirin e tij, sqarojnë duke sjellur shembuj të ndryshëm se një gjë e tillë është e pranuar dhe e përdorshme në gjuhën arabe. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi