Pyetja:
A duhet të jemi të pastër kur lexojmë Kuran?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
I papastër quhet personi në gjendjen e papastërtisë rituale, e cila i takon dy klasifikimeve:
Klasifikimi i parë: Gjendja e papastërtisë së madhe rituale, ku hyn personi që e ka detyrim guslin.
Klasifikimi i dytë: Gjendja e papastërtisë së vogël rituale, ku hyn personi që e ka detyrim abdesin.
Në lidhje me raportin e abdesit dhe guslit me leximin e Kuranit, duhet të kemi parasysh sa vijon:
Së pari: Lejohet leximi i Kuranit pa abdes, por pa e prekur Kuranin:
Të gjithë juristët muslimanë janë të mendimit, se leximi i Kuranit pa u prekur nga ana e personit që nuk ka abdes, nuk përbën problem, por më e mira është që Kurani të lexohet me abdes.
Së dyti: Ndalohet leximi i Kuranit pa gusël, qoftë edhe pa e prekur atë:
Pjesa dërrmuese e juristëve muslimanë (përfshirë katër medh’hebet) janë të mendimit, se xhunubit nuk i lejohet leximi i Kuranit, qoftë edhe pa e prekur Mus’hafin. Së këtejmi, leximi i Kuranit nga ana e xhunubit, qoftë edhe pa e prekur atë, konsiderohet haram.
Së treti: Shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se personat në gjendjen e papastërtisë së madhe rituale (ku përfshihen xhunubllëku, lehonia dhe menstruacionet), e kanë të ndaluar ta lexojnë tekstin origjinal në arabisht të Kuranit (qoftë edhe një ajet të plotë kuranor dhe për më tepër një sure të plotë apo krejt Kuranin) dhe e tillë gjë u lejohet atyre vetëm pasi të pastrohen nga kjo gjendje.
Së katërti: Shumica e juristëve muslimanë janë të mendimit se xhunubit i lejohet të lutet me lutjet e Kuranit, si në rastin e lutjes së udhëtimit etj. Ata janë të pajtimit, se leximi i tekstit kuranor që nuk është i veçantë për Kuranin dhe thuhet në kontekstin e dhikrit (përmendjes së Allahut) a lutjes dhe jo me synimin e leximit të Kuranit, është i lejuar dhe përbën përjashtim nga rregulli i ndalimit të leximit të Kuranit për xhunubin.
Së pesti: Dijetarët theksojnë se xhunubit i lejohet të dëgjojë Kuran, sepse nuk ka ardhur asnjë tekst hyjnor ndalues për këtë. Por kushtëzohet që dëgjimi të mos shoqërohet me artikulimin (shqiptimin) e shkronjave kuranore, sepse një gjë e tillë konsiderohet lexim i Kuranit.
Allahu e di më mirë.
Bashkim Aliu