Pyetja:
Kur obligohet zekati i fitrit dhe cila është koha kur ky zekat duhet të nxirret?
***
Përgjigja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Në lidhje me këtë çështje thuhet sa vijon:
Së pari: Koha e obligimit të Zekatit të Fitrit
Dy mendimet kryesore të juristëve muslimanë në lidhje me kohën kur bëhet obligim Zekati i Fitrit janë:
Mendimi i parë: Koha e obligimit të tij fillon nga perëndimi i Ditës së Fundit të Ramazanit
Mendimi bazë i medh’hebit shafi’i dhe hanbeli, një mendim i shquar i medh’hebit maliki etj.; është se koha e obligimit të Zekatit të Fitrit fillon nga perëndimi i Ditës së Fundit të Ramazanit, pasi bazuar në tekstin referent profetik ky Zekat duhet përcaktuar tek Fitri (ngrënia, pirja etj.) dhe Fitri i parë që ngjet lidhur me gjithë Ramazanin, është pikërisht perëndimi i diellit të ditës së Fundit të tij…
Mendimi i dytë: Koha e obligimit të tij fillon nga agimi i Ditës së Fitër Bajramit
Mendimi i medh’hebit hanefi, një mendim i shquar i medh’hebit maliki, një mendim i hershëm i medh’hebit shafi’i etj., është se koha e obligimit të Zekatit të Fitrit fillon nga agimi i Ditës së Parë të Fitër Bajramit, pasi ky Zekat është përcaktuar pikërisht tek kjo ditë, sepse qëllimi është Fitri (ngrënia, pirja etj.) si antonim i agjërimit dhe sepse ai (Fitri) është karakteristikë e hyrjes së ditës dhe jo natës, pasi ai ka qenë i pranishëm gjithë netëve të ramazanit, ndaj dhe obligimi i Zekatit të Fitrit nuk përkon me të (Ramazanin).
Së dyti: Nxjerrja e mëhershme e Zekatit të Fitrit
Mendimi më i fuqishëm është se Zeqati i Fitrit është më mirë që të nxirret natën e Bajramit, sidomos pas namazit të sabahut deri para daljes për në vendfaljen e Bajramit, por edhe nxjerrja e tij një, dy ose tre ditë përpara, sidomos kur dërgimi i tij në destinacionet përkatëse kërkon kohë, është shumë në rregull.
Së treti: Koha e fundit e nxjerrjes së Zekatit të Fitrit
Mendimi i parë: Nxjerrja e tij pa arsye pas perëndimit të Ditës (së Parë) të Fitër Bajramit konsiderohet haram/mëkat
Një mendim i fuqishëm që i përket shumicës së juristëve muslimanë (përfshirë medh’hebin maliki, shafi’i dhe hanbeli) është se e pëlqyeshme është që Zekati i Fitrit të nxirret para Namazit të Bajramit dhe se obligohet që nxjerrja e tij të bëhet para perëndimit të Ditës (së Parë) të Fitër Bajramit (bazuar në tekstin profetik referent ku përmendet artikulimi “ditën e Fitrit”, i cili presupozon të gjithë ditën e Fitrit ku hyn nata dhe dita e kësaj dite), pra nxjerrja e tij pa arsye pas perëndimit të Ditës (së Parë) të Bajramit përbën mëkat.
Mendimi i dytë: Nxjerrja e tij pa arsye pas Namazit të Fitër Bajramit është mëkat
Medh’hebi dhahiri, imam Sheukani, imam San’ani etj., mendojnë se Zekati i Fitrit obligohet të nxirret para Namazit të Bajramit, kurse nxjerrja e tij pa arsye pas Namazit të Bajramit është mëkat, bazuar në udhëzimin profetik.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi