Pyetja:

A duhet të jemi të pastër kur ta prekim Kuranin?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Fillimisht lipset të dihet, se Kuran quhet vetëm teksti origjinal në arabisht i Kuranit i njohur me emërtimin Mus’haf.

Në lidhje me raportin e abdesit dhe guslit me prekjen e Kuranit, duhet të kemi parasysh sa vijon:

Së pari: Ndalohet (është haram) prekja e Kuranit pa gusël a pa abdes:

Pa gusël: Të gjithë juristët muslimanë janë të mendimit, se xhunubit nuk i lejohet prekja direkte e Kuranit pa izolues/ndarës që ndan mes lëkurës së dorës dhe Kuranit (pra pa e kapur apo mbajtur Kuranin përmes një sendi të pastër që është i shkëputur prej tij, si këllëfi a qesja e Kuranit që është veçan tij, një copë pëlhure, dorezat e duarve, mëngët apo ngjashëm).

Pa abdes: Shumica e dijetarëve muslimanë (përfshirë katër medh’hebet) janë të mendimit se personit që nuk ka abdes nuk i lejohet prekja dhe mbajtja e Kuranit pa izolues, qoftë kur personi në fjalë ka për qëllim të mësojë Kuran përmendësh, qoftë kur ai ka për qëllim ta studiojë ose lexojë atë.

Së dyti: Ndalohet prekja e çdo pjese përbërëse të Kuranit pa gusël a pa abdes:

“Shumica e juristëve muslimanë të katër medh’hebeve janë të mendimit se personit që është i papastër ritualisht, i ndalohet (jo vetëm prekja direkte e Kuranit por] edhe prekja e kapakut (prej lëkure, cope, letre etj.) të qepur a ngjitur për Kuranit, anëve të pashkruara të fletëve të Kuranit, pjesëve të pashkruara mes rreshtave kuranore dhe mbarë fletëve boshe, sepse ato konsiderohen pjesë përbërëse të Kuranit. Por disa juristë hanefi dhe shafi’i janë të mendimit se (prekja e) sa më sipër lejohet.”

Së treti: Lejohet prekja e Kuranit me izolues, pa gusël a pa abdes, sidomos në rast nevoje:

Prekjen e Kuranit nga personi i papastër ritualisht, me izolues, e ka lejuar medh’hebi hanefi dhe hanbeli, teksa medh’hebi shafi’i dhe maliki e kanë ndaluar (prekjen e Kuranit nga personi i papastër ritualisht) me ose pa izolues.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi