Pyetja:

Kohët e fundit jam duke u ballafaquar me vesvese si gjatë abdesit ashtu edhe gjatë namazit. Posa marr abdes, më duket se liroj ndonjë gaz dhe e prish abdesin. Me të vërtetë jam bërë konfuze dhe nuk e di se çka në të vërtetë është gazi (më vjen turp të shprehem kështu dhe kërkoj ndjesë për këtë shprehje, por mendoj që gaz është atëherë kur i jep zor njeriu). Ajo që më ndodh mua, më tepër më duket se është vesves sesa realitet. Unë dëgjoj zhurma në barkun tim dhe në zorrët e mia dhe kjo më bën konfuze. Ndoshta më është paraqitur ndonjë sëmundje që kërkon shërim, nuk e di. Ju lutem më sqaroni se kur në të vërtetë prishet abdesi. Me të vërtetë jam në hall.

2. Siç e ceka më lart, ky vesves i gazrave më humb edhe përqendrimin në namaz. Shpeshherë e përsëris abdesin dhe namazin. Përqendrimi më humb edhe atëherë kur nuk dëgjoj gjë, por mendjen e kam se mos po më ndodh gjë. Ndodh që dal nga namazi dhe e përsëris, se më duket se mos nuk e kam thënë Elhamin (kam lexuar se nuk ka namaz pa suren El-Fatiha), andaj edhe e përsëris namazin. Në cilat raste duhet përsëritur namazi dhe si të arrij përqendrim në namaz? Ndodh që harroj nëse kam bërë rukunë apo 2 sexhde. Në këto raste bëj sevi-sexhde. Sa është i vlefshëm ky namaz, nëse shpesh të ndodh të bësh sehvi-sexhde?

3. Shpeshherë më duket se në abdes kam harruar të pastroj ndonjë gjymtyrë të trupit, me ç’rast e përsëris abdesin. Pyetja është se a duhet ta përsëris abdestin apo duhet vetëm të pastroj atë gjymtyrë që dyshoj që nuk e kam pastruar?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Personit të cilit i ndodh të ketë vesvese se i prishet abdesi gjatë faljes apo jashtë saj, nuk duhet ta përfillë këtë apo ta ndërpresë namazin derisa nuk sigurohet se kjo është e saktë, pasi vesveset janë dyshime që vijnë nga shejtani dhe me to ai tenton që të dobësojë përkushtimin e robit ndaj kryerjes së adhurimeve në formën më të mirë.

Për këtë, Buhariu në koleksionin e tij vë një nënkapitull me titull: “Nuk përsëritet abdesi nga dyshimi derisa të bindemi”, do të thotë derisa jemi të sigurt se e kemi prishur.

Në këtë nënkapitull ai përmend hadithin të cilin e transmeton Abade ibën Temimi, ky nga xhaxhai i tij, se një njeri iu ankua Pejgamberi ﷺ, se gjen diçka (se e prish abdesin). Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “Mos ta ndërpresë (namazin) derisa ta dëgjojë zërin apo nuhasë erën” [1], kurse në një variant tjetër thuhet: “Nëse ndonjëri nga ju ka shqetësime nga barku dhe nuk është i sigurt nëse ka nxjerrë gazra apo jo, ai kurrsesi nuk duhet ta lërë xhaminë derisa të dëgjojë zë apo të nuhasë erën.” [2]

Prandaj mos u thelloni në vesveset që përjetoni gjatë kryerjes së ibadeteve, pasi ato janë shigjeta të shejtanit me të cilat dëshiron t`ju dobësojë në rrugëtimin tuaj drejt Allahut. Pejgamberi ﷺ shumë mirë në hadithet e lartpërmendura na tregoi se si duhet të largohen këto vesvese.

Gjëja që e prish abdestin është dalja e gazrave nga njeriu dhe nëse ne në këtë kemi dyshime, se a ka ndodhur apo jo, atëherë forma e vërtetimit të kësaj është në dy gjëra që na i tregoi Pejgamberi ﷺ më lart, kështu që çdo dyshim tjetër bie poshtë pa marrë parasysh çfarë është ai. Kurse zhurmat të cilat dëgjohen në bark nuk e prishin abdestin dhe çdonjërit i ndodh që të dëgjojë kësi zhurmash, pasi njeriu në barkun e tij (që është një hapësirë mjaft e vogël) ka disa metra zorrë dhe është normale të dëgjohen zëra gjatë tretjes dhe kalimit të ushqimit. Prandaj edhe shqetësimet tuaja nuk janë asgjë tjetër vetëm se vesvese.

Kurse sa i përket larjes së pjesëve të trupit gjatë abdesit dhe vesvesit, se ka mbetur ndonjë pjesë pa larë, kjo është më e thjeshtë dhe largohet më lehtë. Nëse kjo ju ndodh gjatë marrjes së abdestit apo pak kohë pas saj (derisa të fshiheni), atëherë e keni shumë të lehtë ta vërtetoni këtë pasi ajo pjesë për të cilin dyshoni se mos nuk e keni pastruar nuk do të jetë e lagur. Nëse është kështu (pra, nëse vërtet nuk e keni pastruar gjatë abdestit), atëherë ju duhet të ktheheni dhe ta pastroni atë pjesë dhe të vazhdoni abdestin jo nga fillimi, por nga pjesa e cila keni harruar. Për shembull, nëse keni marrë abdes dhe keni harruar pastrimin e dorës së majtë dhe këtë e kuptoni pasi ta keni përfunduar abdesin, atëherë ktheheni dhe e filloni abdestin nga dora e majtë dhe vazhdoni larjen e pjesëve që vijojnë pas dorës së majtë.

Nëse dyshimi ju lind pasi jeni fshirë pas abdesit, atëherë nëse nuk keni bindje në këtë dhe kjo është vetëm dyshim, atëherë nuk merret parasysh pasi esencë te besimtari është se gjatë abdestit i pastron të gjitha pjesët të cilat lahen gjatë abdesit dhe futja e dyshimit pa bazë në këtë (se a e ka pastruar apo jo) nuk e zhvlerëson esencën që përmendëm.

Edhe një herë e theksojmë që të mos e hapni zemrën ndaj këtyre vesveseve, por qëndroni e fortë, largojini ato nga mendja duke pasuar gjërat për të cilat jeni e bindur.

Në fund, themi se ju duhet ta dini se me vesvese shejtani i sulmon pothuajse të gjithë besimtarët, por ato përsëriten dhe shpeshtohen tek ata që i japin mundësinë, i hapin zemrat, tregohen të butë dhe bien në grackat e shejtanit. Lusim Allahun e Lartësuar t’ju forcojë në rrugën e Tij! Amin!

Alaudin Abazi

——————————–

[1] Buhariu

[2] Muslimi