Pyetja:
Dorën e majtë e kam të palëvizshme dhe gjatë marrjes së abdesit nuk kam mundësi ta lëvizi. A më pranohet abdesi nëse marr abdes vetëm me dorën e djathtë (pra ta fërkoj krahun e majtë me dorën e djathtë)?
***
Përgjigjja:
Së pari e lus Allahun e Madhërishëm të të shërojë dhe të ta bëjë të mundshme t’i lëvizësh të dy duart. Poashtu, duhet ta kesh parasysh se sa të zgjatë sëmundja, ti duhet të jesh durimtar dhe të llogarisësh në shpërblimin e Allahut të Madhërishëm. Muhamedi ﷺ ka thënë se çdo sëmundje që e godet besimtarin, çdo vështirësi, brengë, bile edhe një therrë kur e shpon, nëse bën durim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, kjo është falje mëkatesh. Për atë, ky hadith është sihariq për të sëmurët se nëse veprojnë në këtë mënyrë, inshallah Allahu ua falë mëkatet. Normalisht këtu shihet edhe aspekti psikologjik i hadithit, pra ka ndikim psikologjik te i sëmuri dhe ndikon pozitivisht në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Ndërkaq, për sa i përket pyetjes suaj, themi se abdesi është tamam nëse i plotëson farzet, e kompletohet me të gjitha detajet nëse i plotëson edhe sunetet dhe gjërat e preferuara. Përdorimi i duarve nuk është kusht për vlefshmërinë e abdesit. Çka dua të them me këtë? Nuk është kusht që abdesi të jetë i vlefshëm që patjetër ta përdoresh dorën e majtë. Abdesi është i vlefshëm edhe nëse e përdor vetëm njërën dorë, bile edhe nëse e djathta nuk të funksionon, dhe e përdor vetëm të majtën, abdesi është tamam. Kjo, ngase nuk është kusht në abdes që patjetër të përdoren të dy duart. Kërkohet që pjesët e caktuara të trupit të pastrohen me ujë, bile edhe nëse nuk përdoret njëra dorë. Ndërkaq, personat që kanë arsyetim, lirohen nga obligimi për diçka që duhet patjetër ta bëjnë, por ata nuk mund ta bëjnë.
Nga pyetja e juaj e lexoj shqetësimin për atë se nuk mund t’i përdorni të dy duart për abdes. E përgjigja është se kjo nuk është kusht për vlefshmërinë e abdesit, dhe pa problem abdesi vlen edhe nëse përdoret vetëm njëra dorë.
Poashtu, e lexoj shqetësimin për mosmundësinë e fërkimit të pjesëve të abdesit. Përgjigjja për këtë është se fërkimi është sunet e nuk është farz i abdesit. Dijetarët praktikën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, në këtë drejtim e kanë komentuar si plotësim të farzit, e jo se vetë është farz, gjegjësisht e kanë trajtuar si veprim joobligativ.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu